MOBILIZIMI/ Spiropali: PD të vijë në tryezën e rindërtimit! Basha takim me banorët në Manëz: Po diskriminohen...

Kur kanë kaluar dy javë nga tërmeti i 26-nëntorit, vijon mobilizimi për të kaluar këtë situatë të vështirë. Tërmeti i 26-nëntorit la pas 51 viktima dhe shkatërroi mijëra banesa e biznese.

Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ditën e sotme ka vizituar banorët e dëmtuar nga tërmeti në Manëz. Sipas Bashës këta banorë jetojnë në çadra dhe në kushte të mjerueshme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:57
'Të ndalim futjen e Durrësit në ‘dimër ekonomik', Basha rikujton 5 propozimet për zonat e prekura nga tërmeti

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha me anë të një reagimi në rrjetet sociale ka rikujtuar  edhe njëherë 5 propozimet e Partisë Demokratike për  mazhorancën në mënyrë që të kihen parasyshë për zonat e prekura nga tërmeti. Basha ndër të tjera shkruan se tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike në Durrës, ndërsa i bëri thirrje qeverisë që të ndal ‘dimrin ekonomik’ në këtë qark.

"Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e Durrësit dhe zonave të tjera. Mijëra vende pune, biznesi i vogël dhe ekonomia prodhuese janë nën presion. Njësitë e hoteleri-turizmit përballen me rënie konsumi dhe i tremben reduktimit apo anulimit të prenotimeve. Për të ndalur futjen e Durrësit në një “dimër ekonomik” me pasoja të rënda sociale që do të vinin nga reduktimi i numrit të të punësuarve, ulja e pagave të punonjësve dhe mbyllja e bizneseve, për të mundësuar një rigjenerim të ekonomisë prodhuese, shërbimeve dhe biznesit të vogël në zonat e dëmtuara, propozojmë këtë paketë të thjeshtë dhe realiste." shkruan Basha.

Ora 14:43
Rama dhe Veliaj i dorëzojnë çelësat e banesës së re familjes Toshi të prekur nga tërmeti i 21 shtatorit (VIDEO)

Një tjetër shtëpi e dëmtuar nga tërmeti i 21 shtatorit është rindërtuar tërësisht duke shënuar një premtim të mbajtur se familjet e prekura Vitin e Ri do e festonin në banesën e tyre të re.  Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Erion Veliaj i dorëzuan ditën e sotme çelësat e shtëpisë tërësisht të re kryefamiljarit, Osman Toshi, i cili bashkë me familjen e tij në fillim të viteve ’90 u zhvendos nga Kukësi për në Tiranë për një jetë më të mirë.

Tashmë familja pesë anëtarëshe ka lanë pas vuajtjet në banesën e vjetër 100-vjeçare duke u sistemuar në banesën e re me katër dhoma. Por krahas rindërtimit të banesës, Bashkia e Tiranës mori përsipër edhe mobilimin e plotë të saj duke filluar që nga mobiljet, pajisjet elektroshtëpiake etj. Kryeministri Rama vlerësoi ndërtimin e kësaj shtëpie dhe siguroi se të njëjtin fat do të kenë edhe familjet e tjera të dëmtuara.

Menjëherë pas tërmetit, Bashkia e Tiranës  paralelisht me dhënien e dëmshpërblimeve për familjet që kishin dëmtime të pjesshme, nisi dhe rindërtimin e banesave të shkatërruara tërësisht, kryesisht në zonat rurale ku edhe cilësia e këtyre ndërtesave linte shumë për të dëshiruar.   

Ishin me dhjetëra kompani të cilat iu përgjigjën thirrjes së kryebashkiakut Veliaj për të adoptuar një banesë, duke shënuar një nga operacionet më të suksesshme të rindërtimit të banesave para Vitit të Ri.

Ora 14:03
'Opozita duhet të ulet në tryezën e rindërtimit, nuk synojmë përfitim politik...', Spiropali për Report Tv: Prokuroria të hetojë ndërtuesit përgjegjës (VIDEO)

Në studion e lajmeve të Report Tv, ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, ka deklaruar se opozita shqiptare të ulet në tavolinë me mazhorancën dhe të japë opsionet e saj për sa i përket rindërtimit pas tërmetit të rënë më  26-nëntor.

