"Mos u merr mo me Bashën se do ta djegim fare televizionin..." Një nga militantët e PD-së që identifikohet në Facebook me emrin ''Denis Denis'', kërcënon hapur sot televizionin Report TV dhe themeluesin e tij. Kërcinimi se do të djegë televizionin në rast se japim lajme mbi Lulzim Bashën, është i shoqëruar nga ofendime personale, vulgare jo vetëm ndaj themeluesit të televizionit, por edhe ndaj gazetarëve. 

Nuk ka elementë të mjaftueshëm nga faqja e tij personale për të kuptuar nëse është një profil i vërtetë apo një nga shumë profilet e kruijuara nga PD për të goditur në mënyrë anonime ata që konsideron "armiq". Denis Denis publikon një foto në profil dhe pastaj një post të kandidatit të Tropojës, e shumë foto të Lulzim Bashës apo aktiviteteve të Partisë Demokratike siç mund ta shihni në foto.

Nuk është hera e parë që militantë të PD-së përdorin Facebook-un për të ofenduar mediat e pavarura përfshi dhe ReportTV dhe Shqiptarja.com, por këtë herë përveç ofendimeve është kaluar dhe në kërcënime fizike.

Kërcënime fizike ndaj gazetarëve u bënë edhe gjatë protestës së opozitës të shtunën me 11 maj, kur një gazetar i Top Channel, një operator i ABC news dhe një trupë e ReportTV u rrethuan dhe u goditën nga militantë të PD-së. Ekipi i ReportTV u detyrua të largohej nga vendi i raportimit.

Një ditë më pas Lulzim Basha garantoi se gazetarët nuk duhet të preken. Tani presim që Basha të dënojë edhe kërcënimet e bëra ndaj redkasisë sonë, siç ndodhi (edhe pse me vonesë) me shkrimet nën shtëpinë e ambasadorit të OSBE-së Bernard Borchard.

E megjithatë militantët e vërbër ashtu siç i bëjnë lëvdata liderëve të tyre, po prej këtyre liderëve duhet të marrin mesazh të qartë: Media as nuk kërcënohet, as nuk preket, sidomos kur shkruar në Vërtetën, të pëlqen apo jo.

Përditë raportojmë lajme nga Partia Demokratike, si kur ishte në pushtet, ashtu dhe tani në opozitë. Hodhëm një sy të lajmeve sot dhe e reja e ditës janë fotot e publikuara dhe të manipuluara me fotomontazh për praninë e protestuesve dje. Nuk është faji i gazetarëve që dikush në PD ka menduar të shumëfishojë me copy paste praninë e protestueve me çadra në Bulavardin "Dëshmorët e Kombit", por fanatikut të PD-së kjo gjë nuk i pëlqen. Sipas tij gazetarët duhet të mbyllin sytë e veshët e të mosh shkruajnë asgjë për Bashën... ndryshe ai na djeg.

Mesazhi është më i gjatë, njeh zonën ku është redaksia, lokalet që e rrethojnë e mesa duket edhe pronarët e tyre dhe kërcënon. Por Denis Denis nuk i shkon nëpër mendje se pavarësisht identitetit (ndoshta) fake, Facebook, kur kryen veprime penale, nuk ka gjë që të fsheh e të mbron.

Edhe ditën e protestës, kur makina e Report TV u rrethua nga protestuesit e PD e LSI një tjetër heater (urryes) kërcënoi se do ta bënte prapë një gjë të tillë.

Ky është profili i tij dhe ne si redaksi, sa herë të vijnë kërcënime të tilla veç hapave ligjore do të ndërmarrim do t'i bëjmë ato publike në faqen e Shqiptarja.com.