Përmbytjet/ Buna dhe Shkumbini dalin nga shtrati, nisin evakuuimet në Shkodër! Rriten prurjet në Drin! Pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe të peshkimit

Moti i keq ka goditur Shkodrën! Mbi 200 shtëpi kanë prezence uji, ndërsa janë përmbytur mbi 5 mijë hektarë tokë. Ka nisur evakuimi i familjeve, ndërsa bashkia kërkon sërish shpalljen e emergjencës së fatkeqësisë natyrore në territoret e përmbytura. Edhe shumë lagje në qytetin e Vlorës u përmbytën nga reshjet e dendura. Po kështu rruga nacionale e Orikumit si dhe autostrada Fier-Vlorë patën vështirësi në qarkullim.

Situata në Shkodër është kritike. Rritja e nivelit të liqenit, shkarkimet nga hidrocentralet dhe dalja nga shtrati i lumit Buna kanë përmbytur më shumë se 200 shtëpi. Përmbytjet kanë prekur edhe qytetin. Hyrja e Shkodrës mëngjesin e kësaj të enjte është kthyer si një liqen duke përmbytur lagjet nr.1 dhe nr. 2, në Livadhe, Xhabije, Tophanë, Zoteknikë si dhe shtëpitë në lagjen Tepe dhe Perash.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ndërhyrë për të shpëtuar qytetarët dhe evakuuar një familje në lagjen Perash. Situata është e vështirë dhe për banorët e lagjes Livadhe ku janë evakuuar dy familje me 8 anëtarë. Fshati Obot është krejtësisht i izoluar, ku niveli i ujit shkon mbi një metër. Rruga është e pakalueshme, ndërsa varkat janë i vetmi mjet transporti. Një e moshuar u transportua me urgjence në spital pasi u rrëzua e pësoi fraktura.

Në fshatin Dobrac janë evakuuar mbi 150 krerë bagëti. Si pasojë e vërshimit të ujit u aksidentua kamioni i ushtrisë, por fatmirësisht pa të dëmtuar. Bashkia e Shkodrës i kërkon Qeverisë të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Njësitë administrative Dajç dhe Ana e Malit që janë më të dëmtuarat, me mbi 5 mijë hektarë tokë të përmbytura dhe disa banesa me prezence uji.

Ndërsa në rrugët e Vlorës u përmbytën këtë të enje nga reshjet e dendura të shiut dhe mosfunksionimi të kanalizimeve. Zona e Skelës, lagja Pavarësia, 28 Nëntori, Kushtrimi si dhe lagjia Albano dhe Romina kishin prezencë uji gjatë paradites duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe atutomjeteve.

Po kështu uji ka vërshuar edhe në rrugët e qytezës së Orikumit. Ndërkohë nga moti i keq janë rrëzuar pemë në aksin problematik Vlorë- Orikum,  ku më parë ka pasur rrëshqitje dherash.Edhe përgjatë autostradës Fier - Vlorë në afërsi të fshatit Panaja , nënkalimi është përmbytur. Sipas banorëve shkak është bere bllokimi i kanaleve dhe mungesa e kolektorit.

Në mesditë situata u përkeqësua në zonën e Nartës. Uji që vërshoi në rrugët e Nartës ka ardhur nga kanali i ujërave të larta. Edhe laguna e Nartës po mbushet me mbeturina nga prurja e këtij kanali.Si të mos mjaftonte shiu, zona malore u përfshi dhe nga reshjet e borës, ku drejtuesit e mjeteve hasën vështirësi për të kaluar në Qafën e Llogarasë. Aktualisht aksi Orikum-Himarë është i hapur!

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:58
Era e fortë rrëzon pemën dhe shtyllën elektrike, bllokohet aksi nacional Elbasan-Peqin

 

Era e fortë ka shkaktuar problematika në Elbasan.

Në fshatin Broshkë, një pemë është thyer si pasojë e motit të keq dhe ka përfunduar në rrugë.

Si pasojë e erës së fortë është shkëputur dhe një shtyllë elektrike duke bllokuar kështu aksin nacional Elbasan-Peqin.1613069799_shtylla.jpg

Ora 18:28
Përmirësohet situata gjatë pasdites, uji largohet nga rrugët e qytetit të Vlorës

 

Ditën e sotme disa rrugë në qytetin e Vlorës pati përmbytje nga uji, por që me rënien e intensitetit të reshjeve të shiut ka sjellë përmirësim të situatës. Zona e Skelës, lagja Pavarësia, 28 Nëntori, Kushtrimi si dhe lagjja Albano dhe Romina kishin prezencë uji gjatë paradites duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve, por prej pasdites këto rrugë janë bërë sërish të kalueshme nga automjetet dhe qytetaret.

Ora 18:23
Përmbytje në Shijak, prezencë uji në disa banesa! Në Fushë-Krujë, lumi Ishëm del nga shtrati! Disa zonë në Berat e Kuçovë nën ujë

 

Për shkak të reshjeve të shiut, në zonën e Shijakut ka prani të ujit në disa oborre buzë lumit Erzen. Deri më tani nuk ka banesa të përmbytura nga Erzeni. Ndërkohë në zonën e Fushë-Krujës, lumi Ishëm del sërish nga shtrati.

Është hera e shtatë që nga 31 dhjetori që ky lumë përmbyt me mijëra hektarë tokë bujqësore në ultësirën e rrethit të Krujës dhe në pjesën veriperëndimore të Durrësit, konkretisht disa fshatra të njësisë Ishëm.

Aktualisht nuk ka banesa që rrezikohen por janë me mijëra hektarë tokë bujqësore nën ujë në fshatin Murqinë, Mallkuc e në disa zona të tjera.

E njëjta situatë mbetet dhe në zonën e Kuçovës ku lagjia "Postobllok" është nën ujë.

Banorët apelojnë për ndihmë dhe deklarojnë se kjo situatë krijohet çdo vit,kur ka rreshje të pandërprera dhe prurje të lumit.

Ndërsa në Berat ka prezencë uji në aksin Poshnje-Kutalli-Velmish, pjesë e aksit nacional Berat-Fier. Qarkullimi i automjeteve është vështirësuar së tepërmi.

Uji është duke u shtuar në zonën e fshatit Poshnje,ku në disa pjesë është shndërruar në lumenj të vegjël,kjo edhe për shkak të prezencës së gropave të madhe në këtë segment nacional.

Ora 17:28
Reshjet e shiut/ Rritet niveli i ujit në liqenin e Belshit, del në një pjesë të pedonales

 

Reshjet e shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar jo pak probleme në qytetin e Elbasanit.

Si pasojë, liqeni i Belshit ka pësuar rritje të nivelit të ujit duke bërë që uji të dalë në një pjesë të pedonales.

Ora 14:10
Rëndohet situata e reshjeve në Shkodër, Forcat e Armatosura nisin evakuimin e banorëve dhe të gjësë së gjallë (VIDEO)

Reshjet e dendura kanë sjellë edhe përkeqësim të situatës së përmbytjeve në bashkinë e Shkodrës.

Forcat e Armatosura kanë shtuar praninë në terren për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur dhe pushtetit lokal për të përballuar situatën.

Trupat dhe mjetet e batalionit të i të këmbësorisë së Vaut të Dejës (b1k) evakuuan 2 familje në lagjen “Iliria” të qytetit të Shkodrës, të cilat u transportuan për t’u strehuar në konviktin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Gjithashtu, trupat dhe mjetet e b1k evakuuan rreth 150 krerë bagëti e imët nga lagjja e njohur si Livadhet pranë bregut të liqenit në qytetin e Shkodrës.

Në njësinë administrative Dajç, trupat dhe mjetet e b1k evakuuan rreth 2000 shpendë nga një fermë private, për t’i dërguar në fshatin Shirq.

