Ministria e Bujqësisë: Situata e përmbytjeve po shkon drejt stabilizimit

/ATSH/- Ministria e Bujqësisë bëri të ditur sot për ATSH-në, se situata e përmbytjeve që përfshiu disa qytete të vendit, për shkak të rreshjeve të dendura të shiut, po shkon drejt përmirësimit dhe në orët e para të mengjesit 9:50? të së hënës paraqitet e stabilizuar.
"Grupet e punës janë në terren dhe raportohet se të gjithë hidrovorët janë në gjendje pune. Ndërsa nuk ka pasur probleme me sistemet e rrjetit ektrike", bëri të ditur Ministria e Bujqësisë.
Sipas të dhënave paraprake, pritet që dy ditët në vazhdim të jenë pa reshje, çka do të krijojë kushte për normalizim të metejshëm të situatës së përmbytjeve.
Nga rreshjet intensive te ditëve të fundit u shkaktuan përmbytje të tokave bujqësore dhe zonave urbane në rrethet  Vlorë, Fier, Elbasan, Lushnje, Shkodër etj.

SITUATA NE FIER
Sot në Fier situata paraqitet e përmirësuar, pasi intensiteti i shirave ka rënë dhe uji është tërhequr. Mësohet se lumi Gjanica është rikthyer në shtrat, dhe uji është tërhequr nga banesat dhe objektet e tjera.
Reshjet e shiut, të cilat nisën mbrëmjen e së shtunës dhe vijuan pa ndërprerje përgjatë së dielës, shkaktuan dëme në rreth 550 banesa si dhe 150 biznese. 60 familje u evakuuan, për të cilat u mundësua strehimi në konviktet e shkollave "Jakov Xoxa" dhe "Rakip Kryeziu".

SITUATA NE VLORE
Ndërkohë në Vlorë situata vijon të jetë e njëjtë me një ditë më parë. Nën ujë janë rreth 260 banesa dhe 150 biznese. Situata vijon të jetë problematike në pothuajse të gjitha lagjet e qytetit. Ndërkohë, më e rëndë paraqitet gjendja në zonën e Skelës, në lagjen "24 Maji", "Pavarësia", "15 Tetori", rrugën "10 korriku", "Kushtrimi", si dhe për herë të parë në zonën e Ujit të Ftohtë.
Përmbytjet në Vlorë i kanë marrë jetën një 50-vjeçari një ditë më parë. Luan Qarri gjatë mesnatës të së shtunës ishte duke u kthyer nga puna si roje në një biznes privat, kur vërshimet e përroit e kanë marrë teksa udhëtonte me mjetin e tij. Babai i katër fëmijëve është tërhequr nga rryma e fortë e ujit, e cila e ka çuar afër bregut të detit pranë një resorti turistik, ku dhe u gjet i pajetë. Mësohet se kanë qenë pronarët e këtij biznesi ata që kanë lajmëruar forcat policore, se mëngjesin e të dielës kishin parë trupin e pajetë të një personi në një automjet në zonën e Radhimës.

SITUATA NE LEZHE
Pas përmbytjeve të së dielës në qarkun e Lezhës situata i është kthyer normalitetit. Aktualisht në asnjë lagje e qytetit të Leshës nuk ka prezencë uji. Ndërkohë është mbledhur Shtabi i Emergjencave Civile, për të diskutuar mbi problematikat e hasura dhe zonat ku duhet ndërhyrë me qëllim që të shmangen përmbytjet në vijim.

SITUATA NE ELBASAN
Situata vijon të jetë problematike në pjesën veriore të Elbasanit, pasi dëmtimet në argjinaturën e përroit të Zaranikës përbëjnë rrezik për përmbytje. Mësohet se uji ka vërshuar edhe në njërën nga depot e ujësjellësit të qytetit. Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve që të mos e konsumojnë ujin e çezmës.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aksident i rëndë në Korçë, makina zë poshtë të riun që po lëvizte me skuter (VIDEO)