'Muçmolla përtej murit të drejtësisë'

'Muçmolla përtej murit të drejtësisë'

Muçi apo Muço, një nga ata emrat tipikë shqiptarë, si puna e Gencit, Benit, Teftës e të tjerëve, që pak nga pak janë shndërruar në emra arkaikë.

E historia e Muçit, këtë herë si gjykatës, ka shumë elementë tradicionalë shqiptarë ose më saktë, nga ato elementët që sot përcaktojnë hendekun midis arkaikes dhe avant-gardës.

Por, le t’i marrim gjërat me radhë. Ditën e sotme, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra Besnik Muçin, kandidatin që presidenti Ilir Meta dekretoi si gjykatës i gjykatës më të lartë në vend, Gjykatës Kushtetuese.

Arsyeja e shkarkimit është sa e thjeshtë, aq edhe shqiptare: Një gjykatës që ka nja 2-3 shtëpi që nuk di ti justifikojë, lekë borxh tek vjehrri, xhaxhai, tezja e kushërinjtë, e ca hektarë tokë në Pogradec. Me pak fjalë, gjëra gati të papërfillshme.

Por, historia e Muçit vishet me një tis surrealizmi për tre arsye të tjera. E këtu qëndron i gjithë thelbi i debatit që me shumë gjasa do të konsumojë politikën shqiptare nga sot, në disa ditë në vazhdim.

E para, kemi një gjykatës që nuk njeh vetingun. A thua se kjo është një procedurë opsionale, ku vetë i pandehuri mund të zgjedhë të pranojë apo jo dënimin.

Arsyeja përse Muçi nuk njeh vendimin është edhe më absurde. Sipas tij, nga momenti që ai u emërua në Gjykatën Kushtetuese, nuk është më as gjykatës dhe as prokuror, e si i tillë nuk është më subjekt i vetingut.

Me këtë logjikë, i bie që nëse i gjithë sistemi i drejtësisë po pastrohet nga prokurorët e gjykatësit e korruptuar, ata që ndodhen në majën e kupolës së drejtësisë të jenë imunë nga korrupsioni, mitmarrja, nepotizmi e çdo allishverish tjetër.

Metoda e përdorur për të justifikuar logjikën e tij të mbrapshtë, nga gjykatësi në fjalë nuk është për fat të keq e panjohur. Teknikalitetet, sidomos ato që nuk mishërohen në asnjë trup ligjor, janë shndërruar në një specialitet “a la carte” për Presidentin e Republikës.

Që prej refuzimit të dekretimit të ministrave, përpjekjes së anullimit të zgjedhjeve, non grata e ambasadorëve, refuzimi i dekretimit të zgjedhjeve lokale apo kundërshtimit të reformës në drejtësi, në çdo rast Presidenti ka zgjedhur të zëvendësojë dispozitat e qarta ligjore me hamendësime e argumente politike.

E duke marrë shkas nga teknikaliteti, arrijmë tek pika e tretë surreale e të gjithë asaj që ndodhi sot në KPA. Dy kandidatë ka paraqitur presidenti, të dy të papranueshëm.

I pari, Muçi sepse ka një pasuri që nuk ta justifikojë. E dyta, Marsida, partnerja e padeklaruar e deputetit Alibeaj, edhe ajo me probleme të tjera të argumentuara nga DSIK dhe SHISH, probleme që një president i mëparshëm, zoti Moisiu i quajti të mjaftueshme për të mos e dekretuar në një rast të mëparshëm.

E nëse e para mund të jetë rastësi, e dyta është një konfirmim. Të dy kandidatët e presidentit janë figura që kanë “skelete në sirtar”. Që do të thotë, të dy janë të shantazhueshëm.

Të dy janë shumë larg figurës së kërkuar të gjykatësit të ri, por për konveniencën e kreut të shtetit, të dy, ca falë lidhjeve e ca këtyre skeleteve, shihen si ushtarë të bindur, në gjendje për të ndaluar procesin e shkarkimit të vetë Metës, që do të jetë edhe çështja e parë që do të gjykojë Gjykata Kushtetuese.

Ndaj edhe sot, “muçmolla” që Presidenti tentoi të kalojë përmbi murin e vetingut, është një tjetër akt pjesë e një lëvizje të dëshpëruar, që sheh një President arkaik, duke luftuar me çdo forcë për të mbajtur gozhdën e vjetër të kontrollit mbi drejtësinë.

E gjithashtu, një “muçmollë” e hidhur, e hedhur mbi mur me shpresën se do t’i ngecë në grykë amerikanë dhe europianëve, pikërisht atyre që kanë mbështetur dhe ideuar atë veting, që sot Presidenti dhe Muçi i japin vetes privilegjin të mos ta njohin.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 21/11/2019 17:59

    Vetingu vendosi per pezullimin e zotit Muci nga te gjitha detyrat shteteror ne organet e drejtesise, por ama lind pyetja, se perse KED i futi ne lista keta te dy kur nuk kishin mbaruar procesin e vetingut.A ka pergjegjesi ligjore KED ne rastin konkret ,kur dihet qe flitet per organin me te larte te kupoles se drejtesise sic eshte gjykata Kushtetuese ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë