Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka uruar sot Péter Magyar dhe Partinë Tisza për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Hungari, duke e cilësuar rezultatin si një mandat të fortë të dhënë nga qytetarët hungarezë. Përmes një postimi në rrjetin social X, diplomacia shqiptare shpreh gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në këtë moment të ri politik për Budapestin dhe nga ana tjetër thekson gjithashtu rolin e rëndësishëm që Hungaria ka luajtur në mbështetje të integrimit europian të Shqipërisë.
Deklarata e plotë e Ministrisë së Jashtme
"Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë përgëzon Péter Magyar dhe Partinë Tisza për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme dhe për mandatin e fortë që u është besuar nga populli hungarez. Ne presim që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë për të forcuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësinë e sinqertë midis dy vendeve dhe popujve tanë, dhe për të thelluar dialogun dhe partneritetin tonë, duke përfshirë përkrahjen e rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE, për të cilën Hungaria ka qenë një mbështetëse e palëkundur, si dhe kontributin tonë të përbashkët për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë Evropën"
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet në Hungari, Rama mesazh urimi për Peter Magyar: Suksese në drejtimin e vendit, mezi pres të punojmë bashkë!











