Tirana dhe Erzeni luajnë nesër për javën e nëntë në Superligë. Bardheblutë kanë zgjedhur që takimi i orës 17:45 të zhvillohet në "Elbasan Arena", kjo për shkak të kushteve më të mira të fushës. Përpara ndeshjes në konferencën për mediet ka folur trajneri i kampionëve në fuqi të vendit, Orges Shehi. Durrsaku ceku mbrojtjen e fortë të Erzenit dhe ngjeshjen pas në prapavijë.
"Pas fitores me Bylis vjen Erzeni - Përsa i përket Ballshit është një ndeshje e kaluar. Na kënaqën tri pikët por përqëndrimi është te Erzeni. Është ndeshja e fundit e fazës së parë dhe duam të bëjmë maksimumin për ta mbyllur fazën e parë me sa më shumë pikë. Skuadra që na vjen përballë nesër me vetëm 2-3 momente që nuk ka marrë atë që ka dashur. Skaudër që kërkon të qendrojë në pozita mbrojtëse shumë mirë dhe ia ka dalë.
Mungesat - Gjendja nuk është optimale. Limaj është jashtë që pas Bylis. Toshevski është me Maqedoninë e Veriut dhe 2-3 shqetësime të vogla që shpresojmë t’i rikuperojmë.
Mosnjohja e Erzenit – Statistikat janë të sakta. Kemi vite që nuk përballemi pasi kundërshtari ka qenë edhe një kategori më poshtë por kemi informacion mjaftueshëm. Nuk është ndeshje që luhet në fillim të kampionatit por kanë kaluar 8 javë dhe e kemi një tablo. Në futboll nuk ndikon shumë e shkuara por e tashmja dhe nesër është një ndeshje që ne e vlerësojmë shumë si ndeshjen përmbyllëse të fazës së parë", tha Shehi fillimisht.
Trajneri më pas u ndal në fundin e fazës së parë dhe tre ndeshjet e radhës në shtëpi, duke shtuar se tanimë zhvillimi i ndeshjes si vendas nuk është më tabu në kampionat. Shehi tregoi se organika e re e Tiranës do kohë, pasi në verë u ndërruan 11 elementë në ekip.
"Ndeshja e fundit e fazës së parë - Kemi edhe tre faza të tjera. Ka shumë ndeshje përpara por ne kërkojmë gjithmonë që të përmirësohemi. Sigurisht ka momente ku ato që kemi dhënë në fushë mund të kishim disa pikë më shumë por futbolli i tillë është. Por, jemi të kënaqur me atë që kemi prodhuar.
Tre ndeshje në shtëpi - Tabuja e fushës ka rënë në kampionatin tonë. Pikët i kemi marrë më shumë në transfertë. Ndeshjet brenda kemi lënë 5 pikë me Vllazninë dhe Laçin. Zgjodhëm "Elbasan Arena" si një terren për të qenë më afër cilësive tona individuale dhe shpresojmë që të marrim pikët maksimale.
Fitorja nesër ju mban 2 pikë më pak se sezoni i shkuar? Vazhdimësia në futboll është shumë e rëndësishme dhe aq më shumë për ne që kemi 10-11 lojtarë të rinj në organikë dhe me këtë vazhdimësi është gjë e mirë sepse skuadra është gjithnjë pranë objektivave.
E prisnit këtë rezultat pas ndryshimeve në organikë? - Kemi pasur vështirësi. Skuadra është konfiguruar në momentin e fundit dhe kjo të çekuilibron paksa manovrat dhe duhet të ndërtosh nga e para dhe në futboll duhet kohë për të perfeksionuar manovrat. Pritshmëritë tona i kemi gjithmonë të larta edhe pasi lojtarët i kemi shumë cilësor por edhe objektivave të klubit që ndërtohet gjithmonë për të fituar", tha Shehi.
Pas tetë javësh në Superligë, Tirana me 15 pikë qëndron në vendin e dytë pas Partizanit kryesues (16). Erzeni ka grumbulluar 12 pikë pas tetë javësh për vendin e tretë.