Moti i ftohtë ka pushtuar vendin prej disa ditësh, e ndërsa temperaturat në minus gradë celcius kanë vijuar edhe gjatë natës.  

Situata paraqitet  më problematike krahasuar me ditën e djeshme, dhe shkak për këtë janë bërë ngricat që kanë mbuluar disa akse kryesore në vend. Dëbora dhe ngricat kanë pushtuar veriun ku mësohet se shumë fshatra dhe rrugë janë të bllokuara nga reshjet e dendura të dëborës që kanë rënë në 24 orët e fundit.

14:00 OSHEE: Pa energji elektrike disa zona, po punohet pë riparimin e tyre
Si pasojë e motit të keq me temperatura të ulëta dhe reshje bore e ngrica në zonat malore, në rrjetin elektrik të shpërndarjes janë shfaqur probleme në linjat e tensionit të mesëm dhe të ulët. Aktualisht, rajonet më të prekura nga defektet vazhdojnë të jenë ai i Kukësit, i Burrelit , i Durrësit, i Shkodrës për shkak të motit të keq me reshje dëbore dhe erëra të forta. Rreth 1800 punonjës të OSHEE janë angazhuar në terren për riparimin e avarive. Pa energji janë disa zona në rajonin e Shkodrës, Kukësit, Burrelit, Durrësit.  Ndërkohë bëhet e ditur se rreth 1800 punonjës të OSHEE janë angazhuar në terren për riparimin e avarive.

13:20 Zhbllokohet rruga Prekali-Kir-Mali i Shoshit-Gjeologji
Pas një dite është bërë e mundur zhbllokimi i aksit rrugor Prekali-Kir-Mali i Shoshit-Gjeologji. Ky segment rrugor është bërë i kalueshëm vetëm për mjete fuoristrada m zinxirë. Ndërkohë është parashikohet që të ndërhyhet në segmentin rrugor Qafa e Thores-Theth edhe pse vlerësohet si një me rrezikshmëri të lartë për punonjësit për shkak të ortekëve të mundshme. Raportohet se prej tre ditësh nuk ka energji ne NJA Pult për shkak të dëmtimit të një linje.

13:00 Bora dhe ngricat e shumta, rrezikohen dy banesa në Theth
Dy banesa janë rrezikuar të shemben gjatë natës së djeshme në fshatin Theth. Banesat janë evidentuar nga administratori i NJA Shalë dhe kryefshatit të Thethit. Shkak për këtë është bërë bora dhe ngricat e shumta. 


10: 45 Emergjencat Civile: Ja si paraqitet situata në qytete deri në 10:45
 
Dibër
Temperatura në qytetin e Dibrës ka arritur deri në -15 gradë celcius e ndërsa në Bulqizë dhe Peshkopi deri -20 gradë celcius. Për shkak të ngricave të shumta në disa fshatra mungon uji i pijshëm. Prej mëse tre ditësh Lura, Kalaja e Dodës dhe Trebishti janë të bllokuara. Gjithashtu raportohet se paksa problematike është situata në aksin Peshkopi- Milot ku edhe me zinxhirë është i vështirë qarkullimi.
 
Kukës
Qarku i Kukësit gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur reshje por fenomeni i uljes së temperaturës ka vazhduar më tej. Lartësia e borës varion në qytete nga 20-30 cm e në zona rurale deri në 1,2 m në Q.Shllak. Në orët në vazhdim nuk priten reshje por do të vazhdojë fenomeni i uljes së mëtejshme të temperaturës. Të gjitha akset nacionale qarkullojnë me zinxhirë. E me shumë vështirësi qarkullohet në akse të veçanta. Nuk është raportuar për problematika të veçanta por mbeten të bllokuara Nja Grykë-Çajë,Kalisë,Arrën ,Surroj,Zapod , Topojan,Shishtavec,Malzi, e
shumë fshatra në bashkitë Has e Tropojë
 
Rruga e Kombit
Rruga e Kombit vijon të ketë qarkullim të kufizuar për mjetet tonazhit të rëndë. Prania e dëborës dhe ngricave kane vështirësuar qarkullimin i cili kryhet vëtëm me zinxhirë. 10 mjete borëpastruese po përshkojnë segmentin nga Tuneli i Kalimashit në Morin,duke hedhur edhe kripë,por temperaturat kanë zbritur shumë. Gjithashtu mësohet se 24 orët e fundit fluksi i lëvizjeve ka qenë më i lartë për shkak të emigranteve kosovarë që kthehen në vendet e perëndimit. Kompania sipërmarrëse po  punon për të vëndosur situatën në kontroll, pasi reshjet kanë pushuar por hera herës krijohen probleme nga stuhitë e dëborës.
 