Sipas Spiropalit tashmë është koha që të bashkohen për këtë fatkeqësi që i ra Shqipërisë, pasi edhe shqiptarët u bashkuan duke u solidarizuar me të prekurit nga tërmeti. Ndër të tjera zëdhënësja e qeverisë ka thënë se mazhoranca nuk ka si synim që të përfitojë politikisht, por duhet që opsionet që opozita mund të ketë, të parashtrohen në tryezë dhe të punohet për një zgjidhje të përbashkët.

" I kemi bërë thirrje edhe opozitës. Nuk duam të përfitojmë politikisht. Përkundrazi opozita përfiton që të japi opsionet e saj në tryezë. Kjo të jetë një përpjekje e përbashkët. Siç u bënë bashkë shqiptarët në këtë rast fatkeqësie, siç ishin kosovarët që erdhën të parët aty. Nuk kemi pse të mos e gjejmë fjalën me opozitën. Kjo është koha për tu bashkuar. Edhe shqiptarët besoj që presin për këtë. " tha Spiropali.

Ndërkohë Spiropali ka folur edhe për hetimet e hapura për ndërtuesit dhe cilësinë e ndërtimeve në zonat më të prekura nga tëremti, duke thënë se Prokuroria duhet të bëjë punën e saj dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi.

"Jo të gjitha ndërtimet sjellin rrezikshmëri. Jo vetëm fotografimi e hetimi. Prokuroria duhet të bëjë punën në mënyrë që të gjithë ata që kanë gisht ta mbajnë përgjegjësinë e tyre. Kur bëhet fjalë për rrezik jete nuk mund të luajmë me këtë. Por nuk mund ta përgjithësojmë. Falenderojmë edhe inxhinierët që kanë dalë në terren edhe për ata vullnetarisht." tha ndër të tjera Spiropali.

Ndër të tjera Spiropali ka theksuar se puna në terren për normalizimin e situatës pas tërmetit po vijon. Ajo ka falenderuar të gjithë inxhinierët e huaj për këtë ndihmë të madhe që po i japin Shqipërisë. Sipas Spiropalit rreth 4200 qytetarë në Durrës dhe në Lezhë janë sistemuar nëpër hotele, ndërsa të gjitha strukturat janë në gatishmëri të tyre.

"4200 qytetarët të Qarkut Durrës e Lezhë që janë sistemuar. Ka edhe të tjerë, por janë në lista pritëse. Jo vetëm Bubqi, Manza, Shijaku e kështu me radhë. Janë mjekët dhe infermierët në dispozicion të plotë. Falenderojmë ekspertët e huaj që janë ditë natë, Izraelitë, rumunë, italianë, spanjollë etj..." tha Spiropali.

"Janë bërë 4300 kontrolle. Janë vaksinuar se është edhe një situatë e tillë. Po lëvizim shumë shpejtë nga faza e emergjencës tek rindërtimi. " shtoi më pas Spiropali.

"Është bërë vlerësimi në tre zona në Tiranë, Kombinat, 5 Maji, dhe ish uzina e Autotraktorëve. E rëndësishme është të ngrihen banesa të sigurta dhe me infrastrukturë. T'i shtojnë qytetit një zgjatje. Të jenë model edhe për lagjet e tjera. Duam edhe të analizojmë mënyrën e ndërtimit edhe për ata që kanë patur shkelje" tha ndër të tjera Spiropali.

Ora 14:00
Të prekurit nga tërmeti/ 5 mijë vizita në hotele e pikat e emergjencës, 1338 të vaksinuar kundër gripit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga Qendra Sociale “Gonxhe Bojaxhi”, është shprehur se shërbimi  shëndetësor për qytetarët e prekur nga tërmeti në strukturat akomoduese ku janë strehuar përkohësisht, do të vijojë të ofrohet pa ndërprerje. 

“Është bërë plani shumë i detajuar me mjekët e familjes dhe është ogranizuar puna që mjekët në stukturat akomoduese të ofrojnë shërbim për çdo qytetar në nevojë, duke identifikuar të sëmurët kronikë dhe duke ofruar terapitë e mjekimit secilit prej tyre. Janë më shumë se 530 qytetarë të sëmurë kronikë që po marrin mjekimin e nevojshëm në pikat ku janë strehuar përkohësisht”.

Manastirliu u shpreh se do të vijojë programi i vaksinimit për çdo qytetar që është pjesë e grupeve të rrezikuara për tu prekur nga gripi, për të ruajtur shëndetin e tyre.

