Minxhozi: Pse Amerika zgjodhi një të dënuar përballë një prokuroreje?!

Minxhozi: Pse Amerika zgjodhi një të dënuar përballë një prokuroreje?!

Fitimtari nuk gjykohet. Kështu thotë maksima që përdoret sa herë që ke përpara një fitues. Sidomos kur ai quhet Donald Trump, një njeri që ka kaluar dy votime për shkarkim në legjislativin amerikan, që ka humbur bujshëm para katër vitesh pa e pranuar rezultatin, që ka kaluar dy atentate gjatë fushatës, që ka falimentuar gjashtë herë si biznesmen, që ka mbajtur prej tetë vitesh mitingje çdo javë në çdo cep të SHBA, që ka premtuar të jetë diktator në ditën e parë si president, që ka ndërruar tre gra e është dënuar për tradhti bashkëshortore por që lufton për familjen tradicionale, që i shkel syrin Putinin duket u betuar njëherësh se është më patrioti që ju kanë parë sytë, që ka kërcënuar deportime për miliona njerëz dhe ka mbrojtur një vizion që tremb shumëkënd. Mbi të gjitha, e këtu duket se fitoi, premton të mbushë shportën e ushqimeve dhe serbatorin e makinës për miliona familjet e thjeshta amerikane!

Trump fitoi, Harris humbi. Amerika dështoi të zgjidhte një grua presidente, çka në Evropë dhe gjetiu nëpër botë është diçka normale prej shumë vitesh. Përtej aspektit gjinor, kjo është një humbje e madhe ideologjike e të majtës në SHBA dhe që do të ketë impakt edhe në pjesë të tjera të globit. Humbi Amerika e fanatizmit transgjinor, e ambjentalizmit të kthyer në qëllim në vetvete dhe e disa sjelljeve që me kalimin e kohës u shndërruan në klishe të shpifura, ku ti mund të vendosje të ishe një herë grua e një herë burrë ose edhe “tjetër”. Humbi një vizion për botën shumë elitar e i shkëputur nga nevojat e përditshme të amerikanëve që luftonin të dilnin në fund të muajit për shkak të inflacionit dhe krizës së çmimeve. It’s the economy stupid, do të thoshte moshatari i Donald Trump, Bill Clinton!  Demokratët nuk e kuptuan luftën mes barkut dhe mendjes, prandaj nuk mundën t’jua shpjegojnë amerikanëve përse e dyta është po aq e rëndësishme sa e para. Zgjedhjet u kthyen në një debat faturash dhe çmimesh karburanti e këtu Trump i mori milionat e votave që e risollën në pushtet, ndërkohë që Harris e të tjerët qaheshin vetëm për 6 janarin dhe Hitlerin! Çfarë miopie!

Në 5 nëntor u hodh poshtë me votë masive një politikë zyrtare e SHBA që në njërën anë mbronte me armë dhe para sovranitetin e Ukrainës, e në anën tjetër armatoste me një insistim të ethshëm Izraelin në masakrat e tij të përgjakshme kundër Palestinës e Libanit. Politika e jashtme e kastruar e Biden në luftën në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme bëri që të merrte hov edhe më fort pretendimi i Trump si prurësi i paqes në botë. Por edhe i luftës brenda në Amerikë, do të thonim ne të tjerët!

Në këto zgjedhje ra një vizion ideologjik i lehtë dhe fluturak sipas të cilit e mira do të fitojë në çdo rrethanë, sepse duhet të jetë kështu e jo ndryshe, pavarësisht nëse e ndihmojmë të fitojë ose jo. Ra një qëndrim i dyzuar e i pasigurt i mishëruar më së shumti tek pozicioni i Presidentit Biden, ndaj shumë krizave të mëdha e të vogla brenda dhe jashtë Amerikës. Kësisoj edhe kur ekonomia rritej, edhe kur benzina ulej, edhe kur vendet e punës shtoheshin me miliona, amerikani i thjeshtë nuk arrinte ta perceptonte këtë gjë sepse megafoni i madh i Trump fitonte rregullisht mbi pëshpëritjen prej murgu të plakut Biden. Amerika zgjodhi një dem të lëshuar nga zinxhirët përballë një politikani të plakur dhe një gruaje pa karizëm që kishte qëndruar katër vjet nën hijen e tij.

