Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një takim me fermerët e Bashkisë Maliq, në përgjigje të kërkesës së tyre për bashkëbisedim lidhur me dëmet e shkaktuara nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

Gjatë takimit, Ministri Salla theksoi se procesi i evidentimit të dëmeve vijon në terren, në bashkëpunim me bashkitë, bordet e kullimit dhe Emergjencat Civile.

“Sapo të kemi pasqyrën e plotë të dëmeve dhe informacionin nga bashkitë për zonat përkatëse, do të veprojmë menjëherë me vendim qeverie për të mbështetur fermerët. Çdo fermer me NIPT do të dëmshpërblehet,” u shpreh ministri.

Duke folur për infrastrukturën e dëmtuar, Ministri Salla sqaroi se problematikat me argjinaturat janë trajtuar me ndërhyrje të shpejta, ndërsa theksoi se do të shikohet mundësia për investime në të gjitha argjinaturat e dëmtuara.

Ministri Salla informoi fermerët edhe për mbështetjen financiare përmes Skemës Kombëtare.

“Ne kemi nisur dëgjesat për Skemën Kombëtare. Bëhet fjalë për një fond prej 52 milionë eurosh në mbështetje të fermerëve, për t’u dhënë mundësi reale përfitimi nga shteti,” theksoi ai.

Sipas ministrit, qeveria ka rritur çdo vit buxhetin për mbështetjen e fermerëve.

“Kemi mbështetur 65 mijë fermerë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ky numër është rritur vit pas viti, paralelisht me rritjen e buxhetit. Këtë vit kemi përfshirë edhe mbështetjen prej 10% të faturimit, nga 1 janari deri më 31 dhjetor. Me faturat e depozituara periodikisht, fermerët do të përfitojnë automatikisht 10% të vlerës së faturimit,” sqaroi Salla.

Ai nënvizoi se dëgjesat me fermerët janë thelbësore për përshtatjen e politikave me nevojat reale të terrenit dhe me legjislacionin e Bashkimit Europian.

“Po i dëgjojmë fermerët, po marrim sugjerimet e tyre për skemën e re dhe po përgatisim sektorin që të jetë gati në vitin 2027, jo vetëm për orientimin e fermerëve, por edhe për mbështetjen e tyre dhe forcimin e sigurisë ushqimore,” tha ministri.

Në përfundim, Ministri Salla garantoi se qeveria ka parashikuar një paketë të posaçme financiare për përballimin e dëmeve nga përmbytjet.

“Kemi hartuar një paketë financiare për mbështetjen e të gjitha dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e fundit dhe do të jemi pranë fermerëve në çdo fazë,” përfundoi ai.


Lajmi kryesor:

Nënshkruhet në Korçë Marrëveshja e Bashkëpunimit për Projektin TOKA, Ministri Salla: Ndërtojmë një bujqësi moderne në përputhje me standardet e BE-së!