Vijon të jetë tragjik fati i shqiptarëve të cilët enden në rrugët e mërgimit. E tillë mesa duket është edhe historia e 21 vjeçarit shqiptar Shkëlzen Dauti, në Mbretërinë e Bashkuar.

Mediat britanike shkruajnë se policia ka identifikuar një person, i cili u gjet i plagosur me thikë në një rrugë në Southampton.

Autoritetet raportojnë se ai është Shkëlzen Dauti i njohur ndryshe si Genny, 21 vjeç nga Shqipëria. Ai u gjet i plagosur në mëngjesin e datës 11 shkurt por më pas humbi jetën në spital.

“Na telefonuan ne orën 1 e 38, shkuam ne vendngjarje, Genny ishte i shtrirë në tokë me një plagë në kraharor, e shkaktuar nga një thike. Por më vonë humbi jetën në spitalin e përgjithshëm në Southampton”, bën me dije policia e Hampshire.

Hetuesi Ellie Hurd i cili po investigon vrasjen e të riut u shpreh se ende janë duke rindërtuar rrethanat se çfarë i ndodhi Genny.  

“Ende nuk është e qartë sesi u plagos i riu” u shpreh ai.

Duam të dëgjojmë cilindo që mund të na ndihmojë për të zbuluar më shumë rreth jetës së Genny në Southampton. Vecanërisht duam të dimë se kush e ka parë Genny gjatë të premtes dhe në orët e para të mëngjesit.  Sipas familjes ai kishte shumë pseudonime.  Nëse keni punuar me Genny, apo e njihni atë ju lutem na kontaktoni në numrin 101” shton dedektivi i cili ka falenderuar edhe komunitetin për ndihmën.

Policia vijon hetimet dhe kontrollet në zonën ku u gjet shqiptari, ndërsa deri më tani çdo gjë mbetet mister.

Për më tepër policia ka publikuar edhe një website ku çdokush që ka dijeni apo e njeh të riun mund të japë informacione http://www.hampshire.police.uk/internet/do-it-online/online-forms/message-for-officer.html.

Po ashtu në mënyrë anonime informacioni mund të jepet edhe në nr 0800 555 111, raportojnë mediat britanike.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com