“Janë 1338 qytetarë që janë vaksinuar kundër gripit në pikat e emergjencës ku janë akomoduar përkohësisht dhe do të vijojmë vaksinimin në çdo njësi ku janë sistemuar banorët e prekur nga tërmeti”, tha Manastirliu.

Qytetarët e prekur nga tërmeti në njësitë akomoduese po ndiqen jo vetëm nga mjekët e familjes por edhe nga mjekët e shërbimit infektiv në QSUT, të cilët janë ofruar vullnetarisht të japin shërbim për qytetarët.

“Jemi ofruar vullnetarisht sepse vullnetarizmi është pjesë e mjekut dhe do të ofrojmë shërbim në çdo pikë emergjencë për të dhënë shërbimin e nevojshëm dhe për të ndjekur për ekzaminime të mëtejshme në shërbimin terciar ata që kanë nevojë”, u shpreh dr. Najada Çomo, shefe e shërbimit infektiv në QSUT.

Gjatë këtyre ditëve, mjekët kanë kryer më shumë se 5 mijë vizita mjekësore në hotele dhe pikat e emergjencës ku janë sistemuar banorët e prekur nga tërmeti

Ora 09:29
Basha takohet me banorët e prekur nga tërmeti në Manëz: Po lihen në kushte mizerabël, të nisë financimi i mijëra familjeve (FOTO-VIDEO)

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mëngjesin e sotëm ka vizituar banorët e dëmtuar nga tërmeti në Manëz. Sipas Bashës këta banorë jetojnë në çadra dhe në kushte të mjerueshme.

Ndër të tjera kreu i PD, me anë të një reagimi shkruan se këto banorë ndjehen të diskriminuar pasi nuk u është siguruar strehimi njësoj si disa familjeve të tjera. Sipas Bashës zgjidhja është vlerësimi i shpejtë dhe marrja e parave për rikonstruksionin e shtëpive të dëmtuara.  

"Me dhjetra familje, fëmijë të mitur, të sëmurë e të moshuar jetojnë në kushte mizerabël në një kamp çadrash të mbytura në baltë në Manzë. Banesat e tyre u dëmtuan rëndë nga tërmeti duke i lënë në qiell të hapur.  Shumë prej tyre u zhvendosën në çadra që nuk pengojnë dot shiun dhe të ftohtin.

Përveçse në kushte të rënda, ata ndihen të fyer dhe të diskriminuar. Sipas tyre disa familje janë strehuar në kontenierë, ndërsa të tjerë me fëmijë disa muajsh dhe të sëmurë janë lënë në çadra, ku shiu dhe balta ka përmbytur dhe ato pak gjëra që kanë.  Përveç braktisjes, këta banorë po përballen çdo ditë edhe me trajtim të diferencuar. Është kriminale të bësh dallime të tilla mes njerëzve të goditur njësoj e pa dallim nga tragjedia. Duhet urgjentisht që banorët që janë në kampin e llucës të strehohen në konteinerë ose në shtëpi me qira.

Zgjidhja është vlerësimi i shpejtë dhe real i dëmit të shkaktuar dhe lëvrimi i parave tek qytetarët për rikonstruksion apo rindërtimin e shtëpive. Është kriminale që qytetarët të kalojnë ditët dhe netët në shi, baltë, të ftohtë, pa ushqime, pa ngrohje, ndërsa 10 oligarkë të marrin 150 milion dollarë nga paratë e tyre. Dështimi për të vepruar nga ana e shtetit po shton dhimbjet dhe vuajtet. Duhet menjëherë të përcaktohen fondet dhe të nisë financimi i nevojave të mijëra familjeve të mbërthyera në këtë emergjencë që sa më shumë zgjatet aq më shumë thellohet." shkruan Basha.
 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • A...Zh: 09/12/2019 15:24

    Zj. Spiropali, jo "kosovaret" por shqiptaret e Kosoves. Kosovare jane gjithe banoret e Kosoves, pra edhe serbet, boshnjaket, turqit, ashkalite, egjyptjanet etj. Duket, por nuk eshte loje fjalesh.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Vrasja e 14 vjeçarit, shtohen efektivët e policisë në të gjithë shkollat e kryeqytetit

Tiranë/ Vrasja e 14 vjeçarit, shtohen efektivët e policisë në të gjithë shkollat e kryeqytetit