E majta amerikane, e pas saj mesa duket edhe ajo evropiane, duhet të rishkruajnë librin e rregullave përballë të djathtave ksenofobe e populiste që po ngrihen. Duhet të vendosin që të pranojnë më së fundi se bota që i rrethon nuk është më ajo e para. Ka ndryshuar që në 6 janar 2020 kur humbësi nuk pranoi humbjen dhe çoi jeniçerët në Uashington. Ka ndryshuar qëkur parti ekstremiste fshehin poshtë “sovranizmit” platformat e tyre përjashtuese e përçarëse. Ka ndryshuar qëkurse Amerika zgjodhi një të dënuar nga gjykatat për abuzim seksual e shkelje të ligjit zgjedhor, përballë një prokuroreje. Një të dënuari që përgatitet të falë veten me dekret presidencial sapo të hyjë në Zyrën Ovale!

E djathta amerikane që rrëzoi partinë e prindit 1 dhe prindit 2, një modë realisht e pështirë kjo, përbën një kërcënim konkret dhe të fortë për të gjitha liritë bazë të një demokracie, për lirinë e shprehjes, atë të abortit, për të drejtat e pakicave, popullsisë me ngjyrë dhe emigrantët. Nëse Biden hapi portat për miliona emigrantë të paligjshëm, e djathta fitimtare e Donald Trump po premton deportime milionëshe. Po kërkon pra të shërojë një sëmundje duke e vrarë fare pacientin. Dhe kjo formulë represive e organizimit të një shoqërie të madhe demokratike si ajo amerikane, po i ofrohet këto orë si shembull të gjitha të djathtave neofashiste të Evropës, për të rrëzuar sistemet politike të kontinentit të vjetër të cilat kanë prodhuar demokracitë liberale dhe të pasura që njohim sot.

Donald Trump bëri një epikrizë të krizës amerikane, që në shumë aspekte është reale dhe e drejtë. Por në anën tjetër receta që ai ofron për shërim është një elektroshok që merr përpara sëmundjet, viruset e bakteriet e shoqërisë amerikane, duke vrarë edhe vetë pacientin që i mbart ato. Edhe në kohë diktaturash nuk ka krim, rrugët mbahen pastër dhe qetësia publike është e siguruar. Po kjo nuk i bën diktaturat të mira. Trump ka premtuar të jetë diktator vetëm në ditën e parë të punës. Të shohim si do të gdhihet në të dytën. Ndërkohë Milorad Dodik në Bosnje ka dy ditë që feston me kapelen “Make America Great Again” në kokë!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iliri: 07/11/2024 16:57

