Në Zagreb, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, takoi ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anušić.
Takimi konfirmoi edhe një herë afrimin mes dy vendeve si aleatë në kuadër të NATO-s.
Gjatë diskutimeve u trajtuan tema që lidhen drejtpërdrejt me paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore. Dy ministrat konfirmuan gatishmërinë për të ecur së bashku në rrugën e zhvillimit të kapaciteteve dhe të industrisë ushtarake.
Në këtë kuadër, deklarata trepalëshe mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë synon të nxisë jo vetëm koordinimin strategjik, por edhe zhvillimin ekonomik, me theks të veçantë te industria e mbrojtjes.
Ministri Nufi u shpreh se në këtë frymë, paqja mbetet themeli i çdo angazhimi, duke shtuar se Shqipëria luan dhe do të vijojë të luajë një rol aktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal, duke forcuar marrëdhëniet me aleatët dhe duke thelluar koordinimin me Brukselin, në funksion të një rajoni më të sigurt dhe një të ardhmeje të përbashkët euro-atlantike.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Anušić, shprehu vlerësimin për rolin e Shqipërisë dhe ecurinë e dukshme në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Komente









