Një udhërrëfyes nepalez i zhdukur prej ditësh në Everest është gjetur i gjallë, në atë që autoritetet dhe komuniteti i alpinizmit po e cilësojnë si një nga rastet më të rralla të mbijetesës në malin më të lartë në botë.

Dawa Sherpa, 52 vjeç, po zbriste nga Everesti së bashku me një alpinist polak pasi kishin dështuar të arrinin majën. Gjatë kthimit, në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht, ai u nda nga klienti i tij dhe humbi pa lënë gjurmë.

Alpinisti polak arriti të kthehej në kampin bazë, ndërsa për Sherpën nuk pati asnjë informacion për ditë me radhë. Ai u pa për herë të fundit më 29 maj dhe me kalimin e ditëve shpresat për ta gjetur gjallë po pakësoheshin.

Mrekullia ndodhi kur një ekip që po pastronte malin pas përfundimit të sezonit të ngjitjeve e gjeti pranë akullnajës Khumbu, një nga zonat më të rrezikshme të Everestit. Sipas autoriteteve nepaleze, 52-vjeçari kishte arritur të mbijetonte për gati një javë në kushte ekstreme, pa ushqim, pa ujë dhe pa oksigjen shtesë.

Pas shpëtimit, ai u transportua menjëherë me helikopter drejt spitalit, ku po trajtohet për ngrirje dhe probleme të tjera shëndetësore të shkaktuara nga ekspozimi i gjatë ndaj të ftohtit.

“Ai më njohu. Është mirë dhe po flet”, tha vajza e tij, Mhendo Lhamo Sherpa.

Kompania Nepaleze e Ecjes në Everest e quajti rastin një “mrekulli të vërtetë”, duke theksuar se mbijetesa për kaq shumë ditë në ato lartësi dhe temperatura është jashtëzakonisht e rrallë.

Këtë sezon, mbi një mijë alpinistë dhe guida morën pjesë në ekspedita drejt Everestit, ndërsa pesë persona humbën jetën. Pikërisht për këtë arsye, historia e Dawës po konsiderohet si një nga rastet më të jashtëzakonshme të mbijetesës në malin më të lartë në botë.