Një film i dashur për të vegjlit, prodhim i vitit 1978 nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” do t’i shtohet listës së filmave shqiptarë të restauruar në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Bëhet fjalë për filmin e animuar “MiReLa”, një film me ngjyra, i gjatë 7 minuta e 30 sekonda me skenar nga Shpresa Vreto dhe regjisor e piktor Bujar Kapexhiun.

Me muzikë të kompozuar nga Ferdinand Deda, në realizimin e tij kanë kontribuar edhe operatori Tomi Vaso, montazhierja Elsa Bushati dhe aktori i zërit Vangjel Leka.

“MiReLa” ndërthur muzikën me një mesazh edukativ për fëmijët. Titulli i filmit i referohet tri notave muzikore, Mi, Re dhe La, të cilat marrin jetë për të qetësuar një vajzë të vogël që qan vazhdimisht. Por, kur ajo nuk i vlerëson, notat largohen drejt pyllit, ku u sjellin gëzim fëmijëve të tjerë. Përmes kësaj historie, filmi përcjell mesazhin e dashurisë, vlerësimit dhe rëndësisë së muzikës.

Restaurimi i filmit “MiReLa”, i mundësuar nga një donacion privat, është një tjetër hap në ruajtjen e trashëgimisë sonë kinematografike.

Prej rreth gjashtë muajsh, nisma “Adopto një Film për Restaurim” po u jep jetë të dytë filmave shqiptarë të rrezikuar nga degradimi, mes tyre “Mimoza Llastica”, “Guximtarët”, “Kau dhe ujku” dhe “Dimri i fundit”.