Ambasadori i delegacionit të Bashimit europian në Tiranë Ettore Sequi tha ne mbrëmje se Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në plotësimin e kritereve politike dhe përmbushjen e 12 prioriteteve kyce tëpërcaktuara nga BE. Ai shtoi më tej se raporti i progresit duhet të shërbej tani si një element bashkimi dhe jo ndarje. Por dy krahët e politikës shqiptare e shohin përgjegjësinë e këtij dështimi te njëra tjetra. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se të vetmet reforma të mbetura në vend ishin ato që kërkonin votën e opozitës në parlament, duke shtuar se megjithatë mbetej i hapur për dialog. Nga ana e saj partia socialiste përmes një deklarate të shkurtër u shpreh se opozita rinënvizon vullnetin e saj për të ushtruar përgjegjësinë që i takon në jetësimin e axhendës europianizuese të Shqipërisë
Komisioni europian u shpreh sot se nuk mund të rekomandonte hapa të tjerë për Shqipërinë këtë vit, duke bërë që për të dytin vit radhazi vendi të mos mund të marrë statusin e Kandidatit për anëtar i Bashkimit europian, për shkak të ngërcit të vazhdueshëm politik që ka penguar përparimin, nënvizoi komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle. Ndërsa ambasadori i delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë Ettore Sequi shpjegoi në mbrëmje se “Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në plotësimin e kritereve politike dhe përmbushjen e 12 prioriteteve kyce”.
Ashtu si dhe një vit më parë, sfidat për Shqipërinë mbeten të njejta, po ato 12 objektiva të përcaktuara nga Brukseli, saktësoi ambasadori Sequi: “Përpjekje të mëtejshme thelbësore për miratimin dhe zbatimin e reformave duhen ndërmarrë, përpara se të rekomandohet celja e negociatave për anëtarësim. Nuk ka standarte të dyfishta. Kushtet janë të njejta për të gjitha vendet që aspirojnë anëtarsim në Be dhe në vecanti ndërmarrja e atyre refromave që kanë të bëjnë me Be e sidomos të atyre reformave që kanë të bëjnë me 12 prioritetet kyce të identifikuara nga BE”.
Si dhe komisioneri Fyle nga Brukseli, ashtu edhe ambasadori Sequi në Tiranë, konfirmoi angazhimin e Bashkimit europian për të ndihmuar ecjen përpara të Shqipërisë duke shprehur besimin se vendi i ka aftësitë për të përmbushur standartet e larta që kërkohen nga ky proces: "Megjithatë për këtë kërkohet që të bëhen përgatitje rigoroze dhe të plota, të ketë bashkëpunim konstruktiv mes qeverisë dhe opozita e për disa fusha të ketë edhe konsensus. Shqipëria ka nevojë që të bashkojë forcat e veta për rreh një objektivi të vetëm e të qartë e bashkues që do të jetë anëratësimi në BE e të veprojë e vendosur e në mënyrë të vazhdueshme”.
Ambasadori Sequi u shpreh se raporti i progresit duhet të hsrëbej si një element bashkues dhe jo ndarës. Por që përpara daljes së raportit, të vetdijshëm për dështimin e pritshëm, dy krahët kryesorë të politikës kishin nisur betejën e fajësimit të njëra tjetrës. Edhe dje, pasi mori zyrtarisht raportin e progresit, kryeministri Sali Berisha e la hapur topin e përgjegjësisë në fushën e opozitës: "Një vit më parë, Komisioni Evropian ka renditur 12 kërkesa, që të gjitha absolutisht të drejta, që të gjitha kërkesa dhe reforma që realizojnë një afrim të mëtejshëm të Shqipërisë me BE-në. Disa nga këto kërkesa janë avancuar dhe gjërat kanë ndryshuar, pra reformat kanë sjellë ndryshimet përkatëse. Një pjesë e tyre kanë mbetur në vend numëro, sepse kanë kërkuar një votim me 3/5. Nuk ekziston asnjë vend tjetër në të cilin nuk votohet për kërkesat e BE-se. Në Shqipëri nuk votohet, ky është një fakt”.
Kryeministri tha megjithatë se dëshiron të shohë përpara e është i gatshëm për të bashkëpunuar, porse sipas tij opozita edhe për reformën zgjedhore për ngre pretekste: “Unë jam i gatshëm të shoh përpara, jam plotësisht i gatshëm që nesër të adresojmë reformën zgjedhore. Por rivali im më propozon një skemë qesharake. Më thotë të ulemi në një tavolinë me konsensus, por ai këtë ta quajë konsensus dhe, kur të ketë të drejtë, të veprojë pa konsensus. Kurrë ndonjëherë, një shumicë dhe as edhe një individ, nuk mund të poshtërohet, sepse t’i thuash një shumice hajde të punojmë me konsensus e pa konsensus, i thua mos prano. Ti thuash një opozite hajde të punojmë me konsesus e pa konsensus, i thua mos prano”.
Nga ana e tyre socialistët shpërndanë vetëm një qëndrim të shkurtër në përfundim të takimit të kryetarit Edi Rama me ambasadorin Sequi. “Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e konsideron Progres Raportin si një instrument të rëndësishëm për demokratizimin e shoqërisë dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë. Si drejtues i opozitës zoti Rama përfiton nga rasti për të rinënvizuar vullnetin e opozitës shqiptare për të ushtruar përgjegjësinë që i takon në jetësimin e axhendës shtetndërtuese dhe europianizuese të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e partisë socialiste shpërndarë mbrëmë. Nga ana tjetër përfaqësuese të saj edhe në ditët e shkuar i kanë mëshuar faktit se sipas tyre, vendi dështoi në të gjithë objektivat, edhe në ato për të cilat nuk ishte e nevojshme vota e saj në parlament. Dhe ky pritet të jetë edhe argumenti i debateve të pritshme në ditët e ardhshme ku secila palë do të shohë vetëm atë pjesë që i intereson nga gota e mbushur gjysëm.