Një minator mbeti i plagosur pas një aksidenti në punë në minierën e bakrit në Spaç të Mirditës. Ngjarja ndodhi gjatë natës në njërën prej galerive të kompanisë “Tete Albania”.

Paraprakisht, Edmond Gjikolaj, 48 vjeç, banues në Rrëshen, raportohet ishte duke punuar nëntokë bashkë me persona të tjerë në nxjerrjen e bakrit, kur një masiv shkëmbor është shkëputur dhe ka goditur minatorin.

Për pasojë 48-vjeçari ka pësuar dëmtime trupore dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, nga ku mësohet se ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen kanë nisur menjëherë hetimet. Policia, nën drejtimin e Prokurorisë dhe Inspektoriatit Shtetëror i Punës, po verifikojnë kushtet e sigurisë brenda galerisë ku ndodhi aksidenti.

Miniera e bakrit në Spaç të Mirditës, e cila i është dhënë me koncesion kompanisë turke “Tete Albania”, është denoncuar edhe më herët nga minatorët, të cilët protestuan për më shumë se dy muaj gjatë vitit të kaluar për kushtet e vështira në punë dhe pagat e ulëta.