Mjeku Jul Bushati në 'Këndi i Ekspertit': Sëmundja e bronkitit, kush preket dhe si trajtohet

Mjeku Jul Bushati në 'Këndi i Ekspertit': Sëmundja e bronkitit, kush preket dhe si trajtohet

Mjeku Jul Bushati

Në rubrikën “Mjeku im” të emisionit tashmë të mirënjohur të Report Tv “Këndi i Ekspertit”, i drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ka qenë i ftuar të premten Jul Bushati, mjek për sëmundjet e mushkërive, pranë spitalit “Kontinental”.

Në këtë emision doktor Bushati ka sqaruar qytetarët se sa ndikojnë virozat në sëmundjet e mushkërive në këtë periudhë të ftohtë të vitit. Po kështu ai ka sqaruar çfarë janë njollat e zeza në mushkëri, si dhe ka sqaruar me detaje se çfarë është sëmundja e bronkitit, moshat që preken dhe trajtimi i kësaj sëmundje të mushkërive. Gjithashtu mjeku Jul Bushati u është përgjigjur edhe disa pyetje live të qytetarëve në Report TV.

Çfarë janë njollat e zeza në mushkëri?

Kemi hyrë në muajin më të ftohtë dhe virozat prekin më shumë sëmundjet e mushkërive.

Periudha e dimrit favorizon disa nga sëmundjet e mushkërive, sidomos ato që janë të lidhura me shkaktarin virus, me një fjalë virozat, gripi influencon shumë dhe riaktivizim të disa sëmundjeve kronike të mushkërive.

Nëse dikush ka vuajtur në fëmijëri nga sëmundjet e mushkërive, a do të vazhdojë të vuajë nga këto sëmundje edhe kur rritet?

Sëmundjet e mushkërive kanë prejardhje të ndryshme. Ne urojmë dhe punojmë që fëmija të rritet sa më i shëndetshëm sepse një fëmijë që rritet i shëndetshëm, ka gjithnjë më pak probabilitet që të sëmuret, qoftë nga sëmundjet e mushkërive, qoftë edhe nga sëmundje të tjera. Por ka edhe disa sëmundje që kanë origjinë të trashëguar, siç është p.sh. fibroza cistike. Kjo sëmundje nëse është në fëmijëri do të vazhdojë edhe në moshë të rritur. Ka edhe infeksione akute, virale ose bakteriale që kalojnë fëmijët. Këto infeksione në qoftë se nuk shërohen në mënyrë të mirë, mund të lënë ndonjë pasojë. Por sidoqoftë, kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë që ata që sëmuren në fëmijëri do të vazhdojnë të jenë të sëmurë gjatë gjithë jetës së tyre.

Çfarë janë njollat e zeza në mushkëri?

Kemi mushkëri emfizomatoze, d.m.th. që kemi një plakje të mushkërisë. Kjo është karakteristike për sëmundjen që lidhet shumë me duhanin, për bronkopneupatinë kronike. Zakonisht është një sëmundje që prek moshat e avancuara. Përgjithësisht është më evidente në moshën e tretë, d.m.th. që ka një lidhje me plakjen e njeriut. Por kjo sëmundje mund të fillojë edhe në moshën e mesme, sidomos tek ata persona që pinë duhan, ose që kanë mungesë të një enzime e cila mbron indin pulmonar nga veprimi i oksidantëve.

Thuhet që pirja e duhanit i shfaq simptomat e sëmundjeve në mushkëri pas moshës 40 vjeç. Është e vërtetë kjo?

Kjo është e vërtetë, për arsyen se duhani vepron në mënyrë akumulative në mushkëri. Një cigare ka rreth 4 miligramë pluhur, i cili thithet nga mushkëria. Në qoftë se do të pihet duhan për 20 vite, atëherë nga mushkëritë do të hyjnë e do të dalin rreth 5-6 kg pluhur. Rreth 15% e njerëzve janë më të predispozuar, janë më të ndjeshëm kundrejt pirjes së duhanit. Te këta persona zhvillohet bronkopneumopatia kronike.

Çfarë është sëmundja e bronkitit?

Që të sqaroj se çfarë është bronkiti, duhet të bëj një hyrje të shkurtër. Mushkëria përbëhet nga indi i mushkërisë dhe nga bronket e vijat përcjellëse të ajrit, trakea, bronkiolet më të vogla. Këto janë tubat ose rrugët përcjellëse të ajrit në mushkëri. Prekja e këtyre rrugëve përcjellëse është bronkiti, d.m.th. inflamacioni i tyre ose mahisja e tyre, që mund të shkaktohet nga shkaqe infektive, nga shkaqe irritative.

Cilat mosha preken më shumë nga bronkiti?

Nga bronkiti preken të gjitha moshat, por më shumë apo më shpesh preken moshat e fëmijërisë dhe moshat e avancuara. Gjithashtu preken edhe ata persona që kanë një imunitet të ulët.

Cilat janë ekzaminimet që duhen bërë për të kuptuar nëse një person vuan nga bronkiti?

Hapi i parë është vizita mjekësore. Nga komunikimi mjek-pacient zbulohen shenjat që janë karakteristike për këtë sëmundje, siç janë p.sh. kolla e thatë në fillim, e cila më pas bëhet me mukus dhe në stade më të avancuara kolla mund të bëhet edhe purolente, me sekrecione. Zakonisht, bronkiti akut fillon edhe me një gjendje të përgjithshme infeksioni. Shpesh, në periudhën e dimrit është nga viruset, fillon me pak temperaturë, e cila nuk është e lartë, rreth 38o, fillon me dhimbje koke, me dhimbje muskujsh, me dhimbje fyti, me sekrecione nga hundët. Dhe zakonisht ka një prekje të mukozave, të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe të bronkeve. Shpesh është trakeobronkit, pra që prek trakenë, rinitet (hundët) dhe bronket.

Si trajtohet bronkiti akut?

Bronkiti i thjeshtë akut, i cili shkaktohet nga virozat, te një person që është i shëndetshëm, d.m.th. deri në 40 vjeç p.sh., zakonisht vetëshërohet. Kështu që mund të mos ketë nevojë për trajtim specifik, pra për trajtim me antibiotikë. Por trajtohet me substanca, të cilat lehtësojnë simptomat, siç janë p.sh. substanca që lehtësojnë kollën, me substanca që lehtësojnë shkrirjen e sekrecioneve dhe nxjerrjen e tyre nga organizmi, si edhe me substanca, të cilat ulin temperaturën dhe që rregullojnë gjendjen e përgjithshme të organizmit. Gjithashtu, ndihmon regjimi i shtratit dhe pirja e lëngjeve me shumicë.

Flas nga Shkodra. Kam dy muaj që vuaj me rrjedhje sekrecionesh nga hundët, bllokim hundësh dhe kollë. Më ka ndodhur edhe në vitet e kaluara.

