ATSH/.- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke prezantuar para deputetëve rezultatet e arritura gjatë 100 ditëshit të Qeverisë, deklaroi se LDK nuk ka deputetë rebelues, por ata kanë të drejtë të kenë mendime të ndryshme.
Sipas KosovaPress, duke iu përgjigjur mocionit të Glauk Konjufcës së Vetëvendosjes, Mustafa tha se, ky i fundit nuk ka licencë për të vlerësuar deputetët.
"Në mocionin tuaj, Konjufca ka shumë të pavërteta. Është e pavërtetë që kam përkrahur dhunën në protestë, është e pavërtetë që unë i kam quajtur prindërit e fëmjës që humbi jetën në Hungari, të papërgjegjshëm, por e vërteta është se familjarët kanë përgjegjësi për fëmijët e tyre, e pavërtetë është që kam thënë që Trepça të bëhet kompani publike, sepse unë e kam tërhequr atë nga ligji për ndërmarrjet publike", tha ai.
Ai shtoi se, rekomandimet e propozuara derivojnë nga shumë të pavërteta të këtij mocioni.
Mustafa paraqiti edhe një herë programin qeverisës, duke u ndalur në objektivat në aspektin ekonomik, social, në fushën e integrimeve etj. /m.m/