    Edhe ajo cka Minxhozi shkruan eshte nje "analize",ndoshta e pjeseshme e rizgjedhjes se Trump'it si President.POR,duke ndjekur me vemendje cka po ndodh dje dhe sot ne Europe,qartesisht ndjehet qe kthimi i Donald Trump ne Shtepine e Bardhe mund te jete katastrofik per demokracine amerikane dhe shume me teper destruktive per Europen ! Nese Trump do besohet ose veproje per ato cka deklaruar,para dhe gjate fushates.(1) Do tentoje te ndaloje luften ne Ukraine,duke abandonuar Kievin,ndak agresionit Rus (2)Do tentoje te dobesoje garancine per sigurine e vendeve te NATO's,gje qe mund ta conte ne cperberjen e Aleances (3) Do tentoje te rrise tarifat mbi te gjitha eksportet Europiane per rreth 10% dhe duke vene taksa edhe me te renda per eksportet nga Kina,veprim i cili do te beje qe te kete nje "vershim" te eksporteve Kineze ne tregun e BE'se ! Ne fakt,analiste te njohur,e konsiderojne "Boten Tramp'iste" (Trumpworld),pa angazhime dhe rregulla nderkombetare,si nje "Gangsterizem" ne diplomaci ! (4) Ne kete lloj prishmerie,ne nisje ose gjate Presidences,gjykohet qe brenda administrates se tij,mund te dalin konservatore te "mencur",te cilet do tentojne t'ia ndalojne politikat shume ekstreme.Mos harrojme qe pothuaj te gjithe ato "Konservatore te vleresuar",qe sihin angazhuar ne administraten e kaluar Trumpit,tani refuzojne te punojne me ate.Do mbjatur ne mend edhe ajo cka ish Shefi i Shtabit John Kelly,ka deklaruar,qe,"Trump mundet fare mire te pershkruhet si fashist dhe qe synon te drejtoje ne kete Presidence te dyte,si nje diktator".(5) Kontrolli Republikan mbi Senatin dhe Dhomen e Perfaqesuesve si dhe mbi Gjykaten Supreme te SHBA'se,do ta vendosin demokracine dhe institucionet e Shtetit ne testin me te madh,qe nga Lufta Civile,160 vite me pare ! (6) Aktualisht edhe Europa eshte shume e pa qartye rreth se ardhmes se saj.Te dy vendet me te medha dhe me influence,Franca dhe Gjermania,ekonomikisht jane ne lufte per "mbijetese" dhe politikisht ndoshta ne "amulli" !? (7) Lufta ne Ukraine,ne pergjithesi opinioni publik Europian mbetet gjeresisht pro Ukraines,por lufta,sikurse ne themi "ju ka ardhur ne maje te hundes" ! (8) fitorja e Trump po krijon nje terren shume te favorshem dhe inkurajues per forcat e ekstremit te djathte ne Europe (9) Te gjitha keto mundet ta fusnin Europen ne nje "Recession",kur ende nuk e ka marre veten nga dy goditjet me te medha,Covid'i dhe Lufta ne Ukraine ! (10) Shikojme Gjermanine,ku tre nga kater "komponentet" e "Modelit" te saj,kane deshtuar ose ne rrisk te plote,si : nuk ka me Gaz te lire nga Rusia ; Trgu Kinez nuk blen me teknologji gjermane dhe mbi te gjitha garancia amerikane per sigurine e Europes mund te marre fund.Mund te shkruash edhe plot e plot argumente te tjera.Pra perspektiva eshte qartesisht e pasigurte,bile do thosha e "Erret". Ne tere kete kontekst,duken shume qesharake qendrimet e te gjithe kraheve te politikes shqiptare,qe sherbejne vetem per te "hutuar",apo "qetesuar",natyrisht pjesen e pa "Kutlivuar" te publikut tone,qe me keqardhje e them por i tille eshte ne shumicen e tij.Iliri

    Përgjigju
  • SHQIPTARI: 07/11/2024 13:29

    E SAKTË. Ç'KA SHKRUAN POR HARRON NJË GJË QË KAPITALIZMI ËSHTË NJË,ËSHTË NJË,KU NJËRZIT QË DREJTOJNË MBROJNË INTERESAT E TYRE EKONOMIKE,E JO INTERESAT E PROLETARIATIT,SE SKËNDER NUK KA KLASË PUNTORE POR PROLETARIAT.TI E DI MIRË NDRYSHIMIN MIDIS KLASËS PUNTORE E PROLETARIATIT.SI ÇËRFUNDIM SKËNDER POLITIKA ËSHTË SI PUNA E ATIJ TË NDARË NË DYSH.NE SKËNDER NUK NA INTERESON SHUMË KUSH FITON NE DUHET TË ZGJOHEMI PËR VEHTEN TONË DHE JO TË JEMI TË PËRÇARË,S.P.S.ATA KËTË DUAN.HË SKËNDER DHE NJË GJË SHKRUAJ PËR VOTIMET EDHE TË EMIGRANTËVE,QË PËR MUA JAN KOT SE MË MIRË SE E DINË ATA TË SHQIPËRISË NUK E DINË ATË RROGAVE 2000 E 5000 EROSH,QË SJELLIN LEK PËR PRINDËRIT E TYRE QË I POLLËN,E KANË DETYRIM NJERZOR,HUMAN,DHEEE TË MOS HAROSH QË VETMIN NUK JA HEQIN DOT PRINDËRVE TË TYRE.ORA NE KEMI NEVOJ PËR ATA,JO PËR LEKËT E TYRE PALE MË PËR VOTËN(MËNDIEN ).

    Përgjigju
  • E DREJTA: 07/11/2024 13:19

    Kjo do te thote qe ne Amerike ka me shume delinquente se sa njerez te hajrit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë