Morën 50 mijë lekë për heqjen e një
gjobe,pranga 3 inspektorëve të Punës

Morën 50 mijë lekë për heqjen e një<br />gjobe,pranga 3 inspektorëve të Punës
TIRANE- Tre inspektorë të Inspektoratit të Punës në Tiranë, arrestohen pasi i morën 50 mijë lekë ryshfet në zyrë administratorit të një firme për t'i hequr gjobën.
 
Skuadrat e forcës së posaçme operacionale kanë finalizuar një hetim të përbashkët të Drejtorisë së Antikorrupsionit, si dhe Antikrimi Ekonomik i Policisë së Shtetit.
 
Sipas burimeve tre inspektorët e arrestuar janë Taulant Mançellari, Sotiraq Lala dhe Hajredin Gjoksi.

Inspektorët akuzohen për mitmarrje, duke i marrë lekë bizneseve ku ushtronin kontroll dhe gjenin punonjës të padeklaruar.
 
Inspektorët merrnin shumën e parave për të mos përfshirë konstatimet në raportet e tyre.

Burime për “A1 Report” bëjnë me dije se Mançellarit i janë gjetur 2 portofola, ku u gjetën 80 mijë lekë dhe qindra euro.
 
Mançellari, Lala dhe Gjoksi, janë arrestuar në kushtet e flagrancës, dhe dërguar në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

“A1 Report” siguron fotot nga momenti i arrestimit të tre inspektorëve të Inspektoratit të Punës, Tiranë.

arrestimi i inspektoreve
 (Në foto: Dy inspektorët e arrestuar, Hajredin Gjoksi dhe Sotiraq Lala)

Policia ka marrë deklarimet e drejtorit të inspektorëve të arrestuar, por nga hetimet ai nuk rezulton të ketë dijeni për rastet e mitmarrjes së Mançellarit, Lalës dhe Gjoksit.
 
Skuadrat e forcës së posaçme operacionale kanë finalizuar një hetim të përbashkët të Drejtorisë së Antikorrupsionit, si dhe Antikrimi Ekonomik i Policisë së Shtetit. Tre inspektorë të Inspektoratit të Punës janë arrestuar, dhe dërguar në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
 
Sipas burimeve inspektorët Taulant Mançellari, Sotiraq Lala dhe Hajredin Gjoksi akuzohen për mitmarrje. Të njëjtat burime thanë se po vijohet me kontrolle në banesa dhe shoqërime të tjera, ndërsa detajet priten të bëhen publike pas operacionit.

arrestimi i inspektoreve
(Në foto: Taulant Mançellari, inspektori tjetër i arrestuar)

ORA 17:30 REAGON INSPEKTORATI I PUNËS: BIZNESET TË DENONCOJNË RASTET ABUZIVE
Pas ndalimit të tre inspektorëve të Inspektorati i Punës në Tiranë, ka ardhur edhe reagimi nga ky institucion. Inspektorati i Punës Tiranë fton të gjithë bizneset të denoncojnë rastet abuzive, duke dënuar këtë akt mitmarrje. Ndërsa, ky institucion shprehet në mbështetje të punës së policisë dhe prokurorisë, duke inkurajuar në zbardhjen e këtyre rasteve, si dhe identifikimin e çdo rasti të abuzimit me detyrën apo shkelje të ligjit nga inspektorët.
 
“Distancohemi nga çdo veprim i secilit që bie ndesh me ligjin. Askush të mos mendojë se është i pandëshkueshëm në rast abuzimi. Inspektorati i Punës fton sërish të gjithë bizneset të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën nga ana e inspektorëve”, thuhet në reagimin e Inspektoratit të Punës, Tiranë.

Sipas Inspektoratit të Punës rezulton se Hajredin Gjoksi ishte emëruar në këtë detyrë më 8 Shkurt 2012; Sotiraq Lala i emëruar më 10 Korrik 2012’ dhe Taulant Mançellari i emëruar më 9 Nëntor 2011.
 
Ndërkaq, bëhet me dije se të tre inspektorët e akuzuar për mitmarrje janë liruar menjëherë nga detyra.