Sekrecionet e hundës dhe kolla tregojnë që zonja ka një mahisje të mukozave të hundës dhe të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes. Kjo gjendje mund të krijohet nga shkaqe të ndryshme. Mund të shkaktohet nga një infeksion viral, por zakonisht ky infeksion viral nuk zgjat kaq shumë në kohë, sepse zonja tha që ka dy muaj që vuan nga këto simptoma. Por duke dëmtuar mukozën e hundës dhe të bronkeve, mund të mbivendoset edhe një infeksion bakterial. Shkaktar tjetër i këtyre simptomave mund të jetë edhe veprimi i alergjentëve, në qoftë se zonja mund të vuajë edhe nga alergjia, sepse ajo tha që kjo gjendje i është përsëritur edhe gjatë viteve të kaluara. Pra, kemi faktorë të ndryshëm që veprojnë në këtë periudhë të vitit dhe shkaktojnë mahisjen e rrugëve të frymëmarrjes. Patjetër që duhet kontaktuar me mjekun. Por edhe një mjekim i thjeshtë mund të bëhet edhe nga vetë zonja, p.sh. në 1 litër ujë përziejmë mirë një lugë gjelle me kripë dhe disa herë në ditë duhet të bëjë lavazh të hundës. Ky veprim pastron hundët dhe i nxjerr sekrecionet jashtë, duke mos lejuar që këto sekrecione të kalojnë në rrugët e poshtme të frymëmarrjes dhe të mbajnë gjallë infeksionin e këtyre rrugëve. Pas lavazhit me ujë dhe me kripë mund të përdorë edhe një tjetër mjekim. Duhet të përdorë një spraj me disa preparate që përmbajnë brenda kortizon ose edhe ndonjë antibiotik. Të tillë janë p.sh. neoprifeni ose avanys etj. Edhe këto preparate ndihmojnë që të zhduket inflamacioni. Por, dy muaj është një kohë pak e gjatë dhe kjo kohëzgjatje nuk ëshrë normale. Zakonisht infeksionet akute virale zgjasin 5-7 ditë ose e shumta deri në 2 javë. Në qoftë se simptomat dhe kolla vazhdojnë deri në 3 javë ose edhe më shumë, atëherë është e nevojshme që të bëhet një konsultim me mjekun. Mund të bëhen analizat e gjakut, por mund të bëhet edhe një ekzaminim radiologjik. Meqenëse zonja e ka të përsëritur këtë gjendje, atëherë ajo duhet të bëjë edhe një grafi të sinuseve sepse në këtë rast ekziston edhe mundësia e një inflamacioni të sinuseve.

Flas nga Vlora. Para dy viteve kam kaluar një të ftohtë në periudhën e dimrit dhe që atëherë më ka mbetur një kollë e thatë. Çfarë duhet të bëj për ta eliminuar këtë kollë?

Si rregull, ftohja është një term shumë i përgjithshëm, ku përfshihen qoftë inflamacionet e rrugëve bronkiale ose bronkiti, qoftë pneumonia. Ndonjëherë mund të ketë edhe zgjerime të bronkeve, të cilat krijojnë mundësitë për inflamacione kronike, sidomos në periudhën e dimrit, gjatë së cilës ekziston mundësia e mbivendosjes së infeksioneve bakteriale, të cilat ngacmohen nga infeksionet virale. Në radhë të parë, duhet që të përcaktohet diagnoza e saktë, sepse normalisht nuk duhet të kishte mbetur asnjë shenjë që nga ftohja e para dy viteve. Në qoftë se kanë mbetur disa mbeturina, si p.sh. zgjerim bronkesh, i cili e favorizon këtë infeksion, atëherë kjo mund të shihet qartë me anën e një radiografie, por më mirë dhe më saktë shihet me skaner. Meqë kjo ndodh në periudhën e dimrit, mund të bëhet edhe një mjekim profilaktik, siç është p.sh. vaksinimi kundër gripit, i cili bën mbrojtjen e organizmit nga virozat e stinës. Ekziston edhe një injeksion, i cili quhet pneumovaks, që rrit imunitetin e organizmit kundrejt pneumokokëve, të cilët janë shkaktarët më të shpeshtë. Në qoftë se pastaj ka infeksione, të cilat janë purolente, d.m.th. sekrecione me qelb, atëherë mund të bëhet një vaksinë, e cila quhet bronkovakson me tableta, dhe që rrit rezistencën e organizmit kundrejt 13 lloje mikrobesh. Por imuniteti i saj zgjat vetëm 3 muaj pas marrjes së saj.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ministrat e kryeministrit kanadez Trudeau në Florida për bisedime me ekipin e Trump

Ministrat e kryeministrit kanadez Trudeau në Florida për bisedime me ekipin e Trump