Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj arriti të vjedhë nga Kuvendi një dokument sekret, marrëveshjen ushtarake Shqipëri-SHBA e cila u fut në rend ditën e sotme me urgjencë.

Në këto pamje të siguruara nga Report Tv, dallohet fare qartë momenti kur pasi Shehaj ka marrë dokumentin në duar është larguar me vrap nga salla e Kuvendit, ndonëse këshilltarja e ndjek nga pas me vrap dhe dëgjohet t’i thotë të ndalojë. Pasojat e veprimit qesharak të kreut të një prej partive opozitare në vend, nuk mbarojnë vetëm te paligjshmëria e aktit. Gjatë tentativës së punonjës së Parlamentit për të ndaluar Shehajn, zyrtarja rreshket nga shkallët duke u përplasur rëndë në trup dhe krahë. Deputeti Agron Shehaj ka vijuar të vrapojë pa u kthyer aspak për të ofruar ndihmë. 

Partia Socialiste ka paralajmëruar një kallëzim penal për veprimet e Agron Shehajt dhe për kërcënimin e sigurisë ndaj personelit të Kuvendit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:25
'Një palo burrë sot dhunoi një grua', Taulant Balla reagon pas incidentit me Agron Shehajn në Kuvend: Ku janë shoqatat dhe Komiteti i Helsinkit?

Rrëzimi i punonjëses së Kuvendit, e cila u përpoq të ndalonte deputetin Agron Shehaj pasi ai vodhi dokumentet e marrëveshjes ushtarake Shqipëri-SHBA dhe u largua duke ikur me vrap nga zyra, ka sjellë reagimin e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla e akuzon Shehajn për dhunë ndaj punonjëses së Kuvendit.

“Përveç shkeljeve të rënda të ligjit për informacionin e klasifikuar, një palo burrë si Agron Shehaj ka dhunuar sot një vajzë, një grua, një nënë. Ky Komiteti i Helsinkit, shoqatat kundër dhunës me bazë gjinore dini gjë ku janë?”, shkruan Balla.