PRISHTINË - Komunat kufitare, përfshirë edhe Gjakovën do të zënë vend të veçantë në qeverisjen aktuale. Kështu ka thënë kryeministri Isa Mustafa në ceremoninë e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të degës së LDK-së në Gjakovë.
Sipas KosovaPress, kryeministri Mustafa, ministra dhe deputetë nga radhët e LDK-së u pritën nga drejtues, veprimtarë e simpatizantë të shumë të Lidhjes Demokratike në Gjakovë.
"Dega e LDK-së në Gjakovë ishte ndër të parat që u themeluan dhe ishte ndër më të rëndësishmet, pasi prej këtu dolën shumë veprimtarë të shquar të cilët i shërbyen atdheut dhe shumë nga ata u përndoqën dhe u vranë nga pushteti serb", tha Luan Gola, kryetar i degës në Gjakovë.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se LDK vazhdon rrugën e Rugovës dhe se mburren me qeverisjet e para të Kosovës nga LDK. Ai nuk harroi të falënderonte shumë nga veprimtarët e LDK-së në Gjakovë. Dhe në këtë qeverisje, sipas tij, komunat kufitare, përfshi Gjakovën, do zënë vend të veçantë./ATSH/