TIRANE-Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni ka falenderuar ministren e Arsimit Besa Shahini për shtyrjen e zgjedhjeve në institucionet e arsimit të lartë. Por duket se nuk është e zgjidhur e gjithë problematika mes ministrisë dhe universiteteve.
Kjo sepse, ministria e Arsimit në urdhrin e sotëm kërkonte nga universitetet që 'të vijojnë me përgatitjen e zgjedhjeve me qëllim zhvillimin e tyre menjëherë pas përcaktimit të datave përkatëse'. Por rektori Koni thotë se 'Pas përcaktimit të datave nga Ministri i Arsimit do të vijojmë në mënyrë të menjëhershme me përgatitjen'.
"Si Rektor i Universitetit të Tiranës, shpreh falenderimet dhe njëkohësisht përgëzimet e mia, për Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për nxjerrjen e Urdhrit nr.108 datë 08.05.2020, me të cilin, shtyhet data e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia e Covid 19.
Pas përcaktimit të datave nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për hapjen e procesit zgjedhor dhe datës së zhvillimit të zgjedhjeve, ju siguroj se autoritetet dhe organet drejtuese të Universitetit të Tiranës, do të vijojnë në mënyrë të menjëhershme me përgatitjen e zgjedhjeve, me qëllim zhvillimin e tyre sipas të gjitha hapave dhe procedurave ligjore, të përcaktuara në Rregulloren e Zgjedhjeve.
Procesi zgjedhor që do të zhvillohet në Universitetin e Tiranës, do të përmbushë të gjitha parimet kushtetuese; do të zbatojë ligjin e arsimit të lartë 80/2015 dhe të gjitha aktet nënligjore në fuqi; do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës" deklaron Koni. Deri tani na garën për rektor të universitetit të Tiranës është regjistruar dekani i Juridikut Artan Hoxha.
Komente