SI NDODHI NGJARJA
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal të vitit 2014 për veprën penale të “Korrupsionit pasive të personave që ushtrojnë funksione Publike” të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Ky procedim penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të paraqitur nga shtetasi R.S me datë 23.02.2014, ora 20.00. Nga studimi i materialit referues rezulton se:

Në kallëzimin e tij ky shtetas ka shpjeguar:
Ai është administrator i një kompanie në Tiranë. Në këtë subjekt sipas kallëzuesit janë 13 punonjës të ndryshëm të punësuar. Të gjithë punonjësit, sipas kallëzuesit janë të punësuar, në organin tatimor. Me datë 18 Shkurt të vitit 2014, rreth orës 14.00, tek ambientet e shoqërisë, kanë shkuar 3 personat S. Lala, T. Mançellari dhe H.Gjoksi, të cilët janë prezantuar si inspektorë të Inspektoratit të Punës, të cilët kishin pyetur dhe marrë në shënim të gjithë emrat e personave që kanë qenë të pranishëm brenda në ambientet e kompanisë. Në sallë kanë qenë gjithsej 9 persona, nga të cilët 7 persona kanë qenë të punësuar me kontrate të rregullt pune dhe 2 persona të tjerë, të cilët kishin ardhur për t’u intervistuar për punë dhe prisnin administratorin. Inspektorët, pasi kanë marrë të gjithë emrat në shënim të personave janë larguar nga ambientet e firmës. Dy personat që kanë qenë duke pritur deri sa të shkonte administratori, u kanë thënë inspektoreve, se ne nuk jemi të punësuar por kemi ardhur për intervistë dhe po presim administratorin Rubens Selen për intervistë.

Inspektorët e Inspektoratit të Punës janë larguar nga ambientet e firmës pa pritur administratorin dhe kanë lënë një procesverbal, ku administratori, të paraqitej të nesërmen më datë 19.02.2014 tek zyrat e Inspektoratit të Punës me të gjithë dokumentacionin e firmës.

Në datë 19.02.2014 administratori nuk ka arritur të shkonte tek zyra e këtyre inspektorëve, pasi sipas deklarimit të tij, nuk i kishte mbledhur të gjitha dokumentet për t’i paraqitur sipas njoftimit.

Më datë 20.02.2014 rreth orës 10 e 30, administratori është paraqitur tek zyra e tre inspektorëve, të cilët kanë qenë bashkë në zyrë.

Kallëzuesi deklaron se, gjate bisedës që ata kanë bërë me inspektoret, ata u kanë thënë se gjatë kontrollit të ushtruar tek subjekti i tyre, kishin gjetur 2 persona të cilët nuk i kishin emrat në listat e të punësuarve nga ana e tyre. Për këtë shkelje që ata mendonin se kishin evidentuar sipas ligjit, administratori duhet të gjobitej me 1 milion lekë të reja gjobë. Administratori ka kundërshtuar, duke u thënë se është e vërtetë që janë gjetur dy persona tek ambientet e firmës, por ata nuk ishin të punësuar por kishin ardhur për t’u intervistuar.

Inspektorët kanë deklaruar se të paktën do të vendosnin 500 mijë lekë të reja. Përse si është kundërshtuar dhe ky mendim nga ana e administratorit, duke u thënë se nuk është e vërtet që ata ishin të punësuar dhe ne nuk jemi dakord që të na vendosej kjo gjobë.

Gjatë bisedës, inspektorët e kanë kërkuar nga administratori 50.000 lekë të reja, për të shmangur gjobën. Për të bërë këtë pagesë, njeri prej inspektorëve i ka dhënë edhe numrin e tij të telefonit, për t’u lidhur në një moment tjetër.

Kallëzuesi deklaron se të premten më datë 21.02.2014 rreth orës 16.00 mbas dite e ka marrë në telefon numri i telefonit që i përket njërit prej inspektorëve dhe i ka thënë se flasim nga zyra se si do ta zgjidhim problemin që kemi lënë. Në këto kushte kallëzuesi është paraqitur në Drejtorinë e Policinë e Qarkut Tiranë dhe ka bërë kallëzim.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se njëri nga inspektorët e ka telefonuar kallëzuesin dhe i ka kërkuar që të takoheshin. Më pas ata e kanë ftuar të shkonte në zyrën e tyre në të cilën është bërë dhe dorëzimi i shumës së kërkuar.

Pas dorëzimit të shumës së kërkuar, policia gjyqësore ka kryer kontrollin e zyrës dhe kontrollin personal të shtetasve nën hetim dhe ka gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale shumën e dorëzuar. Ndërkohë që në zyrën ku janë dorëzuar paratë kanë qenë të tre inspektorët.
Në këto kushte policia gjyqësore ka arrestuar në flagrancë tre shtetasit nën hetim.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

'Po përziejmë mollë me qepë', Ilir Metaj i kthehet Edmond Spahos: Karagjoz! Kjo anije do udhëtojë edhe në ujëra të thella jo vetëm të cekëta

'Po përziejmë mollë me qepë', Ilir Metaj i kthehet Edmond Spahos: Karagjoz! Kjo anije do udhëtojë edhe në ujëra të thella jo vetëm të cekëta