Qeveria ka rritur buxhetin e shtetit për këtë vit me 21.3 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e fondeve shkojnë për Ministrinë e Mbrojtjes me 10.3 miliardë lekë shtesë, për investimet që bën FSHZH dhe shëndetësinë. Që nga 1 korriku dyfishohet pagesa për fëmijët me aftësi të kufizuar, si dhe do të rriten pagat për rreth 400 mjekë dhe 1,200 teknikë të urgjencës.

 ***

Me rritjen prej 21.3 miliardë lekësh, buxheti i shtetit për 2026, për herë të parë kalon pragun e 9 miliardë eurove. Në total pritet që deri në fund të vitit të shpenzohen 906.8 miliardë lekë, ndërsa synimi për të ardhurat është rritur ne 843.1 miliardë lekë.

AKTI NORMATIV I BUXHETIT TË SHTETIT
                                 ISHIN                  BËHEN
Të ardhurat       823.057 mln lekë        843.1 mln lekë
Shpenzimet       886.764 mln lekë      906.807 mln lekë
Deficiti              63.707 mln lekë         63.707 mln lekë

 Përmes këtij akti normativ tha ministri i Financave Petrit Malaj realizohet dyfishimi i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, me një financim prej 750 milionë lekësh.

“Nga kjo masë do të përfitojnë 10.720 fëmijë dhe kjo masë do të hyjë në fuqi nga data 1 korrik 2026. Gjithashtu, kemi menduar edhe për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, të cilëve shteti do tu mbulojë pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, me një efekt financiar prej rreth 2 miliardë lekësh”, tha Malaj.

 Rritjen më të madhe në fonde e merr Ministria e Mbrojtjes, buxheti i së cilës arrin në 69,2 miliardë lekë si dhe i shtohen 300 punonjës.

“Do të alokohen 10.3 miliardë lekë shtesë, duke garantuar që financimi i mbrojtjes të shkojë në nivelin 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në përputhje me objektivat, por edhe me nevojat që ka ushtria shqiptare për modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve të saj”, tha ministri.

Në vend të dytë me shtesën më të madhe është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me 6.5 miliardë lekë për përshpejtimin e investimeve infrastrukturore prioritare me financim të brendshëm dhe për blerje autobusësh për bashkitë.

Me 4.5 miliardë lekë është shtuar buxheti për ministrinë e shëndetësisë, ku një pjesë e konsiderueshme shkon për barnat onkologjike dhe 700 milionë lekë për investime në pajisje spitalore e laboratorike.

“Do të alokojmë 1.5 miliardë lekë fonde shtesë për barnat e onkologjikut në shërbimet spitalore në vend”, tha Malaj.

Po tek shëndetësia rriten pagat për 400 mjekë dhe 1,200 teknikë të shkencave mjekësore në shërbimet e urgjencës spitalore dhe parësore me kosto totale korrik-dhjetor 150 milionë lekë. Ndërsa 228 milionë lekë shkojnë për të paguar orët shtesë të punës së 1250 punonjës zjarrfikës.

Me 2 miliardë lekë, rritet edhe garancia sovrane, që do të përdoret për kredi të buta me interes 2% për sektorin e bujqësisë dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Garancia sovrane me këtë shtesë arrin në 5 miliardë lekë, dhe pritet të nisë zbatimin nga 1 korriku i 2026-ës.

INSTITUCIONET QË MARRIN BUXHET SHTESË

Ministria e Mbrojtjes - shtesë 10.3 mld lekë
FSHZH – shtesë 6.5 mld lekë
MSHMS – shtesë 4.5 mld lekë
MEI/ISSH – shtesë 1.6 mld lekë
Ministria e Brendshme – shtesë 664 mln lekë
MF – shtesë 532 mln lekë
Ministria e Arsimit –shtesë 500 mln lekë
MTKS – shtesë 445 mln lekë
Institucione të tjera– shtesë 300 mln lekë
SPAK – shtesë 200 mln lekë
MBZHR – shtesë 164 mln lekë
KQZ – shtesë  99 mln lekë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:29
Mbledhja e Qeverisë, Rama: Rishikimi i buxhetit 2026 pasqyron rritjen e ekonomisë

1781726098_edirama.jpg

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit në qeveri të aktit normativ për rishikimin e buxhetit, duke e cilësuar atë si një pasqyrë të një ekonomie në rritje që krijon mundësi për më shumë mbështetje financiare për qytetarët.

"AKTI NORMATIV I QERSHORIT që sapo kaloi në qeveri është pasqyrë kuptimplotë e një vendi ku ekonomia rritet dhe mundëson një tjetër bonus për pensionistët;

një rritje kuptimplotë të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar, fëmijët me aftësi të veçanta, autizëm, etj., si edhe kujdestarët e tyre;

një sërë masash të tjera mbështetëse për teknologjinë, sipërmarrjen, shëndetësinë, bujqësinë, zhvillimin urban e rural, ku masa e re për financimin e mbrojtjes është më madhja ndonjëherë në historinë e Forcave të Armatosura

Në ditët në vijim do të shpjegojmë çdonjërën nga masat, por mbetet domethënëse kalimi tek bonusi i pensionistëve edhe i të gjithë të ardhurave shtesë nga rritja e çmimit të naftës",- shkruan Rama.

Ora 17:19
Mbledhja e Qeverisë, Demo: 35 milionë euro për infrastrukturën bazë të bashkive, 25 milionë euro për flotën logjistike dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës bujqësore

 

Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, bëri të ditur se qeveria shqiptare miratoi sot 60.milionë euro te dedikuara për forcimin e infrastrukturës dhe rritjen e kapaciteteve të pushtetit vendor.

Sipas tij, 35 milionë euro do të shkojnë për përmirësimin e infrastrukturës bazë, ndërsa 25 milionë euro janë planifikuar për flotën logjistike, e cila do të përdoret për mirëmbajtjen e infrastrukturës bujqësore dhe asaj publike.