Në fshatin Obot të njësisë administrative Ana e Malit vijon transporti i banorëve për nevojat e tyre të përditshme nëpërmjet mjeteve lundruese të batalionit të mbështetjes rajonale (BMR) dhe mjeteve të kalueshmërisë së lartë të b1k.

BMR ka angazhuar në bashkinë e Shkodrës 7 mjete lundruese, të cilat mundësojnë lëvizjen e banorëve dhe janë në gatishmëri për çdo evakuim të mundshëm.

Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile Haki Çako dhe prefektja e qarkut Majlinda Angoni po ndjek situatën në zonat e përmbytura në bashkinë e Shkodrës.

Në gjithë qarkun e Shkodrës janë 5030 ha sipërfaqe totale e përmbytur, ndërkohë që ka prani të ujit në disa banesa në lagjet e qytetit dhe në njësitë Ana e Malit dhe Dajç.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim me pushtetin vendor po monitoron situatën dhe po koordinon punën për përballimin sa më të mirë të gjendjes së shkaktuar.

Ora 14:04
Situata problematike në Shkodër, banorët bëjnë apel: Duam ushqim për bagëtinë (VIDEO)

Situata në Shkodër është rënduar për shkak të përmbytjeve.

Në një prononcim për ReportTV banorët i bëjnë apel institucioneve shtetërore për tu ardhur në ndihmë për ushqim për bagëtinë dhe për bazë ushqimorë.

Banorët janë të gatshëm të evakuuohen, por me kusht që të ruhet gjëja e gjallë dhe banesat e tyre të mbeten të paprekshme.

'Nuk ka më keq, me tre fëmijë jam unë bagëtia në ujë. Pa ndihmën e kurrkujt, nuk kemi as ujë as ushqim por të paktën për bagëtinë, sepse fëmijët nuk po i lëmë. kemi 24 orë nën ujë. është bllokuar edhe rruga.'- shprehet banorja.

Ndërkohë që për shkak të përmbytjeve dhe rritjes së nivelit të lartë të ujit, një makinë e ushtrisë është rrëzuar në fshatin Goricë në anën e Malit.

Ora 13:06
Përmbytjet/ Uji deri në gju në disa familje në Shkodër, ky është momenti kur nxirren në krahë nga shtëpitë (VIDEO)

Rëndohet situata e përmbytjeve në Shkodër. Uji ka vërshuar nëpër banesa në nivel të lartë saqë është bërë e pamundur për familjarët që të qëndrojnë brenda.

Siç shihet dhe nga pamjet e Report Tv, ky është momenti kur disa familje shtëpitë e të cilave janë mbushur me ujë, shpëtohen.

Situata e përmbytjeve paraqitet e rënduar në disa zona, por më problematike mbetet Shkodra.

Ora 11:39
Reshje të dendura shiu, përmbytet rruga që të çon në fshatin Nartë (VIDEO)

Rruga që të çon në fshatin Nartë është nën pushtetin e ujit. Për të shkuar në këtë fshat duhen makina të larta pasi niveli i ujit në rrugë është i lartë.

Uji që ka vërshuar në rrugën e këtij fshati ka ardhur nga kanali i ujrave të larta, ku sasia e madhe e ujit nuk e përballon hodrovori dhe për pasojë shkarkon në rrugë.

Ndërkohë që edhe laguna e Nartës po mbushet me mbeturina nga prurja e këtij kanali.

Ora 10:33
Shi i rrëmbyeshëm, disa rrugë në qytetin e Beratit nën pushtetin e ujit, mbulohen edhe trotuaret (VIDEO)

Moti i keq me rrebeshe shiu dhe stuhi ka përfshirë që prej orëve të para të mëngjesit edhe qytetin e Beratit, duke shkaktuar përmbytje në disa akse rruge në qytet.

