TIRANE-Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero në një prononcim në emisionin Repolitix në Report Tv u shpreh se nëse sot kemi 33 raste të prekur, "ajo që fshihet duhet të jetë 10 herë më e madhe". Mjeku theksoi se kjo situatë do të vijojë në rastin më të mirë deri në gjysmën e parë të majit, kur mund të fillojë të bjerë numri i rasteve. Gjithashtu, mjeku tha se pavarësisht se të fëmijët, gratë dhe të rinjtë sëmundja kalon pa shenja klinike, janë më shumë te moshat e vjetra dhe të sëmurët klinikë.
Intervista në emisionin Repolitix në Report Tv
Doktor si është gjendja e të infektuarve?
33 raste nuk janë pak, por është vetëm fillimi i pandemisë, jemi në ditët e para pas konfirmimit të rasteve të para, është vetëm fillimi.
Janë më shumë burra apo gra, kë prek më shumë?
Unë nuk kam të dhëna të sakta përpara për të thënë janë burra apo gra, këtu virusi ka respektuar të njëjtën, më shumë se 70% të rasteve janë meshkuj.
Këtu përfshihet edhe gruaja që ka humbur jetën?
Natyrisht është e përfshirë
Sa janë në shtëpi?
Tetë persona janë të shtruar në spital, tre janë me formë të lehtë të sëmundjes, pesë të tjerë me një gjendje të mesme, por asnjëri nuk është i intubuar, një pjesë ndihmon me oksigjen, janë koshientë, pra janë stabël dhë nën trajtim dhe kujdes maksimal mjekësor.
Po përsa i përket 24 personave të tjerë të vetëizoluar, si bëhet kontrolli i tyre?
Ata ndiqen nga shërbimet e tjera mjekësore, nuk ndiqen nga ne, nuk mund të jap asnjë të dhënë për situatën e tyre.
Ju thatë se është fillimi, si parashikohet sa mund të shkojë, kur mund të arrijë pikun?
Nëse i referohemi një studimi që ime bijë ma dërgoi nga Italia dje dhe që po merret në konsideratë, ne ende shohim vetëm majën e ajsbergut. Studimi që kam në duar dhe kolegët dëshmon që praktikisht, ne njohim vetëm rastet që kanë pasur shenja.
Në rast se Kina në 21 Janar kishte 100 raste të verifikuara në realitet ka pasur 1500. Në këtë aspekt parashikimet për këtë epidemi nuk janë optimiste prandaj është shumë e rëndësishme që ta kufizojmë dhe ta zgjasim në kohë, të ulim numrat e rasteve të reja për njësi kohe dhe e vetmja mënyrë është që të shmangim kontaktet, nuk ka masë tjetër më efektive.
Nëse kemi 33 raste deri tani së paku, por ajo që fshihet duhet të jetë 10 herë më e madhe, këtë e them për të shtuar kujdesin në radhë të parë nga pensionistët, duhet të dalin sa më pak nga shtëpia, po ashtu edhe të rinjtë, që mund ta transmetojnë tek të tjerët.
Askush nuk ka imunitet, pavarësisht se të fëmijët, gratë dhe të rinjtë sëmundja kalon pa shenja klinike, komplikacione, që janë më shumë te moshat e vjetra dhe të sëmurët klinikë. Me rritjen e temperaturave duhet të ulet transmetimi, presim që të bjerë edhe numri i rasteve, por disa studime të fundit dëshmojnë që këtë radhë virusi nuk i është bindur, prandaj duhet të përgatitemi për një periudhë relativisht të gjatë për t'u përballuar.
Përtej muajit prill?
Unë besoj se do të jetë përtej prillit, në rastin më të mirë gjysma e parë e majit do të fillojë të bjerë numri i rasteve. Nëse qytetarët do i binden këtij urdhri dhe do të rrinë më shumë në shtëpi, ndoshta nuk do të shkojmë te skenari kinez apo italian, që qytetarëve nuk u lejohet të dalin nga shtëpia. Me kusht që qytetarët të dëgjojnë urdhrin e kryeministrit dhe këshillat tona. Nuk kemi asnjë mënyrë tjetër për ta kufizuar vetëm duke dëgjuar këshillat, të harrojmë lokalet e natës, parqet. Pensionistët nuk duhet të dalin. Ndaj besoj që masa e marrë nga qeveria është drastike por jo ekstreme.
rrofsh pipero per kurajon,je fix
Përgjigju