Autoritetet e aviacionit në Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar të gjitha fluturimet në aeroportin e El Paso International Airport, në shtetin e Texasit.

Vendimi është marrë nga Administrata Federale e Aviacionit  (FAA) dhe ka hyrë në fuqi në orën 23:30 të 10 shkurtit. Masa do të zgjasë deri më 20 shkurt.

Sipas njoftimit zyrtar për operatorët ajrorë, asnjë avion, qoftë komercial apo privat, madje as helikopterët e emergjencës mjekësore, nuk lejohet të fluturojë në hapësirën ajrore mbi El Paso dhe zonën përreth.

Në dokumentin zyrtar të aviacionit, të njohur si Notam, thuhet se ndalimi është vendosur për “arsye të veçanta sigurie”. Nuk jepen detaje të tjera por në të njëjtin njoftim paralajmërohet se çdo avion që shkel ndalimin mund të rrëzohet, nëse konsiderohet kërcënim nga autoritetet amerikane.

Vendimi ka ardhur papritur. Sipas komunikimeve audio mes kullës së kontrollit dhe pilotëve, stafi ishte njoftuar vetëm 30 minuta para hyrjes në fuqi të masës. Disa avionë janë devijuar drejt aeroporteve të tjera, ndërsa pasagjerët janë njoftuar për anulime dhe shtyrje.

El Paso ndodhet në kufi me Meksikën, përballë qytetit Juarez. Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë sqarime për arsyen konkrete të bllokimit. Sipas ekspertëve të cituar në mediat amerikane, një mbyllje e tillë e plotë e hapësirës ajrore nuk mbahet mend që nga sulmet e 11 shtatorit 2001.

Në vitin 2025, aeroporti i El Paso kishte regjistruar rreth 4 milionë pasagjerë. Vetëm për periudhën 11–20 shkurt ishin planifikuar rreth 960 fluturime.