UASHINGTON – Nënpresidentja Kamala Harris gëzon “shëndet të shkëlqyer” dhe “formën e duhur fizike dhe mendore” për të qenë presidente e vendit, thuhet në një letër të mjekut të saj, të publikuar të shtunën, ku bëhet një përmbledhje e historikut dhe gjendjes së saj mjekësore.
Dr. Joshua Simmons, mjeku i nënpresidentes dhe njëkohësisht kolonel në ushtrinë amerikane, shkruan se zonja Harris, në moshën 59-vjeçare, ruan një stil aktiv të jetesës dhe se nga kontrolli i saj i rregullt mjekësor i bërë në muajin prill, nuk rezultoi ndonjë gjë e pazakontë.
Ajo ka “formën e duhur fizike dhe mendore për të përmbushur me sukses detyrat e presidencës, përfshirë ato të drejtueses ekzekutive, kreut të shtetit dhe komandantes së përgjithshme”, thuhet në letrën prej dy faqesh.
Ekipi elektoral i zonjës Harris shpreson ta shfrytëzojë këtë moment për të nxjerrë në pah kontrastin me kandidatin republikan Donald Trump, i cili ka publikuar ndër vite vetëm të dhëna të kufizuara për shëndetin e tij. Sipas një punonjësi të ekipit të saj elektoral, shpresohet në këtë mënyrë të ngrihen pikëpyetje nëse zoti Trump është i përshtatshëm për detyrën e presidentit.
Ish-Presidenti Trump ka publikuar shumë pak të dhëna shëndetësore, edhe pasi u plagos në vesh nga një plumb gjatë një atentati në korrik.
Dr. Simmons, që ka qenë mjeku i kujdesit parësor për zonjën Harris gjatë 3 viteve e gjysëm të fundit, thotë se nënpresidentja ka një historik alergjish dhe ka ndjekur një imunoterapi me alergenë për tre vitet e fundit.
Dr. Simmons tha se nga analizat e fundit të gjakut të zonjës Harris dhe rezultatet e testeve të tjera nuk rezultoi diçka e pazakontë.
Raporti thotë gjithashtu se zonja Harris mban lente kontakti për një miopi të lehtë. Në historikun mjekësor të familjes së saj ekziston rasti i kancerit të zorrës së trashë (nga nëna e saj). Zonja Harris ndjek me përpikmëri rekomandimet për kujdesin parandalues shëndetësor, përfshirë bërjen e kolonoskopisë dhe mamografisë çdo vit.
Ndërsa zyra e Nënpresidentes Harris publikoi raportin mjekësor, ekipi i saj elektoral theksoi njoftimet e fundit të mediave që ngrenë pikëpyetje në lidhje me shëndetin dhe mprehtësinë mendore të ish-Presidentit Trump dhe se ai nuk ka dhënë informacion në lidhje me gjendjen shëndetësore dhe historikun mjekësor.
Ish-Presidenti Trump, në moshën 78 vjeçare, vuri në dyshim shëndetin e Presidentit Joe Biden kur presidenti 81-vjeçar kandidonte për t’u rizgjedhur. Që kur ai u zëvendësua në kandidim nga zonja Harris, ka tërhequr më shumë vëmendje shëndeti i ish-Presidentit Trump.
Në ditëlindjen e Presidentit Biden nëntorin e kaluar, ish-Presidenti Trump publikoi një letër nga mjeku i tij që raportonte se ish-presidenti ishte në shëndet "të shkëlqyer" fizik dhe mendor.
Letra, e postuar në platformën e mediave sociale të ish-Presidentit Trump, nuk përmbante detaje për të mbështetur pretendimet e tij – matje të tilla si pesha, tensionin e gjakut dhe nivelet e kolesterolit, apo rezultatet e ndonjë testi./ VOA