Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit, në fushën e përkthimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian.
Sipas një njoftimi të MI-së, gjatë procesit të anëtarësimit në BE, Kosova do të jetë e detyruar të përkthejë rreth 200,000 faqe të legjislacionit të BE-së në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.
Në këtë drejtim, marrëveshja e bashkëpunimit parashikon themelimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përmes; trajnimit të stafit dhe të studentëve në përdorimin e sistemeve softuerike për përkthim, të degës Master për Përkthim, të Fakultetit Filologjik, pranimin e studentëve për kryerjen e praktikës brenda Divizionit të Përkthimit dhe Terminologjisë së Acquis, në Ministrinë e Integrimit Evropian; si dhe bashkëpunimin në fushën e krijimit të databazës së terminologjisë për përkthim duke përdorur fjalorë të ndryshëm.
Gjatë takimit, Ministri Çollaku dhe Rektori Zejnullahu diskutuan rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE dhe zhvillimet më të fundit në Universitetin e Prishtinës./atsh/