Kosova do të nënshkruajë marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në gjatë kësaj vere.K jo u bë e ditur sot gjatë konferencës për shtyp të Kryeministrit të  Kosovës Isa Mustafa me përfaqësuesen e Lartë për Politika të Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherinin, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë.

Kryeministri Mustafa u shpreh i gatshëm që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke përfaqësuar kështu edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, nëpërmjet dialogut të jep kontributin e tij për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me theks të veçantë marrëdhëniet me Serbinë.
"Ne kemi treguar vullnet që nëpërmjet dialogut, dhe ndërmjetësimit të BE-së të përmirësojmë marrëdhëniet me fqinjët", tha Mustafa.
Kryeministri Mustafa po ashtu preku edhe çështjen e problematikës së migrimit, me rastin e të cilës ai kërkoi ndihmë direkte nga kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç për të mbyllur korridorin e migrimeve. Ai tha që ka marrë premtime nga Vuçiç, se do të punohet në këtë drejtim, madje sipas tij vetë Vuçiç ka marrë tashmë iniciativën për të parandaluar migrimin
Federica Mogherini tha se në verë pritet nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
"Ky vit do të jetë një vit i rëndësishëm për Kosovën dhe BE-në, mendoj se do të jemi të gatshëm për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, përafërsisht në verë", tha Mogherini.
Kryeministri Isa Mustafa poashtu tha se orientimi Euroatlantik i Kosovës përfaqëson vullnetin e shumicës dërmuese të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe se shteti i Kosovës dëshiron që të jetë sa më pranë BE-së dhe ta ketë sa më pranë këtë të fundit.
Për këtë kërkesë Federica Mogherini u përgjigj se vetë fakti që ajo sot ndodhet në Kosovë, dhe dje Kosova ishte vizituar nga komisionari Johanes Hahn, është material për optimizëm dhe për mendim pozitiv.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politika të jashtme tha se është shumë optimiste për dialogun dhe se ka besim që do të arrihen rezultatet në marrëveshje dhe do të arrihet implementimi i tyre. Ajo po ashtu është shprehur optimiste për themelimin e Gjykatës Speciale.
Në këtë konferencë mes tjerash u tha që Bashkimi Evropian do të jetë gjithmonë prej mbështetësve kryesorë të Shtetit të Kosovës, jo vetëm në çështjet politike, por edhe në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit, do ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euroatlantik dhe liberalizimit të vizave./KosovaPress/ /atsh/