TIRANË- Në vazhdë të reagimeve për protestën në Tiranë dhe qëndrimeve të tij se janë kurdisur nga influenca të huaja, përfshirë Iranin, kryeministri Edi Rama ka ndarë foto të Ikballe Hudutit në tubim, një figurë televizive e njohur për simpatinë për regjimin e Iranit. Kryeministri shkruan se nuk ka asgjë me protestuesit, por me ata që e kanë shndërruar protestën nga një kauzë për mbrojtjen e natyrës në një tribunë për interesa të tjera politike dhe të financuara nga jashtë.

Në postimin e tij, Rama thotë se Hudutin në emër të fesë predikon urrejtje, thërret për kryengritje kundër qeverisë shqiptare dhe kërkon hakmarrje ndaj Shteteve të Bashkuara për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani. Ai po ashtu ka publikuar një foto të saj me presidentin e asaj kohe Mahmoud Ahmadinejad, të cilin e cilëson si "kryeshërbëtorin famëkeq të ajatollahëve".

“Mos u merr me protestuesit…

Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër

Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë

Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruan Rama.

Ikballe Huditi është e njohur për simpatinë publike për teokracinë islamiste në Teheran dhe ishte arrestuar për deklarata të saja të pamatura në shtytje të veprave terroriste.

Ikballe Huduti dhe ish-presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad

Ikballe Huduti në protestë


Lajmi kryesor:

Në protestën e Tiranës dhe adhuruese e regjimit iranian, Shqipëria shpall ‘non grata’ Ikballe Hudutin: Rrezik për sigurinë kombëtare! Rama i postoi foton me Ahmedinexhad


Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:18
Rama deklaroi se shpërndan urrejtje, përgjigjet Ikballe Huduti: Ndihem përgjegjëse për fatin e Shqipërisë, s’mund të qëndroj indiferente

1782390757_huduti.jpg

Ikballe Huduti ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, që publikoi fotografi të saj nga protesta në Tiranë dhe e lidhi praninë e saj në tubim me influenca të huaja dhe interesa të tjera politike.

Në një reagim publik, Huduti mohon se pjesëmarrja e saj në protestë ka motive përfitimi, duke theksuar se angazhimi i saj buron nga bindjet patriotike dhe qytetare.

Ajo u bën thirrje kryeministrit, institucioneve europiane dhe udhëheqësve ndërkombëtarë që të dëgjojnë zërin e qytetarëve protestues.

Nga ana tjetër thekson se ndihet përgjegjëse për fatin e Shqipërisë dhe se nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj problemeve që prekin shoqërinë.

Deklarata e plotë:

I nderuar Kryeministër Edi Rama.

Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim.

Edhe sikur trupi im të mos jetë më një ditë, fjala dhe zëri im do të vazhdojnë të jenë në shërbim të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Unë nuk dal në protestë nga urrejtja ndaj askujt, por nga dashuria për popullin tim dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik.

Ju bëj thirrje juve dhe çdo udhëheqësi botëror si dhe BE që të dëgjoni zërin e qytetarëve të revoltuar. Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i një populli të ndërgjegjësuar. Besoj se dialogu, drejtësia dhe respekti ndaj qytetarëve janë rruga më e mirë për të shmangur përçarjet dhe konfliktet.

Zoti është dëshmitar i veprave tona. Pozitat janë amanet dhe përgjegjësi. Kur pushteti përdoret me drejtësi, ai bëhet bekim; kur keqpërdoret, bëhet barrë për mbajtësin e tij.

Unë jam shqiptare dhe ndihem përgjegjëse për fatin e kombit tim. Nuk mund të fle e qetë kur shoh probleme që prekin shoqërinë tonë. Besoj se njeriu vlen aq sa shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe aq sa përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët.

Nuk kërkoj armiqësi me askënd. Kërkoj paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë.

As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë.

Me respekt: Ikballe Berisha Huduti