Lezhë
Në qarkun e Lezhës  janë të bllokuara njësitë administrative të Fanit, Selitës, Oroshit dhe Kaçinarit në  Mirditë. Trashësia e dëborës ka arritur nga 20 deri në  100 cM. Mësohet se rrugët e disa fshatrave janë të bllokuara. Lëvizja në rrugën e Kombit nga Repsi në Kalimash është e kalueshme vetëm me zinxhir pasi ka prezencë ngricash. Në Lezhë është bllokuar dhe njësia administrative e Ungrejt.

Korçë
Në qytetin e Korçës kanë pushuar reshjet e dëborës. Problem mbetet akulli në rrugë si pasojë e temperaturave që shkojnë mbi -10 gradë! Kapshtica e hapur dhe Qafë Thana. Të gjitha akset e tjera janë të kalueshme me zi reshje bore nuk ka pasur! Problem mbeten akulli ne rruge si pasoje e temperaturave qe shkojne mbi -10 grade! Kapshtica e hapur dhe Qafë Thana. Te gjitha akset e tjera me zinxhirë. Vithkuqi dhe Lekasi aktualisht janë  të bllokuara si pasojë nga era e fortë që sjell akoma edhe më shumë borë!

Elbasan
Në qytetin e Elbasanit aksi rrugor Librazhd - Stëblevë, Lunik - Stëblevë vazhdojnë të mbeten të bllokuara e ndërsa po punohet me mjete borëpastruese për hapjen e tij. Pa disa orësh në njësinë administrative Labinot Mal është rikthyer energjia elektrike, ndërsa në  Stëblevë energjia mungon, për shkak se mjetet e OSHEE nuk mund të kalojnë në këtë aks rrugor të bllokuar nga dëbora e madhe.
 
Vlorë
Qarkullimi i mjeteve në Vlorë kryhet normalisht pa zinxhirë. Në Qafën e Muzinës nuk ka pasur reshje dëbore e ndërsa në Qafën e Llogarasë është hedhur kripë dhe skorje në rrugë.

Ora 10:30 Xhika: Të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme

Kreu i ARRSH Dashamir Xhika në një prononcim për Report Tv është shprehur se të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme. Ai u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të bëjnë kujdes  në disa segmente të akseve veriore në Kukës, Dibër dhe pjesërisht në Shkodër.
 
"Të gjitha akset janë të kalueshme, është hapur dhe aksi i vetëm kombëtarë që ishte i bllokuar Qafë Mali FIerzë. Të gjitha akset kombëtare janë të zhbllokuara dhe mund të lëvizet normalisht. Me përjashtim të akseve veriore Kukës, Dibër, pjesërisht Shkodër në orët e para të mëngjesit duhet bërë kujdes në disa segmente. Në disa segmente situata është normalizuar, problematike në rrugën e Kombit kanë qenë vetëm 2 km pas tunelit, për shkak të dëborës por pas disa orësh situata është normalizuar dhe lëvizja kryhet normalisht", u shpreh Xhika.



Ora 10: 00 Porja: Javës tjetër pritet një rritje e lehtë dhe graduale të temperaturave

Meteorologia Lajda Porja në një prononcim për Report Tv është shprehur se dita e sotme dhe e nesërmja do të jetë ditët më të ftohta të vitit e ndërsa nga java tjetër pritet një rritje e lehtë dhe graduale të temperaturave. Temperaturat e ulëta kanë pushtuar vendin. Sipas metorologes në kryeqytet temperaturat shënojnë -5 gradë celcius, në zonat verilindore temperaturat variojnë nga -16 gradë e deri në -20 gradë në zonat më të thella, e ndërsa në zonat juglindore termometri shënon -17 gradë. 

"Nga e hëna do të kemi një rritje të lehtë dhe graduale. Sot dhe nesër janë ditët më të ftohta të vitit", u shpreh Porja për Report Tv.