TIRANË, 9 Dhjetor/ATSH-Z.Tosku/-Ministria e Kulturës dha ditën e sotme dy cmimet kombetare, atë të veprës më të mirë letrare dhe të përkthimit më të mirë letrar.
"Gara e çmimeve është e rëndësishme kur ajo është e vërtetë. Sepse letërsia ka nevojë të nxitet, sepse krijimtaria ka nevojë të mbështetet, se krijuesit duhen falenderuar dhe nderuar nga ne, sepse lexuesi kërkon edhe të orientohet në leximet e tij, të edukohet në mënyrë të besueshme, profesionale, cilësore e pa zallamahi, pa bujë, pa thashetheme", tha ministrja Mirela Kumbaro.
Lumturi letrare është çmimi i fituar nga Thanas Medi.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u shpreh se "ky roman i shkruar mbi faqen e bardhë të harresës, është një histori me aromë vllehe, lëng toke dhe damarë burri e gruaje plot passion".
"Orlandi i çmendun" i Ariostos vjen në shqip nga Guljem DEDA', tha ministrja Kumbaro.
Ajo shtoi se"eshte nje përkthyes i një shkolle të veçantë përkthimi, ajo e kampeve të internimit dhe e burgut të lirisë, prej ku dolën, Pashk Gjeçi, Henrik Lacaj, Mark Dema e të tjerë". Sipas ministres Kumbaro, "vec përkthimi ishte shpëtimi i shpirtit e i zemrës, si një mundësi arratie në të tjera vise e qytetërime. Por edhe si një mënyrë komunikimi të tërthortë me atë kohë të çmendur të cilës nuk i foli dot me zë të lartë sepse ia mbyllën gojën me pranga".

"Sot, pas vdekjes që e mori 20 vjet më parë, e kur veç pak vite liri i panë sytë, besoj se profesor Guljemi na sheh që atje lart, tek i përulemi me mirënjohje për veprën e jetës, nga ato që s'bëhen më, se kërkojnë çmendurinë e pasionit që rrallë e hasim", nënvizoi ajo.
Juria që vendosi për cmimet ishte e përbërë nga
Brikena Çabej, Saverina Pasho, Rita Petro, Ridvan Dibra dhe Ben Andoni. /a.ke/