670 persona në total kanë shprehur interes për t’u përfshirë në Paketën e Maleve në territorin e Bashkisë së Shkodrës, një proces që synon nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave malore.
Të dhënat janë bërë publike nga Mikel Kopsaj, Drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Shkodër, gjatë një interviste për mediat.
Duke marrë parasysh potencialin e lartë zhvillimor të territorit dhe interesin e shtuar nga përdoruesit dhe investitorët, me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 714, datë 26.11.2025, pas propozimit të Bashkisë Shkodër, janë shpallur zonat e para prioritare për zhvillim.
Sipas shifrave të publikuara, zonat që kanë regjistruar numrin më të lartë të aplikimeve janë Theth– Ndërlysaj me 274 aplikime dhe Rragam – Sheldi me 51 aplikime.
Në vijim, Bashkia Shkodër ka hapur thirrjen publike për aplikuesit e interesuar, të cilët duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës përmes portalit e-Albania, me qëllim nisjen e procedurës së njohjes si posedues jopronar.
Sipas Bashkisë Shkodër, Paketa e Maleve pritet të krijojë mundësi konkrete për investime, duke ndikuar në zhvillimin ekonomik lokal, rritjen e turizmit malor dhe forcimin e qëndrueshmërisë së zonave prioritare.
Duke parë interesin e lartë të shprehur edhe në zona të tjera, Bashkia Shkodër ka dërguar kërkesë për shpalljen si zona prioritare edhe për fshatra të njësive administrative Shalë, Pult, Shosh dhe Postribë.











Komente
Komento