‘Nxehen’ gjakrat në Komisionin për Reformën e Territoriales. Protagonistët janë dy bashkëkryetarët, Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi, pasi këtij të fundit iu hoq mikrofoni sepse nuk po i jepte fjalën mazhorancës. Boçi i tha Maznikut se veprimi s’ishte etik dhe se nuk e urdhëronte dot njeri për t’i dhënë fjalën dikujt.

Boçi: Prit se do e mbyll. Mund ta mbyll se nuk është etike të ma heqësh mikrofonin mua.

Mazniku: Kanë folur 3 veta, nuk ka folur asnjë nga mazhoranca. Jepjani fjalën tani në këtë moment.

Boçi: Urdhër këtu nuk më jep kush. Jua kam thënë edhe njëherë tjetër. Jemi në pozitë të barabartë. Nuk është etike që ndërhyn në fjalën time. Tani e tepruat, e tepruat.

Mazniku: Jepjani fjalën. Kaq.

Boçi: Nuk po bëj pyetje, po bëj parashtrim. Ta përfundoj unë.

Mazniku: Nuk mund të vazhdojë kjo histori. Jepjani fjalën.

Boçi: Nuk mund t’ia jap fjalën. Unë nuk pranoj sfida të tjera, jo një sfidë kaq të vogël. Në komision nuk pranoj sfida të tilla. Dhe një herë, nuk po marr setin e pyetjeve. Bëra marrëveshjen për t’ju lënë kohë, por parashtrimin tim nuk dua të ma ndërpresë kush. Asnjë deputeti s’mund t’ia ndërpresim edhe ne, dhe jo më të ndërhyjmë ne si bashkëdrejtues. Këtu “stop orkestra” është një fjalë e urtë popullore.

Mazniku: Jepni fjalën.

Boçi: Mos bëj si kalama, ta mbaroj. Çfarë është kjo ndërhyrje, nuk e kuptoj.

Mazniku: Keni dy orë që nuk i jepni fjalën një personi të mazhorancës.

Boçi: Jemi në momentin dhe fazën që po japim një shfaqje shumë të bukur si komision. Asnjë nuk e dëshiron. Ky komision sfidë ka edhe durimin.

Mazniku: Tani flas unë. Ti e bëre parashtrimin.

Boçi: Ja, mbaje mikrofonin e fute në xhep. Kjo tregon autoritetin tënd.

Mazniku: Jo, jo, z. Boçi. Mos abuzoni me hapësirën që iu është lënë. Mund të vazhdosh i qetë.

Boçi: Mbaje, ta gëzosh.

Pas kësaj, Boçi doli nga salla duke e lënë Maznikun të vijonte. U duk se situata do të ishte qetësuar, por deputeti i PD nuk e la të fashitej. Me tone të larta, ngulmoi t’i kalonte fjalën opozitës, kurse Mazniku nuk u spraps nga e tija për të mos lënë askënd të fliste.

Boçi: Njeriu nuk flet vetëm me fjalë. Me gjestet tuaja po dëshmoni që doni të sabotoni punën e këtij komisioni, duke ndërtuar një lloj marrëdhënieje jo korrekte dhe nuk zbatoni as etikën elementare. Unë di ta shkel shumë mirë etikën, por nuk besoj që vlen për punën dhe interesin e qytetarit. Nëse vazhdoni në këtë formë, patjetër që përgjigjja do të jetë shumë e shpejtë. Mendoj se e keni të gabuar këtë formë imponimi këtu. Secili deputet këtu zgjedh kohën e vet, mënyrën e vet të të folurit. Mënyra pastaj se si vazhdoni ju pa prezencën tonë, është shumë absurde.

Mazniku: A mbarove, të flas unë?

Boçi: Mos e tepro.

Mazniku: Mos e ngri zërin.

Boçi: E ngre zërin, ngre edhe gjëra të tjera. Mos e përsërit më! Fjalën po ia kaloj unë kolegëve të mi.

Mazniku: Do të flas unë, nuk ka për të folur njeri.

Fjalët “hidh e prit” vijuan edhe për disa minuta të tjera ku të dy bashkëkryetarët akuzuan njëri-tjetrin se po silleshin si fëmijë.

Mazniku: Foli z. Boçi dhe tha disa gjëra, t’i japim një përgjigje.

Boçi: Ç’përgjigje do më japësh ti mua?

Mazniku: Do të të jap përgjigje që ç’ke me të!

Boçi: Ti po vazhdon kundër etikës dhe rregullores. Përgjigjen ta japin ty deputetët e opozitës sepse ke ofenduar bashkë me mua dhe këta të gjithë dhe opozitën. Nuk flasin vetëm fjalët, flasin edhe aktet! Po prishni ekuilibrat e një komisioni shumë të rëndësishëm që ka pritshmëri shumë të mëdha. Sot keni dalë në një situatë tjetër që vjen nga dëgjesat. Të vazhdojnë deputetët e opozitës.

Mazniku: Do flas unë.

Boçi: Ti s’mund të flasësh se ia kam kaluar fjalën deputetëve të opozitës.

Mazniku: Fole dhe nuk të ndërpreva. Ike kur deshe, erdhe kur deshe, fole sa deshe.

Boçi: Pse mo, leje ty do të marr unë?

Mazniku: As unë nuk të marr leje ty.

Boçi: Po për të tjerët nuk e di ti këtë?

Mazniku: Opozitës në këtë komision… (Boçi i fik mikrofonin) Mos shtyp tani butonin. Si kalama 2 vjeç.

Boçi: Pse ti e kishe 1? Merre tani, ta gëzosh.

Mazniku: Opozitës në këtë komision i janë dhënë në mënyrë sistematike hapësira që janë dakordësuar në mënyrë sistematike.

Boçi: I janë dhënë gjërat që i takojnë, nuk janë dhurata këto.

‘Çelësin’ e rikthimit të rregullit duket se e pati njëri prej kryetarëve të bashkive që kërkoi fjalën për procedurë. Mazniku bëri të njëjtën gjë dhe me nënqeshje, Boçi ia dha për t’i treguar se përbën diferencën.

Mazniku: Bashkëkryetari po kërkon fjalën për procedurë.

Boçi: Po kërkon fjalën për procedurë?

Mazniku: Po.

Boçi: Po unë s’jam si puna jote, merre për procedurë.