Dorës së hekurt të SPAK nuk i kanë shpëtuar as ish anëtarët e qeverisë Rama. Këtë herë pas hetimeve të SPAK, Gjykata e Posaçme ndaj Korrupsionit ka vendosur ‘arrest shtëpie’ për ish zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, e cila akuzohet se ka përfituar para dhe të mira materiale për të punësuar një grua. Burime për Report Tv thonë se Voda ka marrë rreth 2000 euro për futur në punë Florida Beun.

Voda në cilësinë e Zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, sipas SPAK, ka marrë para dhe të mira materiale të padrejta nga dy gra Majlinda Hasani, avokate dhe Florida Beu, për punësimin e kësaj të fundit në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive në Ministrinë e Brendshme. Majlinda Hasani,avokate nga Durrësi ka luajtur rolin e ndërmjetëses për marrjen e ryshfetit.

Ky procedim penal ndaj Vodës është regjistruar në 2021, ndërsa SPAK vijon ende hetimet për këtë rast. Megjithatë nga provat e arritura deri tani prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit që të caktojë masën e sigurisë "arrest shtëpie” për Rovena Vodën, Florida Beun dhe Majlinda Hasani për veprën penale "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".

SPAK ka nisur me vrull punën gjatë kohëve të fundit ku goditjen e zyrtarëve e ish zyrtarëve të korruptuar në nivele të larta duket se po u vjen fundit pandëshkueshmërisë së tyre.

Po sot, më 13 korrik SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në GJKKO ish-kryebashkiakun e PD në Pogradec, Eduart Kaprin dhe 5 vartësit e tij, të cilët do të gjykohen në lidhje me tentativën për të penguar zgjedhjet lokale në 30 qershor 2019 si dhe për akuzën për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017.

Më 10 korrik SPAK arrestoi  9 zyrtarë dhe ish zyrtarë të Ministrisë së Brendshme në lidhje me tenderin abuziv të  11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Mes të arrestuarve ishte edhe ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari.

Me 6 korrik SPAK vuri në pranga kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushen dhe 10 bashkëpunëtorët e tij pasi janë të përfshirë në një tender abuziv të ditëve të fundit prej 24 mln lekësh për rehabilitimin e kanalit ujitës. 

Njoftimi i SPAK

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:58
Punësoi një grua në Ministrinë e Brendshme, ish zv.ministrja e Brendshme Voda mori 2000 euro ryshfet! Avokatja nga Durrësi bëri ndërmjetësen

Report Tv ka zbardhur detaje të tjera në lidhje me operacionin e SPAK  ku u la në “arrest shtëpie” ish zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda. Ajo ka marrë ryshfet 2000 euro nga Florida Beu, që kjo të punësohet në Ministrinë e Brendshme. Këto para janë marrë nga ndërmjetësja Majlinda Hasani, avokate nga Durrësi dhe më pas i janë dhënë ish zv.ministres së Brendshme.

Nga një kërkim në QKB, rezulton se Majlinda Hasani që prej 2003 është avokate në qytetin e Durrësit.