TIRANE-Shtyhen zgjedhjet në universitete. Pas debateve, letrave të hapura, akuzave dhe padisë nga organizata Qëndresa Qytetare, paraditen e sotme ministrja e Arsimit Besa Shahini vendosi që të shtynte datën e zgjedhjeve në universitete deri në një afat të pacaktuar për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Në letër Shahini thekson se shtyrja është bërë me qëllim që të marrin pjesë të gjithë studentët, të cilët tashmë janë të bllokuar për shkak të koronavirusit. “Data e zgjedhjeve për organet drejtuese të IAL-ve shtyhet deri në një moment të dytë kur mund të sigurohet pjesëmarrje më gjithëpërfshirëse e studentëve".

Por, thekson ministrja, procesi përgatitor i zgjedhjeve duhet të vazhdojë në mënyrë që institucionet e arsimit të lartë të jenë gati të fillojnë fushatën zgjedhore menjëherë pas shpalljes së datës. Kjo do të thotë që procesi i regjistrimit të kandidatëve duhet të vijojë për të qenë gati për fushatën në momentin që do të vendoset data e re pas përfundimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. “Shpresoj që ky urdhër të mundësojë kthimin e vëmendjes së udhëheqësve të arsimit të lartë publik tek planifikimi i mbylljes së suksesshme të vitit akademik për studentët” mbyll njoftimin e saj Shahini.

Ministrja Shahini i shtyu zgjedhjet pas akuzave nga PD-ja, kërkesës së rektorit të universitetit të Tiranës dhe studentëve. Për shkak të debateve të forta, Mynyr Koni shkarkoi nga detyra si pedagogë kryetaren e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve Majlinda Keta dhe anëtarët, të cilët nuk ju bindën për të ndaluar procesin, por vijuan duke regjistruar kandidatët. Deri tani na garën për rektor të universitetit të Tiranës është regjistruar dekani i Juridikut Artan Hoxha.

Vendimi i ministres Besa Shahini