Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, doli në mbrojtje të vendimit të qeverisë për t’u dhënë status ligjor rreth gjysmë milioni emigrantëve që jetojnë në Spanjë pa dokumenta, pasi iniciativa u kritikua hapur nga Elon Musk.

Përplasja shpërtheu në platformën X, ku Musk ripostoi një koment që akuzonte qeverinë spanjolle se po legalizonte emigrantët për të frenuar të djathtën ekstreme. Reagimi i tij ishte i shkurtër: “Wow”.

Sanchez iu përgjigj në po të njëjtën platformë: “Marsi mund të presë. Njerëzimi jo”, duke mbrojtur hapur politikën e tij për emigracionin.

Vendimi i Madridit ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare sepse shkon kundër valës anti-emigracion që po fiton terren në politikën europiane dhe që ka ndikuar edhe në rikthimin e president Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, një fushatë ku Musk pati rol aktiv.

Nisma e Spanjës vjen në një moment tensionesh në SHBA ku agjentë të emigracionit kryejnë arrestime në masë të emigrantve. 

Spanja ka ndjekur një rrugë të ndryshme nga shumë vende të tjera europiane. Me rreth 50 milionë banorë, ekonomia spanjolle ka shënuar rritje më të shpejtë se mesatarja e eurozonës, ndërsa papunësia ka rënë nën 10% në fund të vitit 2025, niveli më i ulët në gati 18 vjet.

Parashikimet flasin për një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 2.2% në vitin 2026, kundrejt 1.2 për qind për eurozonën. Emigracioni, përfshirë edhe atë nga Amerika Latine, ka ndihmuar në plotësimin e vendeve bosh të punës.