Bashkimi Europian thirri të martën përfaqësuesin më të lartë diplomatik të Rusisë në Bruksel, pasi Kremlini u kërkoi diplomatëve europianë të largohen nga Kievi ose të përballen me rrezikun e bombardimeve.
“ Kërcënimi i Rusisë ndaj qytetarëve dhe diplomatëve të huaj që të largohen nga Kievi është një përshkallëzim i papranueshëm”, shkroi në platformën X zëdhënësja e Shërbimit Europian për Veprim të Jashtëm, Anitta Hipper.
Ajo tha se kishte thirrur të ngarkuarin me punë të Rusisë në BE, Karen Malayan, për t’i kërkuar Moskës “të ndalojë goditjet ndaj civilëve” dhe “të angazhohet në bisedime reale paqeje, duke nisur me një armëpushim të plotë dhe pa kushte”.
Reagimi erdhi pas paralajmërimit të Ministris së Jashtme ruse ditën e hënë se qytetarët dhe diplomatët e huaj duhet të largohen “sa më shpejt të jetë e mundur” nga Kievi, duke thënë se rrezikojnë të goditen nga sulmet me raketa ndaj kryeqytetit ukrainas.
Gjatë fundjavës që lamë pas, Rusia lëshoi më shumë se 80 raketa drejt Kievit, duke goditur disa ndërtesa civile dhe duke plagosur 87 persona, sipas autoriteteve ukrainase. Pjesë e sulmeve, ishte edhe kompleksi rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo, jeta e të cilit ishte në një rrezik serioz, siç konfirmoi edhe Ministria e Jashtme. Në reagim, Ministri Ferit Hoxha i bën thirrje Rusisë që të ndalë sulmet dhe të ulet në negociata, duke theksuar qëndrimin e Shqipërisë krah Ukrainës.
Delegacioni i BE-së në Tiranë reagoi gjithashtu duke dënuar ashpër sulmin dhe cilësuar atë një tjetër dëshmi të “brutalitetit të luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit rus kundër Ukrainës”. “Ne qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën dhe Shqipërinë”, thuhej në reagimin e delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Kundër reagimet vazhduan edhe të martën, kur gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e Shërbimit Europian për Veprim të Jashtëm, akuzoi Rusinë se po “përpiqet të përhapë panik” me paralajmërimet e saj.
“Ata duan frikë dhe izolim në Ukrainë dhe më gjerë, por kemi një mesazh të qartë: kjo nuk do të funksionojë. BE po ruan praninë dhe aktivitetin e saj në Kiev, dhe këto kërcënime duken si shenjë dëshpërimi” tha Hipper.
Ndërkohë, diplomatët europianë në kryeqytetin ukrainas kanë refuzuar të zbatojnë sugjerimin e Moskës për t’u larguar nga qyteti.
“BE nuk po shkon askund. Ne do të qëndrojmë në Kiev,” deklaroi të hënën ambasadorja e BE në Ukrainë, Katarína Mathernová.
Edhe një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme franceze i tha France Info se “as që bëhet fjalë” për evakuimin e stafit francez nga Kievi. Edhe Ministria e Jashtme e Polonisë dënoi paralajmërimet ruse, duke thënë se çdo sulm ndaj ambasadës së saj do të konsiderohej “akt armiqësor”.
Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme gjermane i tha POLITICO-s se kërcënimet ruse ndaj qytetarëve të huaj “tregojnë se Rusia mbetet e përkushtuar ndaj përshkallëzimit”. Ai shtoi se Berlini “po vlerëson vazhdimisht situatën e sigurisë” në Kiev.
Sulmet e fundit ruse ndaj kryeqytetit ukrainas erdhën si përgjigje ndaj një sulmi ukrainas në qytetin e pushtuar Starobilsk, ku zyrtarët rusë thanë se ishte goditur një konvikt studentësh, duke vrarë 21 persona të moshës 18 deri në 21 vjeç. Ushtria ukrainase mohoi përgjegjësinë, duke deklaruar se kishte goditur një objektiv ushtarak rus.
Nuk është hera e parë që Rusia u kërkon diplomatëve të huaj të largohen nga kryeqyteti ukrainas. Më herët gjatë muajit maj, Ministria e Jashtme ruse bëri thirrje për evakuimin e personelit diplomatik, duke shkaktuar reagime të ashpra nga zyrtarët europianë. Në atë kohë, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul deklaroi për Bloomberg TV se Berlini nuk do të “intimidohej” nga këto paralajmërime.
Diplomatë nga më shumë se 70 vende iu bashkuan të hënën ministrit të Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha për të vizituar zonat e goditura nga sulmet e fundjavës. Në vizitë morën pjesë edhe përfaqësues të vendeve të BE-së, përfshirë Suedinë, Austrinë, Irlandën dhe Lituaninë.
Komente







