TIRANE, 21 Maj/ATSH/- Presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë Dr. Liri Berisha priti sot në një vizitë miqësore zj. Grace Nelson , bashkëshorten e senatorit të shtetit të Floridas në SHBA, Bill Nelson si dhe miqtë e saj. Të ftuar privatisht në Shqipëri , ata janë pritur më herët në një darkë nga presidenti I Republikës Bujar Nishani si pjesë e nje delegacioni më të gjërë me përfaqësues nga rajoni.
Qëllimi i vizitës së zj. Grace Nelson ishte njohja nga afër e Qendrave Rajonale Për Autizmin në Farkë dhe Mjull- Bathore , Sauk, projekte këto për të cilat znj. Nelson kishte degjuar më herët në takimet që ka zhvilluar në SHBA me znj. Berisha.
Njohjet e Senatorit Grace dhe zonjës së tij me ish kryeministrin Berisha dhe zonjën e tij Liri Berisha datojnë disa vite më parë , kur znj. Berisha, në emër të Fondacionit Kulturor "Nënë Tereza" çeli në Washington dhe NewYork ekspozitën për Nënë Terezën. Që prej asaj kohe senatori dhe bashkëshorja e tij janë njohur me përpjekjet e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë për ngritjen dhe konsolidimin e këtyre qëndrave.
Gjatë vizitës në Qendrën e Autizmit në Farkë, znj. Nelson pa nga afër ambjentet e terapisë, fizioterapisë, muziko-terapisë, ato të vlerësimit , hidroterapisë etj , duke u njohur në detaje me punën që terapistët bëjnë me fëmijët autik.
Dr.Liri Berisha u shpjegoi miqve të ardhur organizimin e punës, projektet e realizuara deri më tani si dhe ato që janë vënë si objektiv për një të ardhme të shpejtë dhe ato për një periudhë më afatgjatë.
Një moment I këndshëm për miqtë ardhur ishte asistimi për disa minuta në festimin e ditëlindjes së tre fëmijëve me autizëm të cilët ishin organzuar në një festë të përbashkët së bashku me prindërit dhe terapistët.
Vizita vijoi nga Farka në Sauk, në Qëndrën Rajonale për Autzimin nr.2, inaguruar në këtë 2 prill. Në këtë qëndër ato panë nga afër klasat e terapisë, kurset profesionale që zhvillohen aty si dhe momente terapie me fëmijët e integruar në këtë qëndër. Gjithashtu zonjat nga SHBA u takuan edhe me prindër që kishin fëmijët në proçes terapie.
Znj. Nelson dhe miqtë e saj mbetën të surprizuar nga puna e ngritur në këto qëndra në funksion të fëmijëve autik si dhe vlerësuan shumë standartin bashkëkohor që përdoret në këto qëndra si në metodat e përdorura ashtu edhe në organizimin e terapive me fëmijët.Ngritja e kauzës së autizmit në këto përmasa nga një fondacion i vetëm u vlerësua si një përpjekje madhore nga miqtë e ardhur.
Ato falenderuan znj, Berisha për pritjen e veçantë dhe e uruan për këto nisma të vështira dhe plot ambicje për fëmijët me autizëm duke e inkurajuar atë që të vashdojë më tej në misionin e saj./a.g/