/ATSH/.- Kryeministri Isa Mustafa njoftoi kabinetin qeveritar se, në datën 26 mars pritet të vizitojë Kosovën, kryediplomatja evropiane Federika Mogherini.
Sipas KosovaPress, Mustafa po ashtu njoftoi se, pas takimit mes dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë (23 mars), Kosova do të jetë mikpritëse e takimit të ministrave të rajonit (25 mars).
Mustafa shtoi se në takimin e dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë do të bëhet edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve që rregullojnë fusha të përbashkëta.
"Javën që vjen do të kemi një aktivitet mjaft të dendur të qeverisë së Kosovës. Të hënën do të kemi një takim të Qeverisë së Kosovës me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në të cilin do të nënshkruajmë marrëveshje që rregullojnë fusha të përbashkëta. Më datën 25 mars, po ashtu në Prishtinë, do të mbahet një takim shumë i rëndësishëm i gjashtë ministrave të jashtëm e të infrastrukturës, lidhur me projektet e përbashkëta të Ballkanit, ku do të jetë prezentë edhe komisioneri Hann", tha Mustafa.
Ndërkaq, në 26 mars do të vizitojë Kosovën përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini me të cilën Mustafa do të diskutojë lidhur me bashkëpunimin e ngushtë me Bashkimin Evropian dhe perspektivën evropianetë Kosovës.