Ministria e Drejtësisë ka reaguar menjëherë pas reagimit të dytë të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila konsideron konkluzionet e kontrollit të Ministrisë ndaj Prokurorisë si një shkelje e Kushtetutës dhe e ligjshmërisë. Në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë, të cilën po e publikojmë të plotë bie në sy një paragraf, ku Ministri shprehet i shqetësuar për reagimin në publik të Prokurorëve.


Reagim mbi deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme


Ministria e Drejtësisë, në respekt të informimit të qytetarëve, në lidhje me deklaratën e dërguar në media nga Prokuroria e Përgjithshme, për raportin vjetor nëlidhje me inspektimin e prokurorisë, dërguar Kuvendit, dëshiron të sqarojë se:

Ministria e Drejtësisë mbështet shqetësimin publik në rritje për përgjegjshmërinë e institucioneve të drejtësisë, ndaj ligjit dhe Kushtetutës. Veprimtaria e Ministrisë së Drejtësisë është e orientuar për konsolidimin e shtetit të së drejtës, ku sundon ligji, i cili duhet të jetë i aftë të garantojë liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve.

Ministria e Drejtësisë rikonfirmon besimin e saj se parimi i ndarjes së pushteteve, siç ka interpretuar edhe Gjykata Kushtetuese, nuk duhet kuptuar që çdo pushtet është i mbyllur dhe i pakontrolluar nga askush. Ndarja e pushteteve midis tri degëve të qeverisjes garantohet vetëm nëpërmjet sistemit të kontrolleve dhe ekuilibrave, i cili garanton përgjegjshmërinë e institucioneve ndaj ligjit, transparencën publike të tyre dhe rrit besimin publik tek shteti i së drejtës.

Neni 148 i Kushtetutës përcakton prokurorinë si organin e vetëm kushtetues, që ka mision të ushtrojë ndjekjen penale e rrjedhimisht të marrë në mbrojtje liritë e të drejtat e shtetasve që cënohen nga kryerja e veprave penale. Prokurorisë i janë dhënë me Kushtetutë dhe me ligj të gjitha mjetet e duhura procedurale (ngritja e akuzës, kryerja e veprimeve procedurale gjer tek e drejta e ankimit) për të orientuar politikën penale shtetërore për një luftë efikase ndaj kriminalitetit. Këtu e ka thelbin edhe forma e organizimit të këtij organi në mënyrë hierarkike e të centralizuar. Ushtrimi i këtij funksioni në mënyrë të pakontrolluar dhe në mënyrë të pavarur nga Kushtetuta dhe ligjet rrezikon interesin publik dhe shoqërinë në tërësi. Për të evituar këtë të fundit funksionojnë mekanizmat e kontrollit konkret të Ministrit të Drejtësisë, por edhe mekanizmat e informimit dhe të kontrollit të përgjithshëm të Kuvendit.

Në këtë kontekst, reagimi në media për herë të dytë i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, nëpërmjet zëdhënësit të tij, duke përdorur si Shoqatën e Prokurorëve, ashtu edhe Këshillin e Prokurorisë bie ndesh jo vetëm me situatën e fakteve, por edhe me besimin publik tek organi i ndjekjes penale.

Ministria e Drejtësisë rikonfirmon se në fokus të inspektimeve të kryera ka qenë verifikimi i ligjshmërisë së prokurorisë në përputhje me kompentecat ligjore të nenit 56 të ligjit nr. 8737/2008 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSH”, i ndryshuar. Objekti i inspektimeve është përcaktuar në përputhje me shqetësimin dhe ankesat e publikut, mbi ushtrimin e një politike penale të gjatë vitit të kaluar nga prokuroria, duke aplikuar masa të ulëta dënimi.

1. Lidhur me pretendimin se konkluzionet e raportit të Ministrisë së Drejtësisë janë të pavërteta:
Hartimi i raportit vjetor të Ministrit të Drejtësisë drejtuar Kuvendit përmban fakte të verifikuara përgjatë inspektimeve në terren të zhvilluara nga Ministria e Drejtësisë përgjatë një viti. Çdo fakt i paraqitur në të dhe çdo konkluzion i nxjerrë bazuar në faktet e paraqitura gjen mbështetje në inspektimet e veçanta të zhvilluara. Çdo konkluzion i nxjerrë përmban arsyetimin ligjor të faktit të konstatuar.

Ky raport, i referohet rasteve duke hequr atributet e procedimeve penale dhe emrat e prokurorëve në respekt të plotë të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e organit të prokurorisë në RSH”, i cili kërkon që Kuvendi të informohet në mënyrë të përgjithshme për rezultatet e inspektimeve.

2. Lidhur me pretendimin se shkeljet e pretenduara nga Ministria e Drejtësisë nuk qëndrojnë:
Shkeljet e paraqitura në raportin vjetor të Ministrit të Drejtësisë janë gjendje fakti e konstatuar nga inspektimi në terren dhe e dokumentuar me një set aktesh të tërhequra me fotokopje. Nga ana tjetër, Prokurori i Përgjithshëm, ndonëse në shumicën e inspektimeve të kryera, nuk ka kthyer përgjigje, në ato pak raste që ka reaguar ka pranuar shprehimisht se shkeljet e verifikuara gjatë inspektimit ekzistojnë.

3. Lidhur me pretendimin se në shifra statistikore në rang Republike, konkluzionet e Ministrisë së Drejtësisë nuk i përgjigjen realitetit dhe janë jo objektive:
Deklaratat e prokurorisë përmbajnë një paraqitje statistikore të të dhënave të procedimeve penale në rang Republike, por analiza e tyre është e deformuar për dy arsye:
(i) Analiza merr në konsideratë faktin që çështjet e painspektuara nga Ministria e Drejtësisë janë të gjitha në përputhje me ligjin. Në fakt, në shumë raste inspektimi, Ministria e Drejtësisë ka ushtruar inspektim edhe për një rast të vetëm dhe ka konstatuar shkelje të ligjit aty;
(ii) Statistikat e paraqitura zyrtarisht nga organi i prokurorisë në Ministrinë e Drejtësisë konfirmon deformimin e analizës statistikore të deklaratës për shtyp. Për ilustrim, në veprat penale me ndjeshmëri dhe interes publik rezulton se një numër i pakët i çështjeve të hetuara për vitin 2011 janë dërguar për gjykim.
4. Lidhur me pretendimin se shkeljet e konstatuara janë të karakterit formal dhe nuk kanë ndikuar në mënyrën e zgjidhjes ligjore të çështjeve:
Ministria e Drejtësisë thekson se rregullat formale janë të një rëndësie primare dhe ndikojnë drejtpërsërdrejti në shmangien e fiktivitetit. Si të tilla, ato janë sinjali i parë i dukshëm i efiçencës dhe i integritetit në një gjykim. Qëndrimi i prokurorisë në media, anashkalon rëndësinë e respektimit të procedurave ligjore që duhet të udhëheqë prokurorin në veprimtarinë e tij hetimore, duke i përcaktuar shkeljet e konstatuara si shkelje formale që nuk cënojnë cilësinë e hetimeve. Prokuroria anashkalon faktin se kategoria e shkeljeve të përmendura në Raport cënon të drejtën kushtetuese të individëve për një proces të rregullt ligjor dhe minon besimin publik tek efektiviteti i ndjekjes penale.

Ministri i Drejtësisë rikonfirmon qëndrimin se veprimtaria e Ministrisë së Drejtësisë është e orientuar për respektimin e shtetit të së drejtës ku sundon ligji. Për këtë qëllim, kërkohet më shumë seriozitet dhe angazhim për evidentimin dhe ndjekjen e koordinuar të rasteve të shkeljes së ligjit, të cilat ndonëse në pamje të parë mund të duken si shkelje formale, në fakt përbëjnë një tregues të rëndësishëm për rritjen e cilësisë së drejtësisë

5. Lidhur me pretendimin se në ushtrimin e kontrolleve të kryera në Prokurori Ministria e Drejtësisë ka shkelur hapur parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve
Në përputhje me nenin 56 të ligjit organik të prokurorisë, çdo kontroll është përqëndruar në respektimin e afatit të hetimeve, respektimin e afatit të paraburgimit, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të subjekteve të procedimit penal, rregullshmërinë dhe vijueshmërinë e veprimeve hetimore të kryera, respektimin e detyrimit ligjor të prokurorit për fillimin e ndjekjes penale, respektimin e parimeve të drejtësisë, barazisë, ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit në mardhëniet e tij me subjektet e tjera të procedimit penal.

Qëndrimi zyrtar i Ministrit të Drejtësisë është se inspektimeve e kryera janë ushtrimi i mekanizmave kushtetues dhe ligjorë të kontrollit të pushteteve dhe organeve kushtetuese, si një aspekt bashkëshoqërues i ndarjes së pushteteve dhe përgjegjshmërisë së organeve kushtetuese. Ministria e Drejtësisë, si pjesë e pushtetit ekzekutiv, mbështet, bashkëpunon dhe bashkërendon veprimtarinë e saj me prokurorinë në respekt të plotë me parimin e qeverisjes të sanksionuar nga neni 7 i Kushtetutës “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Në këtë mënyrë, sipas Kushtetutës, aq sa flitet për ndarje bëhet fjalë edhe për ekuilibër të pushteteve. Qëllimi i një koncepti të tillë kushtetues siguron që të parandalojë çdo degë të qeverisjes për të ushtruar një pushtet të pakufizuar. Në këtë kontekst kushtetues, duke marrë në konsideratë organizimin kushtetues, sipas të cilit organi i prokurorisë nuk është pozicionuar si pjesë e asnjë prej 3 pushteteve, por të cilit Kushtetuta i ka ngarkuar në mënyrë ekskluzive misionin e ndjekjes penale dhe të përfaqësimit të akuzës në gjyq në emër të shtetit, mekanizmi i kontrollit administrativ të jashtëm merr një rëndësi parësore për të siguruar harmonizimin e veprimtarisë së pushteteve dhe sigurimin e ekuilibrit e bashkërendimit në funksion të politikës penale shtetërore. Midis organit të prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë ka një marrëdhënie midis një organi kushtetues dhe një organi të pushtetit ekzekutiv, me kapacitetet e nevojshme teknike për të përballuar funksionin e kontrollit. (am/shqiptarja.com)

Ministri i Drejtësisë
Eduard HALIMI