TIRANË- Në një kohë kur opozita ka bllokuar edhe këtë seancë parlamentare, foltoren, kryeministri Edi Rama thotë se nuk është gjë tjetër veç se një tentativë për të manipuluar opinionin publik, pasi ai thekson se drejtësia amerikane nuk ka asnjë akuzë ndaj tij.

 Ndonëse mungoi në Kuvend, në interpelancën e thirrur nga grupi i Alibeajt, Rama zgjodhi që t’u përgjigjej akuzave të opozitës me anë të një postimi në twitter, duke thënë se opozita e ‘Non Gratave’, referuar Sali Berishën, po vë në diskutim drejtësinë amerikane, e këtë e quan një tallje të madhe me shqiptarët, pasi nuk mund të ndodh kurrsesi një gjë e tillë.

Në vijim të kësaj deklarate, Rama shton se për aq kohë sa drejtësia amerikane nuk ka asnjë akuzë ndaj tij, marrëdhëniet me SHBA nuk janë cenuar aspak, përkundrazi janë më të forta se kurrë.

“Një abuzim total me lirinë e fjalës,me të vërtetën,me publikun,në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu! Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike,mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim.

Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë", shkruan Rama. 

Nga Kuvendi, Bardhi iu përgjigj Ramës për postimin e bërë, duke thënë se nuk duhet të fshihet pas rrjeteve sociale, por të vijë të përballet në Kuvend.

“Mos të fshihet në twitter, por të vijë të japë llogari nëse ka diçka për të thënë”, tha Bardhi nga Kuvendi.

Ky reagim vjen në një kohë kur Kuvendi është “pushtuar” nga një situatë kaotike. Kuvendi rrëzoi kërkesën e deputetëve të Berishës për të [përfshirë në rendin e ditës së sotme kërkesën për mocion me debat, e ndërsa grupi i Enkelejd Alibeajt refuzuan që të vazhdonin interpelancën me të deleguarën e Ramës, Elisa Spiropali.

Postimi i kryeministri Edi Rama