Minxhozi: Kryetari i shtetit dhe kryetari i partisë

Minxhozi: Kryetari i shtetit dhe kryetari i partisë

Presidenca

Sa herë që vjen stina e zgjedhjes së presidentit, afrohet gjithashtu edhe liturgjia hipokrite e predikuesve televizivë e mediatikë në lidhje me kryetarin e shtetit, identikitin e tij, pozicionin politik, të shkuarën dhe të ardhmen e tij. Në këto orë kur po zgjidhet presidenti i ri i radhës, kjo lloj meshe dixhitale dëgjohet cep më cep me formula të tipit “të zgjedhim një president të të gjithëve”, “kryetari i shtetit duhet të jetë jashtë influencës së maxhorancës”, “s’kemi nevojë për një noter të qeverisë”, “presidenti nuk i takon shumicës parlamentare”, “Rama duhet të hapë krahun”, “socialistët kanë shumë pushtet, pse ju duhet edhe kreu i shtetit”!

E pra, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ka rregulluar të paktën prej 14 vjetësh këtë proces, duke e nxjerrë jashtë skemave këshilluese e vullneteve subjektive të cilat në Tiranë siç dihet, janë një det i madh e i trazuar. Presidenti zgjidhet sipas një procedure të parashikuar deri në gërmë nga ligji themeltar i shtetit, pikërisht për ta nxjerrë procesin nga nebuloza e interesave, bërrylave e kulisave pas perdeve. Zgjidhet kryetar shteti ai që merr shumicën e votave në njërin prej raundeve të votimit në Kuvend.

Megjithatë mesa duket fanfarat e zgjedhjes së kreut të shtetit janë një sport kombëtar i paevitueshëm, me plot lista emërore, figura që shfaqen e zhduken aty për aty, kandidatë të përfolur e të tjerë akoma të vetëshpallur. Ky mozaik vetëm sa e bën më të vështirë ekuacionin e presidentit të ri, e kësisoj është mirë të kapemi tek parimet, më shumë sesa tek emrat të cilat shpesh gënjejnë.

Nëse e sheh në parim procesin aktual të zgjedhjes së presidentit, mund të vëresh pa vështirësi se ai zhvillohet në kushtet e një qeverisjeje të “nginjur” nga njëra anë, e një opozite në krizë të thellë ndarëse nga ana tjetër. Dihet që Edi Rama e shijon së tepërmi rrethanën kur i duhet të zgjedhë apo vendosë diçka, e sheh të tjerët që përpiqen të gjejnë se çfarë kartash ka në xhep. Është një kënaqësi e vjetër morboze e Ramës kjo me emrat nën mëngë.

Kampi përballë, ai që nis tek pjesët e ndara të PD e mbaron tek lista e analistëve, aktivistëve e votuesve të djathtë, predikon në kor një kryetar shteti sa më të largët nga kuadrati i maxhorancës. Nëse dëgjon atë që flitet e shkruhet në këtë sektor të shoqërisë shqiptare për temën në fjalë, ke përshtypjen se po zgjidhet presidenti i Finlandës, jo ai i Shqipërisë. Një tufë ujqish që papritur kanë veshur lëkurë qingji.

Sipas kësaj propagandë që gjëmon në televizione e rrjete sociale nga mëngjesi në darkë, kreu i shtetit duhet jetë ose i opozitës, ose i afërt me të, ose në fund fare, nëse dy variantet e mësipërme bien, krejt i pavarur nga të gjitha palët.  Pra, të zgjedhim cilindo, përveçse atë që votohet nga shumica që ka votat dhe mundësitë aritmetike për ta çuar në fund procesin.

Ky lloj predikimi në pamje të parë kaq i dëlirë dhe i çliruar nga vargonjtë e pushtetit, vjen sot nga ato gojë njerëzore të cilat kur qe Berisha në pushtet, i bashkoheshin sa hap e mbyll sytë pozicionit të hekurt të tij, se kreu i shtetit duhet të zgjidhet “sipas Kushtetutës”. I vetmi togëfjalësh që Sali Berisha përmendte sa herë që dikush i sugjeronte që ta negocionte me opozitën emrin e kreut të shtetit. Aq e vërtetë është kjo, saqë PD dhe Berisha nuk e negociuan kurrë në 30 vitet e fundit, kur i kishin votat, Presidentin e Republikës.

Nga ana tjetër, presioni politik e mediatik për të zgjedhur një kryetar shteti sa më pa ngjyrë, vjen nga një palë politike që po jep një mesazh krejt tjetër nga ai i hapjes së skenës politike për emra dhe kontribute të reja. Ndërsa kërkojnë një President të ri në imazh, mentalitet dhe baraslargësi nga palët, opozitarët i kanë hyrë një procesi kryekëput të kundërt së brendshmi, në PD. Teksa predikon gjithë ditën një kryetar shteti “finlandez”, Partia Demokratike e Doktorit dhe përkrahësit e saj mediatikë janë dhënë me mish e me shpirt pas tezës “Berisha është e vetmja kartë shpëtimi për opozitën”.

Një proces me dy kahe të kundërta. Ai i kërkesës për të zgjedhur një President që t’i përshtatet frymës dhe emancipimit të vitit 2022, e nga ana tjetër investimi total për të rikthyer në fron një figurë politike të tejkonsumuar të viteve ’90. Të predikosh një kryetar shteti të ekuilibruar si Moisiu dhe të shkosh në luftë për kauzën private të Berishës, janë dy sjellje që bien ndesh haptazi e mënyrë flagrante me njëra-tjetrën. Thënë ndryshe, nuk bën aspak sens të jesh klanor e i prapambetur në shtëpi dhe liberal e mendjehapur në publik. Një mësallë me dy faqe që nuk i jep aspak kredibilitet procesit të rëndësishëm të zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen