Muhamed Veliu padit për shpifje
Armand Shkullakun e Andi Bushatin

Muhamed Veliu padit për shpifje<br />Armand Shkullakun e Andi Bushatin
Gazetari i sektorit të politikës në televizionin “Top Channel”, Muhabet Veliu ka ngritur një padi për shpifje ndaj dy gazetarëve Armand Shkullaku dhe Andi Bushati.
 
Shkak është bërë një shkrim i publikuar në portalin e drejtuar nga këta dy të fundit. Në shkrimin në fjalë, shkruhet se Veliu gjatë konferencave për shtyp të kryeministrit Edi Rama merr fjalën për të bërë pyetje që i jepen nga zyra e kreut të qeverisë.
 
Shkrimi kishte të bënte me rastin e vizitës së kancelares gjermane në Tiranë, Angela Merkel, ku gazetari Veliu i drejton pyetjen lidhur me kohës se kur mund të hapen negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
 
Veliu, i bindur se do ta fitojë këtë gjyq, shprehet se, “sot në Shqipëri, disa nga portalet informative, jo vetëm që kanë tejkaluar çdo skaj moral të informimit të publikut, por krejt çuditërisht janë kthyer në denigrues dhe përçmues të profesionit të gazetarit/reporterit”.
 
Duke njoftuar për dorëzimin e padisë civile në Gjykatën e Tiranës ndaj botuesve të portalit “Lapsi”, Armand Shkullaku dhe Andi Bushati, Veliu shprehet se, “gjithçka që do të më akordohet nga vendimi i gjykatës, si dëmshpërblim në formën monetare, do ta përdor në blerjen e literaturës dhe studime për shpifjen, të cilat do t’i dhurohen Fakultetit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.”


 
Statusi i gazetarit Muhamed Veliu në Facebook:

Pas asaj që përjetova në Britaninë e Madhe rreth 9 vite më parë, një betejë ligjore e fituar denjësisht dhe me të drejtë në Gjykatën e Lartë Mbretërore me gazetën “Bota Sot”, e cila është kthyer në rast studimor në universitet e gazetarisë atje, nuk ma kish pritur kurrë mendja që do të gjendesha përsëri, përballë të njëjtës situatë.

Por siç thonë dhe anglezët: “Never say never” (Kurrë mos thuaj kurrë).
Dhe ja ku jam sot sërish në dyert e Gjykatës së Tiranës, për të nisur një betejë sa njerëzore ashtu dhe profesionale, kundër shpifjes në gazetari. Ky është një profesion ku përpos përgatitjes, devotshmërisë dhe pasionit kërkon dhe sinqeritet përballë publikut, se në fund të fundit, kontrata ime është me ta.

Për ne, në këtë profesion nuk mjafton një jetë për të përmbushur misionin unikal që ka gazetaria. Sot në Shqipëri, disa nga portalet informative, jo vetëm që kanë tejkaluar çdo skaj moral të informimit të publikut, por krejt çuditërisht janë kthyer në denigrues dhe përçmues të profesionit të gazetarit/reporterit.

Andaj, me bindje e besimplotë se e drejta do të vihet në vend ashtu siç i ka hije një vendi që aspiron familjen Evropiane, sot së bashku me avokaten time, Arnida Çapi dorëzuam në Gjykatën e Tiranës padinë civile ndaj “Lapsi.al” dhe botuesve të këtij portali, Armand Shkullaku dhe Andi Bushati për artikullin shpifës ndaj meje me titull "Merkel i përgjigjet ftohtë pyetjes së parapërgatitur të Top-Channel" datë 8 Korrik 2015, ku shpifet se: "Muhamed Veliu merr gjithnjë pyetje të gatshme nga zyra e shefit të qeverisë.”

Nuk do doja kurrë të isha në një betejë ligjore përballë asnjë kolegu gazetar, por ne kushtet e cenimit te reputacionit tim profesional dhe personal, jam i detyruar t’i drejtohem gjykatës. 

Thonë që drejtësi është e vërteta në veprim, për punën tonë e vërteta nis që në orët e para të mëngjesit e mbyllet bashkë me ditën tonë.

E nëse drejtësia jonë, drejtësia e këtij vendi, do të vendosë pikat mbi “i” për këtë çështje, gjithçka që do të më akordohet nga vendimi i gjykatës, si dëmshpërblim në formën monetare, do ta përdor në blerjen e literaturës dhe studime për shpifjen, të cilat do t’i dhurohen Fakultetit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

Në mënyrë që gazetarët e ardhshëm të këtij vendi të kuptojnë më mirë se çfarë do të thotë t’i përdorësh fjalët për shpifje. Unë e dua këtë profesion, dhe nuk do lejojë askënd që vitet e investuara në të, të cenohen, dëmtohen dhe shtrembërohen nga qëllime meskine apo goditje poshtë brezit.

veliu
(Në foto: Lajmi i publikuar në portalin "Lapsi.al")



Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë