Mira Meksi: Per letërsinë, metaforat e imagjinatës së Moikomit

Mira Meksi: Per letërsinë, metaforat e imagjinatës së Moikomit

I dashur  Moikom,

Kur lexoja librin tënd “Deti Kanibal” përnjëherë dhe pas tij “ Plagosja e Kujtesës” të shkrova,- që vargjet e tyre po i shijoja shumë,- nga pak çdo ditë, me gllënjka-vargje, njëlloj,- siç shijohet një verë e çmuar.

 Ashtu siç i lexoj përherë vargjet e tua, dehem lehtë me to,- ndonëse bëj kujdes të mos lexoj njëherit më tepër,- se 20 - 30 syresh ( marrëzi bën njeriu shumë i dehur) - dhe ngjitem në të tjera lartësi të Ekzitencës,- në të tjera dimensione sipërane,- që Kozmosi yt Poetik krijon.

 Por nuk po të shkruaj për to.

            Nuk po të shkruaj për romanin e Julia Kristevës “Meurtre à Byzance » ,-që më sygjerove pikerisht  ti dhe vetem ti- ta lexoj,- pasi të ishte kujtuar,- kur lexove novelën time « Pa zemër në kraharor » dhe më shkrove:

“ U zhyta në leximin marramendës ,i zotëruar nga idea  e  udhëtimit a e  fluturimit në një shumësi labirintesh.

Mira  e dashur, nuk është tregim,por shpalosje,- më shumë një bërthamë romani ,-një Fantazmagori Spanjolle dhe e Botës Prekolumbiane,- një prerje rrathësh e realiteteve dhe mitologjive.

Teksti yt letrar është gjithashtu një Ekzotikë dhe Shqetësim Universal! “

Dhe ditë më pas ,- kur po kuroheshe per Leucemine  në Greqi,- më dërgove tekstin:

 “MJEKË,MJEKË ... PA ZEMËR NË KRAHËROR!

Teksti yt!

Të jesh "një trëandafil pa kopësht".

Të pish mijra  dolli pilque-pijen e bardhë te actekëve!

Në vend të vrisnin Frida Kahlo-n vranë Trockin! Ah,kafka e madhe  prej sheqeri e Fuentes!!

Ah,guri mistik i  jadës!

Ah, QUETZALCOATL-I, Gjarpëri me  Pendë !

Të jesh rishtarja e Erosit te actekëve-duke mos qenë!

Teatër kukullash druri që bëhen fëmijë prej mishi dhe gjaku të Colodit të jashtëzakonshëm-sepse  Burotinoja është vëllai i vërtetë i Lizës në Botën e Cudirave.

 Gjatë qëndrimit në Greqi një ditë shkova në Eleusina,tek tempujt e riteve të Demetrës,të Persefonit, të Kores dhe të Teleforit, të Mistereve Eulisiane.

Aty ishte një shpellë,e mbiquajtur si e Plutonit,ku dikur kishte gjarpërinj të shenjtë si hyjni të nëntokës, ktonike-vëllezër virtualë te Gjarpërit me Pendë të actekëve.

Aty përjetova disa çaste plot dhimbje,mbase tëre amëshimin-sepse kjo shpellë konsiderohej si Porta e Hadit.”

Nuk po të shkruaj  për Borges-in, mjeshtrin tonë, plakun dinak, që te “Shifra” thotë se ai po i lexon fjalët e mia, po i shpik ato.

Apo  te rikujtoj dhe komentet tona për vërtetësinë e këtyre fjalëve, ngase jetojmë në një të vetme botë;- as për “ Pierre Menard-in” e tij dhe përgjigjen time letrare ndaj hamendësimit të Borges-it për një Pierre Menard të Dytë,- kur thura tregimin “ Pierre Menard-i i Dytë”- me mendje te ti Moikom .

Sepse je ndër të paktët,ose i vetmi, që mund ta shijoje tregimin tim, pasi, mbi të gjitha, njihje “ në majë të gishtave” atë,- që pat shkruar Borges-i, dhe se ai tregim- të pëlqente përmbi gjithë të tjerët- e shkruar prej tij.

Sepse do ta shijoje si askush- sidomos palimsestin e Cervantes-it që imagjinova, ti që e ke palimsestin Specialitetin tënd.

Moikom Zeqo dhe Mira Meksi

 Dhe më shkrove:

” E dashur MM.

 Mos më thuaj se gërma e dyfishtë MM nuk lidhet me Menard-in e Borges-it.

 Për të zhvarrosur dhe ringjallur ato Troja!

 Sapo e lexova tregimin tënd në “Milosao”.

 Habitërisht më tingëlloi si Pierre Menard-i i Tretë.

Po Pierre Menard-i i Katërt?

Po i njëmijti?

Po Pierre Menard-i Zero?”

Nuk po të shkruaj për kartolinën ,-që Xhevo Spahiu të solli  ty nga Parisi- dhe që mbante në frëngjisht dy vargjet e tua,- foton e së cilës ma dërgove: ishte një mol i bardhë  ne qytetin Sette ,- te lindjes se Paul Valeryse,- përmbi të Kaltrën e detit,- me një Far në horizont.

 Dhe vargjet e tua,- gdhendur me kripë të bardhë[- përmbi hapësirën e kaltër.

 Të shkrova: “vargjet e tua mbajnë në krahë pluhur dritëhëne.”

As për librin tënd “ Eshtra Zodiaku”,- nuk po të shkruaj, ku ndodhet një poezi që ma ke kushtuar mua,- vargjet e të cilit kanë absolutisht atributin- të të nxjerrin nga çdo lloj gjendje e keqe ,-ku mund të ndodhesh- dhe të bëjnë të ndihesh mirë,- në një botë me ngjyra, -përtej këtij realitetit të pashije të çdo dite...

Nuk po të shkruaj për Ernesto Sabaton,- shkrimtarin e madh të botës,- shkrimtarin tonë më të madh të të gjitha kohërave,- shkrimtarin që,- ashtu si ne ka stërgjysh- Skënderbeun.

 Më kujtohen shpesh bisedat e vyera simultaniste  me të- Sabaton ,- kur erdhi atë fundprill të viti i 1996 në Tiranë- për të marrë çmimin letrar- që i kishim përgatitur ne të gjithë,- me Fondacionin Velija në krye.

 I kemi përmendur shpesh ne të dy  fjalët e tij, amanetin e së ëmës  arbëreshe, dëshirën përvëlonjëse të Princit të Letrave Argjenitinase,- për të mos ikur nga kjo botë pa parë malet e Shqipërisë...

 Dhe përkrenarja e Skënderbeut në shkrimëtoren e Sabatos ne Santos Lugares, dhe Lulja  Supernatyraliste ,-që pikturoi përmbi një pecetë letre- dhe na i la si kujtim një muzg,- në Dhomën e Verërave të Restorantit  Piazza-s...

Nuk po të shkruaj as për Lukianin nga Samosata,- Rehtorin e shekullit të II, -i cili shfaqet në tregimin tim “Pasqyrat” për pasqyrën,- që mundi të këqyrte në Hënë.

Më shkrove se  Lukiani konsiderohej si “Volteri i Antikitetit”,- se e kishe përmendur shpesh në krijimet e tua dhe, pasi komentuam gjatë librin e tij,- që porsa kisha lexuar “ Histori të vërteta”, më dërgove tregimin tënd të gjatë dhe të mrekullueshëm mbi Aleksandrin e Rremë,- të frymëzuar  prej një subjekti të Lukianit nga Samosata.

 Ishte koha kur kisha lexuar dy tregimet e tua,- po aq të pazakonta e magjike : “ Enigma e Napolit” dhe “ Andrea Manesi”.

Nuk dua të ndalem as te labirintet,- të gjitha labirintet,- që kemi zënë ngoje gjatë komenteve tona pa fund.

 Veçanërisht labirinti i Drakulës në tregimin tim te “Flutura mes gjinjve”,- për të cilin më shkrove:

 “E dashur Mira,

Brenda Mirës është labirinti i dyfishtë, i paraardhësve dhe pasardhësve të tu- mijëra nga e Kaluara dhe miljona nga e Ardhmja.

Tregimi yt për labirintin më kujtoi metaforën e futjes në një Perpeetum Mobile te një Thriller-i.

Kam kaluar shumë netë në Budapest .

Dhe kam shkruar:

 “ …I mësova tërë Drakulat të jenë vegjetariane…”  

Së fundi, nuk po të shkruaj as për Teutën e Ilirisë,- bisedat tona ndër vite për të,- dhe as për Misterin, vagullinë, mjergullën e dendur që mbulon vdekjen e saj,- ku hodha spirancën e lëndës,- që ngjizi kozmosin  e nderlikuar, nebular, inkandeshent  e  “ Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë”; -pikërisht në një vargun tënd intim,- enigmatik,- që hamendsonte vetvrasjen e saj,- kthimin e Saj  në re…

 Shpirti hyjnor Teutës, -i çliruar nga Njerëzorja,- Prijësi Shpirt  i Ilirisë- dhe i  Kohërave të Pafundme.

Po të shkruaj në të vërtet për PSALMET.

 Jo ato të Davidit, Psalmet e Tua,- liturgjinë tënde poetike,këngët e Biblës së Shpirtit tënd.

Janë të magjishme.

 Janë të jashtëzakonshme.

 I lexoj dhe i rilexoj duke mbajtur frymën,- duke i dëgjuar herë në hebraishten parake të ëndrrës,- herë me muzikën e një instrumenti të lashtë me korda,- që Kohërat Moderne ia kanë fshirë emrin.

 Më mbrojnë, më lartësojnë, më rrëfejnë udhën  sipërane...

PSALMI YT  153.:

“ O, Fjalë e vërtitshme mes hapësirave,

 që je Trandafil i Erërave!

Pse mermeri i skalit heronjtë

 e vrarë mes baltës?

Ah, përfytyrimet janë kafshët,

 që poeti i pjell

 në kopështin zoologjik të metaforave!

Gjaku ikën si zvarranik i lashtë,

i kuq në shkretëtirën blu!

Dhe dëbora na mbështjell

si qëndisje baroke dantellash

bërë nga gishtat e magjishëm të ajrit!

O, gramatika memece e pasqyrave!

Pse fytyrën e Arkilokut e kam maskë

dhe kam gjithashtu mbi supe

 një pelerinë anemonash dhe kristalesh?

O, drita të pagjumësisë hyjnore!

Këta semaforë janë piktura dadaiste,

ose janë epikriza e sëmundjeve të mia

 për mjekët e kozmosit!

Dhe qivuri prej Hëne

 e ka mbyllur brenda qytetin.

Me lopata gjethesh

e hedh dheun e dritës

mbi varrin e imazhit tim!

Mes sendeve të pavdekshme

 pse isha (jam) kaq i vdekshëm?

 I dashur Moikom,

ky është një Sistem i Ri planetar i Shkrimësisë, me figura letrare të pangjashme me asnjë figurë letrare të njohur më parë.

 I quajnë si krahasime, metafora, metonimi..

. Por në të vërtetë janë diçka tjetër, Diçka e Tjetërllojtë, e fuqishme si gjaku, e prushtë si ndjenja.

Sistemi yt!

 Janë figura gjeniale,- pse janë të pamundura,- nuk ekzistojnë as në realitetin e Jashtëëndrrës,- as në Imagjinatën njerëzore,- por kur i dëgjon në gjuhën e shenjtë aramaike,- apo shqipe,- Imagjinata vetë,- prej Magjepsjes,- pjell një Imagjinatë të përshtashme- për t’i asimiluar dhe shijuar.

 Dhe atëherë ndjesitë njerëzore,- i kapërcejnë kufijtë që njohim,- dhe krijojnë ekstaza ndjesish,- të ngjashme me ato të perëndive... 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë