Teksa harta territoriale në Shqipëri pritet të ndryshojë dhe komisioni i posaçëm i ngritur për këtë çështje ka nisur punën prej disa muajsh, Mirdita synon rikthimin në kufijtë e saj natyrorë, të cilët iu hoqën gjatë periudhës së komunizmit. Kjo kërkesë vjen nga intelektualë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët ishin pjesë e një takimi të organizuar nga kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, në kuadër të diskutimeve për reformën e re territoriale.

Të pranishmit e konsideruan një dështim ndarjen administrative të vitit 2015, pasi sipas tyre ajo ka sjellë mungesë shërbimesh dhe shpopullim masiv të zonës.

“Shpresojmë që ky konsensus ta mundësojë që Mirdita të kthehet në ato kufij që ka pasur historikisht, për fuqi të re. Thelbi i kësaj reforme duhet të ishin kompetencat e pushtetit vendor, këta njerëz pasuritë e tyre duhet t’i administrojnë vetë”, tha ish-ushtaraku Sandër Lleshaj.

“Ajo që mund të bëj është të mbështes çdo lloj iniciative që vjen nga ana juaj”, u shpreh ipeshkvi i dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, i cili u shpreh i gatshëm të jepte ndihmën e tij pasi është gjithnjë pranë familjeve e komunitetit.

Krahas bashkimit të kufijve natyrorë, kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, kërkon edhe rritjen e autonomisë financiare për pushtetin vendor.

“Ajo që i përmbledh është harta territoriale e Mirditës që në 1949 u nda gati përgjysmë. Nuk është vetëm harta, financat vendore, decentralizimi janë çështje që duhet të trajtohen nga ky komision që pushteti vendor të ketë autonomi financiare, decentralizim të domosdoshëm dhe të ketë pavarësi”, tha Mëlyshi.

Pas përfundimit të takimeve dhe marrjes së opinioneve nga grupet e interesit në Mirditë dhe komunitetet që kanë qenë pjesë e kësaj krahine, kërkesat do t’i adresohen Komisionit të Reformës Territoriale, me qëllim që të merren në konsideratë dhe te zbatohen tek ndarja e re territoriale.