Historia vijon të përsëritet në aspektin fiskal të vendit. Mblidhen dhjetra miliona euro më shumë sesa institucionet arrijnë të shpenzojnë. Në 9 mujorin e këtij viti thotë Ministria e Financave u mblodhën në total 5 miliardë e 625 milionë euro, ndërsa u shpenzuan vetëm 5 miliardë e 154 milionë euro. Për shkak të shpenzimeve më të ulta sesa të ardhurat e mbledhura, 9 mujori u mbyll me suficit në vlerën 471 milionë euro.

Në kahun e të ardhurave kontributin kryesor në rritjen e tyre me 336 milionë euro në raport me vjet për të njëjtën periudhë e mbajnë tatimi mbi pagat dhe TVSH-ja.

Në raportin e saj ministria thotë se të ardhurat nga tatimi mbi pagat u rritën 26.7% krahasuar me vjet duke arritur në 630 milionë euro, ku ndikim po jep rritja e rrogave si dhe plotësimi i DIVA-s, që është shoqëruar me pagesa tatimi shtesë nga të dy punësuarit.

Kurse të ardhurat nga TVSH-ja që lidhen direkt me konsumin u rritën me 17.2% krahasuar me vjet dhe në total u arkëtuan 504 milionë euro. Edhe zërat e tjera të tatimeve si doganore ashtu edhe atyre tatimore raportohen në rritje krahasuar me 9-mujorin e vitit 2024.

Njëjtë si edhe vitin e kaluar, paratë e shpenzuara për paga, sigurime, interesa, mirëmbajtje apo investime ishin më të ulta se të rdhurat. Madje nuk u realizua as plani. Të gjitha institucionet buxhetore shpenzuan 234 milionë euro më pak se sa parashikimi i bërë në buxhetit.

Siç ndodhi edhe vjet, ecuria e dobët e shpenzimeve për investime janë bërë shkak për mos realizimin e planit. Referuar të dhënave në këtë 9-mujor shpenzimet kapitale, që lidhen direkt me investimet arritën në 568 milionë euro, duke u realizuar plani me vetëm 85.1% thotë ministria. Ndërsa shpenzimet korente që shkojnë për paga, sigurime, interesa apo mirëmbajtje u realizuan në masën 97.1% të planit ose 4.5 miliardë euro.

TË ARDHURA DHE SHPENZIME
Të ardhura     5.625 mln euro
Shpenzimet    5.154 mln euro
Suficiti              471 mln euro
TË ARDHURAT SIPAS ZËRAVE
Tatimi mbi pagat        630 mln euro
TVSH-ja                     504 mln euro
Tatimi mbi fitimin      453 mln euro
Taksat nacionale         348 mln euro
SHPENZIMET E PËRGJITHSHME
Plani               5.388 mln euro
Realizimi        5.154 mln euro
Diferenca         -234 mln euro