I favorizuar edhe nga era e fortë, shiu ka depërtuar në rrugë, duke vështirësuar mjaft lëvizjen e automjeteve dhe të këmbësorëve. Situata më problematike paraqitet në akset rrugore: “Spital-Uznovë”, “Stadiumi i Vjetër” dhe "Axhensi", ku duket qartë edhe nga pamjet filmike që uji ka vërshuar në rrugë dhe ka mbuluar edhe trotuaret.

Rreshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar probleme edhe në bllokimin e kanalizimeve në qytet pasi siç shihet nga pamjet pusetat e ujërave të zeza kanë dalë jashtë përdorimit, duke e nxjerrë jashtë në rrugë ujin e prurë nga rreshjet.

Kjo situatë në Berat përsëritet sa herë që ka reshje intensive shiu dhe shkak për këtë bëhet bllokimi i tubacioneve të ujërave të larta, të cilat bëjnë që i gjithë uji të vërshojë në çdo rrugë e lagje të qytetit. Në rrugë kanë dalë tashmë edhe punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrimit në bashkinë e Beratit, të cilët po bëjnë të mundur zhbllokimin e pusetave, në mënyrë që të mundësohet edhe tërheqja e ujit nga rrugët.

 

Ora 10:12
Reshje të dendura në të gjithë vendin, ARRSH jep njoftim mbi gjendjen e akseve rrugore

Autoriteti i Rrugor Shqiptar ka bërë një njoftim zyrtar mbi gjendjen e akseve rrugore, pas reshjeve të dendura që kanë përfshirë vendin.

Sipas njoftimit të ARRSH-së, reshjet kanë sjellë problematika në rrugë, por pa penguar qarkullimin e mjeteve.

Njoftim mbi gjendjen e akseve kombëtare:

Gjatë natës ka pasur reshje me intensitet në të gjithë territorin, të cilat kanë sjellë edhe problematika në rrugë, por pa penguar qarkullimin e mjeteve Qarkullimi vazhdon normalisht.

Është punuar për rënien e inerteve, në aksin e Valbonës.

Në Skuraj-Burrel tek aktivizimi i rrëshqitjes në km 14+ 600.

Në km 87, në fshatin Vrishë, aksi Fushë Arrëz-Kalimash.

Po punohet në Shëngjergj për rrëshqitjen e një masivi me zhavorishte.

Në Llogara ka patur reshje breshëri me intensitet shume të lartë, është punuar nga kontraktori për pastrimin

Drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm për shkak të reshjeve, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore.

Ora 09:50
Borë dhe shi në Llogara, rruga vështirësisht e kalueshme (FOTO-VIDEO)

Shoferët që do u duhet të kalojnë në llogara, do duhet që të bëjnë shumë kujdes, pasi rruga është e vështirë për t’u kaluar, Kjo për shkak të borës dhe shiut që ka rënë.

 

Ora 09:22
Moti i keq/ Pa energji disa fshatra në qarkun e Elbasanit dhe Korçës

Si pasojë e motit të keq, disa fshatra të njësisë Administrative Kodovjat Kodovjat të bashkisë Gramsh, Shalës të bashkisë Cërrik dhe Përparim të bashkisë ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Në disa akse ka pasur rënie të inerteve.

Nga ana tjetër probleme me energjinë ka pasur edhe në qarkun e Korçës, në Devoll Peshtan, Kodras si edhe në fshatrat e Vithkuqit.

Ora 09:06
Moti i keq/ 300 hektarë tokë bujqësore të përmbytura në Torovicë

Problematike paraqitet situata edhe në qarkun e Lezhës, ku gjendja është jo e mirë në Torovicë, në të cilën janë 300 hektarë tokë bujqësore. Niveli i ujit ka arritur deri në 40 mm.

“Gjatë natës, kemi patur reshje me intesitet mesatar dhe të dobëta, të cilat vazhdojnë edhe tani.
-Sasia e reshjeve të rëna në shkallë qarku është rreth 40 mm.
-Në shkallë qarku, si pasojë e reshjeve të rëna mbrëmë, kemi të përmbytura rreth 300 ha, sipërfaqe të tokës bujqësore në zona depresive, në ish-këneten Torovicë, nj.ad. Balldre, bashkia Lezhë.
-Hidrovoret janë në punë me kapacitet të plotë për evadimin e ujrave, konkretisht niveli i ujit është në rreth 10-35 cm mbi kuotat normale, por pa probleme.
-Lumenjët kanalet e ujrave të larta ato të dyta dhe të treta, janë rreth 25-45 cm mbi kuotat normale, por pa problem.
-Rezervuaret, janë në monitorim, veprat e marrjes janë të hapura për shkarkimin.
-Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, është normal.
Me datën 10.01.21, rreth ores 18.00, specialistët e OSHE-së, dega Lezhë, bëri zëvëndësimin e trasformatorit të djegur, në fshatin Blinisht, nj.ad.Blinisht, bashkia Lezhë.
-Rrugët nacionale, rurale e bashkiake në tërsi janë të kalushme.
Problem paraqet rruga rurale Rrëshen-Bukmirë, sepse kemi rreshqitje të dherave dhe ulje të shtratit të rruges, duke vështirësuar levizjen e mjetëve. Rruga po mirëmbahet nga bashkia Mirditë”, njoftojnë Emergjencat civile.

Ora 08:56
Moti i keq/Buna del nga shtrati, evakuohen mbi 10 familje! Rriten prurjet në Drin

Lumi Buna ka dalë nga shtrati, teksa mësohet se janë evakuuar disa familje. Në raportin zyrtar bëhet e ditur se ka rritje të prurjeve të lumit Drin.

“Gjatë 24 orëve te fundit ka rritje të nivelit të ujit nga prurjet, shkarkimet, reshjet në të gjithë territorin në Shkodër.  Në territorin e Bashkisë Shkodër, janë rritur së tepërmi nivelet e lumenjve.

Lumi Buna ka dalë nga shtrati. Rritja e nivelit të liqenit ka  krijuar  vështirësi qarkullimi në disa lagje qytetit, duke rrethuar nga uji territorin që shtrihet në pjesën veriperëndimore të qytetit si lagjet nr.1 dhe nr. 2, në Livadhe, Xhabije, Tophanë, Zoteknikë, shtëpitë në lagjen Tepe, Perash.

Ka rritje të prurjeve të lumit Drin. Mbrëmë natës në qytetin e Shkodrës janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në qytet mbi dhjetë familje tek të afërmit e tyre dhe në strehime të tjera.  Gjatë natë forcat zjarrëfikëse kanë punuar për largimin ujit nga shtëpitë të cilat kanë patur prezencë uji në oborre.

Ora 08:03
Përmbyten disa lagje, niveli i ujit mbi 50 cm! Rrëzohet pema, bllokohet aksi Vlorë-Orikum (VIDEO)

Reshjet e dendura të shiut  kane bërë që disa rrugë dhe lagje në qytetin e Vlorës të përmbyten. Siç shihet në pamjet që Report Tv nieli i ujit ka arritur deri në 50 cm, bëhet fjalë për lagjen  “Albano” dhe “Romano”. Nga ana tjetër, nga sa raporton gazetari Armand Xhelili, në aksin Vlorë- Orikum është rrëzuar një pemë, për pasojë rruga është bllokuar.

B.K./E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Edi: 11/02/2021 20:16

    Keto jane trillime. Shpifje te Lulit dhe Saliut. Foto te montuara. Ska shanc te kete permbytje sa kohe kemi Ramen me Erjonin ne krye. Ska shanc!!!

    Përgjigju
  • ymeri: 11/02/2021 17:10

    Thelloni lumejte dhe kanalet kulluese,,nuk ka rruge tjeter,....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm