Kategoria e Parë e futbollit në Shqipëri zhvilloi këtë të diel duelin mes Flamurtarit dhe Burrelit, i vlefshëm për raundin e dhjetë. Në stadiumin "Flamurtari" në Vlorë, vendasit fituan 1-0. Një gol i Iacovellit në minutën e 31 të ndeshjes bëri që vlonjatët të dilnin me pikë të plota nga ndeshja e rëndësishme.
Tanimë djemtë e trajnerit Marcelo Troisi e shohin veten në krye të klasifikimit në Kategorinë e Parë. Me 21 pikë, njëjtë sa Dinamo por me golavarazh më të mirë, kuqezinjtë e Vlorës hedhin kandidaturën për t'u ngjitur në elitën e Shqipërisë. Me gjashtë fitore, tre barazime dhe vetëm një humbje, Flamurtari është skuadra që ka pësuar më pak këtë sezon në të Parën, vetëm pesë gola. Kujtojmë se për të mbyllur javën e 10 në këtë kategori, nesër luajnë në 13:00 Korabi - Skënderbeu dhe Luzi - Besëlidhja.
Renditja: