SPECIALE/ Muze për diktatorët e shtatore për mbretëreshën, po Musine Kokalari?! Historiani Beqir Meta: E vërteta  e Xhafer Devës dhe muzetë për Enverin, ja ç'duhet bërë me to

Është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë austriakë dhe listohet si Monument Kulture, sot Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë është më e diskutuara ndër objektet e trashëgimisë. Ka shërbyer si ambulancë, si shtëpi për familje të pastreha, por, emri që mbart, e lidh në mënyrë të pashmangshme me Devën. Si iniciator i ndërtimit të saj, e se jetoi disa vite në të.

Nëse s’do të qe për një debat të “fryrë”, ndoshta të vetmit që do të shqetësoheshin nga ndërhyrjet restauruese të dekadës së fundit do të ishin të pastrehët.  Në harresë ai objekt ishte lënë për vite, derisa në mars të 2015-ës ra pre e një zjarri.

Kur në 2 shkurt Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës lajmëroi se nisi faza e re e restaurimit të këtij objekti “si një prej më të veçantët e trashëgimisë kulturore të Mitrovicës”, reagimet do të ishin të njëpasnjëshme. Politikanë, studiues, e deri edhe qytetarë të thjeshtë, që përballeshin për herë të parë me këtë emër, do të mbanin qëndrimin e tyre.  Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Programi për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara do të pezullonin punimet.

Por debatet për figurën e Xhafer Devës, vijojnë ende…

Drejtues i rezistencës kundër mësymjes së trupave komuniste jugosllave në Kosovë, dhe iniciator i hapjes së disa shkollave shqipe bashkë me figura si Ernest Koliqi, pse Xhafer Deva, duhet të pozicionohej në krah të pushtuesve gjermanë? A erdhi ai si ministër i rekomanduar i tyre në Tiranën e ’44-ës, dhe a i lë historia “barrën” e masakrës së 4 shkurtit të atij viti? Akademiku dhe historiani Beqir Metaj, ‘skanon’ këtë figurë politike, duke ia asociuar dritëhijet ngjarjeve të atyre viteve.

“Gjatë Luftës së Dytë Botërore, problemi themelor i shqiptarëve ishte rivendosja e autoritetit apo legjitimitetit të shtetit shqiptar, i cili ishte pushtuar nga Italia fashiste fillimisht. E  cila u zëvendësua më tej nga forcat gjermane” thotë historiani dhe akademiku Meta.

E megjithatë Kosova dhe Shqipëria të gjendur mes dy zjarreve, komunistëve jugosllavë dhe pushtuesëve gjermanë, nuk do ta harronin as në këtë periudhë bashkimin kombëtar.

“Nga ana tjetër kishte edhe synime të tjera që ishin të rëndësishme, si realizimi i dëshirës së kahershme për bashkimin kombëtar, që një pjesë e nacionalistëve e pa si një shans të mundshëm që të bëheshin hapa konkrete gjatë luftës, që të viheshin në jetë në përfundim të Luftës. Edhe një studim tjetër edhe më pragmatist, por edhe më eminent për kohën, ishte që të mbrohej popullsia shqiptare nga rreziku i madh i krimeve që mund të kryenin forca të vendeve fqinjë”

Rreziku më i madh në këtë kontekst i kanosej Kosovës, dhe Xhafer Deva siç thotë historiani ishte i ndërgjegjshëm për këtë.

“Në këtë rast forcat çetnike serbo-malazeze, të cilat ishin shumë të fuqishme në kufijtë e Kosovës por edhe brenda në Kosovë. Pra, ishte një rrezik evident që edhe u manifestua. Janë kryer disa krime nga këto forca dhe më e madhja është Masakra e Biohorit, ku u vranë rreth 3741 shqiptarë, midis tyre edhe fëmijë edhe gra. Kjo ishte një zonë neutrale që italianët e kishin lënë qëllimisht, por që kanë ndodhur edhe të tjera më të vogla në zonat e tjera të Kosovës. Kështu që forcat nacionaliste synonin të mbronin territorin e tyre dhe ata kanë ushtruar një aktivitet shumë të madh në mbrojtje të këtij territori. Pra është një situatë shumë komplekse”.

Komplekse situatën në valën e frymës komuniste e bënte edhe qëndrimi antikomunist i Xhafer Devës e  nacionalistëve të tjerë.

“Qëllim tjetër i forcave nacionaliste ishte të mposhtnin lëvizjen komuniste, që materializohej në Lëvizjen Nacional Çlirimtare, të cilën e drejtonte partia komuniste. Kjo, pasi e shikonin si një rrezik të madh për të ardhmen, për pozitën e tyre social-ekonomike etj.”

Ajo që e bënte më dramatike situatën ishte fakti se populli shqiptar nuk ishte i bashkuar, e se krisjet mes tyre, s’bënin tjetër veçse i zgjeronin hapësirat pushtuesve.

“Shqipëria në këtë kohë ishte një komb shumë i përçarë, në kontradikta të brendshme, dhe në këtë kontekst duhet parë edhe kjo pozita e nacionalisteve, të cilët u përpoqën që nën pushtimin gjerman në radhë të parë të krijonin një shoqëri civile që do tu shërbente për veten e vet. Dhe deri diku ia arritën, ata krijuan një administratë kombëtare, hapën shkolla shqipe. Filluan të bënin progres në procesin e dekonolializimit të Kosovës, pra të tokave që u kishte marrë ish-Jugosllavia shqiptarëve, e një sërë problemesh të tjera. Por kryesorja e kësaj politike është mbrojtja e popullsisë shqiptare nga forcat e ulëta nacionaliste serbe dhe malazeze”

A lind në këtë pikë bashkëpunimi me gjermanët, dhe deri ku mund të shkonin paktet me pushtuesin?

“Ata përcaktuan si politikë aleancën me gjermanët, por aman nuk është se pranuan të bashkoheshin me trupat gjermane për të pushtuar vendet e tjera. Ishte synimi që të shërbenin brenda në territor, brenda kornizave dhe interesave që u lejonte ushtria gjermane”.

Xhafer Deva, siç shprehen studiuesit, ishte padyshim një nga figurat kyçe që mbante me vendosmëri të tillë qëndrim. Por a ishte ai i piketuari i gjermanëve?

“Xhafer Deva ishte njëri nga këta nacionalistë, sigurisht që ka qenë një nga më të ashprit, më të vendosurit për ta zbatuar këtë politikë dhe ishte numri një i gjermanëve. .. Një njeri me ndikim shumë të fortë në Kosovë”

Përplasjet e brendshme, mes komunistëve dhe drejtuesve nacionalistë do të agravonin ditët e para të shkurtit. Në datë 3 shkurt të 1944-ës komunistët do të bënin disa atentate, derisa mbërrihet në masakrën e 4 shkurtit ku mendohet të kenë qenë  89 të qytetarë të vdekur në Tiranë. A ishte kjo përgjegjësi e Xhafer Devës?

“Për sa i përket çështjes së Masakrës së 4 shkurtit padyshim që pas saj qëndron ai. Urdhri është i tij. Të vrarët ishin kryesisht simpatizantë të komunistëve ose komunistë. Që janë ekzekutuar. Dhe ky ishte një aspekt i vijueshmërisë së luftës civile”.

A ishte kjo masakër një hakmarrje personale e Xhafer Devës, apo një përgjigje e organizuar e nacionalistëve?

“Krime ka pasur nga të dyja palët, edhe nga forcat partizane që kishin kishin kryer krime më parë. Madje shkak për këtë është bërë vrasja e nipit të Xhafer Devës, në një atentat që kishte si objektiv XHafer Devën ,por u vra nipi i tij. Pra ishte si një reagim hakmarrës i një lufte civile”

Ende sot këto ngjarje të gërshetuara historike, nuk mund të shihen pa emocione. Pasojat janë objektiv i opinoneve, më shumë se sa shkaqet a mësimet e historisë.

“Sigurisht që ne sot e shikojmë me dhimbje këtë proces përplasjesh politike dhe hakmarrjesh apo krimesh midis palëve, por që në histori ja vlen të studiojmë për të nxjerrë mësime me qëllim që brenda një vendi, brenda një kombi, duhet të ketë forca të unifikuara sidomos në momente lufte sepse diversifikimi për një popull të vogël është me pasoja të jashtëzakonshme, siç ka qenë për Shqipërinë e asaj kohe.

Xhafer Deva që arrin të frenojë a të shmangë masakrat e forcave çetnike serbo malazeze në Kosovë. Po ai politikan antikomunist sipas akademikut qëndron pas masakrës së 4 shkurtit në Shqipëri. Historia përpiqet të bëjë bilancet e veta,  nëse bashkëpunimi me nazistët i solli më shumë benefite për paqen e Kosovës, apo i vulosi njollën si kolaboracionist e përgjegjës të vdekjeve të afro 84 shqiptarëve?

“Ne sot e kemi shumë më të lehtë të flasim, se e dimë që gjermanët e kanë humbur luftën, por atëherë nacionalistët shqiptarë nuk është se e dinin medoemos që do e humbnin. Ndonëse në vitin ’43 kur gjermanët erdhën në Shqipëri kishte shenja që fuqia e tyre ushtarake mund të kalonte në krizë, por aman nuk kishte kaluar ende në krizë totale. Nuk i dihej fatit të luftës, dhe ato zgjodhën këtë rrugë për të realizuar objektivet e tyre. Sigurisht që rezultoi një zgjedhje e gabuar se ata u mposhtën bashkë me gjermanët dhe shumica e tyre përfunduan emigrantë politikë… Një pjesë e tyre që mbeti në Shqipëri u vranë u burgosën etj”

Faktorët që sollën në këtë situatë, nuk mund të thuhet se ishin vetëm të jashtëm…

"Kjo ishte produkt i një përplasje të brendshme shqiptare, që është e dëmshme e rrezikshme veçanërisht për një popull të vogël. Kështu që bilanci i kësaj nuk mund të thuhet se qe pozitiv, por duhet parë edhe në këtë kontekst që unë përmenda. Nuk u realizuan objektivat e tyre kryesore për të parandaluar ardhjen e komunizmit, përkundrazi ajo i ndihmoi. E megjithatë disa avantazhe pati, madje do të quaja më të rëndësishme në parandalimin e masakrave të forcave çetnike në Kosovë dhe kjo nuk është pak. Kjo nuk është çështje teorike sepse mund të ndodhnin krime dhe masakra që gjatë Luftës. Ndërsa tjetra është që u krijua një lloj fryme patriotike në Kosovë, në Kosovën e shtypur me dekada nga Serbia dhe ish-Jugosllavia. Me hapjen e administratës, shkollave shqiptare, krijimin e gjyqeve shqiptare, Pra ishte një gjë që nuk kishte ndodhur kurrë në këto treva. U krijua një lloj shprese se me të vërtetë mund të vinte liria mund të krijoheshin rrethana që Shqipëria dhe Kosova mund të bashkoheshin dhe të kapërcehej ai sundimi i vrazhdë serb që kishin provuar mbi supe”

Efektet e rezistencës  së drejtuesve nacionalistë në Kosovë, sa i përket pengimin të gjenocideve siç thotë studiuesi do të ndiheshin edhe pas Luftës…

 “U krijua një model një precedent që do të shërbente edhe pas Luftës. Kështu Jugosllavia titiste nuk guxoi t’u mbyllte shqiptarëve shkollat, por që në kohën e Jugosllavisë monarkiste nuk e kishin pasur, pra kishte një lloj rrethane. Se sa të vogla të mëdha kjo është e diskutueshme, por pati edhe disa përfitime. Por sigurisht që përplasja mes palëve shqiptare ishte një ngjarje negative qoftë për këto figura ashtu edhe për interesat e Shqipërisë. ”

Mes hipotezave historike për rolin që ai pati sa i përket hebrenjve, një fjalim i tij në 25 vjetorin e themelimit të Bllokut Kombëtar Indipendent, tenton të plotësojë botëkuptimin e Xhafer Devës. Në Neë York në vitin 1971 ai do të ndalej ndër të tjera tek raporti i Kosovës me Shqipërinë.

“Problemi i Kosovës siç e dini asht ma i koklavitun se ai i Shqipnisë. Ma i koklavitun për arsye se vërtet kemi të bajmë me nji armik të fortë. Sot paraqitet rasti që shqiptarët me mend e me urti të përpiqen të bisedojnë, të rrahin mendimet e tyre, të kontribuojnë sa të munden për çlirimin e Shqipnisë. Të kontribuojmë secili me punë konkrete por jo me parime ideologjike. Ideologjinë ta lamë për në Shqipninë e lirueme, për në Shqipninë e lirë me nji sistem demokratik. Atje ndoshta kemi me pas 25 a 30 partina me dy e milion e gjysem njerëz….Pa nji Shqipni të lirë nuk mund të ketë nji Kosovë të bashkueme me Shqipninë. Këtë e kemi tregue edhe në të kaluemen, 26 vjet ma parë. Kosova i ka dhanë kontributin Shqipnisë dhe asht mundue me fuqizue nacionalizmin shqiptar. Kjo ka qenë e mbetet gjithmonë rruga jon” do të thoshte Xheva.

Por ndërsa Shqipëria diskuton mbi restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, në Gjirokastër shtëpia e diktatorit Enver Hoxha mban dyert e hapura si Muze Etnografik. Njësoj ndodh me ish Vilën e familjes së diktatorit, për të cilën sapo kanë nisur diskutimet për ta kthyer në muze… Por, a duhet të varet restaurimi, mirëmbajtja dhe funksionimi si muze i këtyre objekteve nga qëndrimet e ndikimet që këto figura kanë pasur në histori?

“E quaj të pakuptimtë diskutimin që është bërë nëse duhej mbajtur apo restauruar shtëpia e tij. Është një monument kulture, mandej tregon edhe këto elemente të historisë, që ka vlerë që rinia t’i mësojë. Pra duhet mësuar historia me të mirat dhe të këqijat e saj. Madje kombet e mençura mësojnë më shumë nga dështimet sesa nga sukseset. Këtu është edhe Muzeu i Enver Hoxhës, patjetër që duhet mbajtur. Rinia duhet të shkojë të shikojë ku ka jetuar ky diktator me të gjitha anët e veta dhe ato janë pasuri kombëtare që i shërbejnë edukimit. Nëse ne duhet të krijojmë një brez që ta urrejë diktaturën, një brez i cili duhet të luftojë për idealet e demokracisë patjetër që duhet ta shikojë”

Por a është e nevojshme që, së paku në këto objekte të udhëheqësve, të ketë minimalisht disa tregues që të diktojnë ndikimin negativ që mund të kenë pasur në histori?

“Lidhur me mënyrën se si ndërtohen këto muze duhen specialist, por që sigurisht që duhet të ekzistojnë. Diktatura dihet që është negative dhe thelbi i saj është i dëmshëm për çdo popull, por ne duhet të dimë se çfarë ka qenë, dhe kush kanë qenë njerëzit që e kanë ndërtuar atë…”

Mirëpo paradoksi i ekzistencës së këtyre objekteve haset sot brenda kufijve, kur pretendohet që trashëgimia e Musine Kokalarit të ekspozohet në Muzeun e atij që vulosi fatin e saj të dhimbshëm, diktatorit Enver Hoxha. Ndërkaq shtëpia e Kokalarit, ende nuk është hapur për publikun, apo të ishte një muze me të gjitha funksionet, ku familjarët të ekspozonin edhe trashëgiminë e saj materiale që ruajnë.

“Ky është një element i dobësisë sonë. I dobësisë politike, kulturore etj., sepse ai është një muze që mund të realizohet, mund të bëhet, thjesht duhet interesi dhe investimi. Është pjesa e njerëzve që luftuan kundër diktaturës, pra janë element frymëzues. Sikundër janë elementë reflektues ato që përmendëm më lart….”

Musinenë e duan shqiptarët edhe përmes shtatoreve nëpër qytete, apo në kryeqytet, ku së fundmi u vendos shtatorja e mbretëreshës Geraldinë. Prej këtu, merr vend edhe diskutimi: Cilat figura në fakt lartësojnë shqiptarët sot?

“Ne nuk mund t’i vendosim përballë. Figurat historike kanë të gjitha vendin e vet.. kështu që nuk ka pse të mos vendoset shtatorja e mbretëreshës, sepse nuk ka shtatore të Kokalarit,. Duhet t’i vendosim të dyja. Figura e mbretëreshës është e merituar të vendoset në shtatore. Është një figurë e vlerësuar në të gjitha qarqet diplomatike dhe bashkëkohësit e saj. Ka pasur një reflektim shpirtëror pozitiv dhe që i ka bërë nder kombit tonë si këtu, ashtu edhe në emigracion”

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 02/03/2022 01:13

    <<Ata percaktuan si politike aleancen me gjermanet,por aman nuk eshte se pranuan te bashkoheshin me trupat gjermane per te pushtuar vendet e tjera...>>!! <<Ne sot e kemi shume te lehte te flasim se e dime qe gjermanet e kane humbur luften,por atehere nacionalistet shqiptare nuk e dinin medoemos qe do e humbnin.>>!!!Me te vertet i justifikon keshtu ballistet dhe kolaboracionistet o Beqir Meta?!Sipas logjikes se ketij pseudo-historiani,quhesh i lare.i lyer e i justifikuar,po perkrahe dike ne krim,mjaft qe te mos ndysh duart vete,mjaft qe te mos jesh ti egzekutori qe terheq kembezen pas kokes se te pafajshmeve!!Z.Meta,perderisa ben aleance,perderisa perkrah dike qe e denon gjithe bota demokratike,qofte dhe me heshtjen tende,perderisa perkrah e ben aleance me dike qe pushton vendin tend dhe masakron bashkepatriotet e tu,ti je po aq fajtor sa dhe nazistet. Dhe pse perpiqesh t'i trajtosh si idiote te pafajshem per zgjedhjen qe bene?Sipas analizes tuaj keta humben se humbi gjermani?!Sikur aleatet te mos kishin bashkuar forcat,nazistet do kishin sunduar boten me thembra celiku dhe pseudonacionalistet e tu do kishin realizuar qellimet e tyre,fale aleances me maskarenjte?!Keshtu mendoni ju? Z.Meta,gjithe bota demokratike e dinin shume mire kush ishin nazistet qe nga fillimi,e dinin para se te fillonte lufta se cfare ideologjie perdornin,ishte vetem ceshtje kohe kunderreagimi i aleateve.Dhe pseudonacionalistet e tu nuk ishin njerez injorante,sejmenet e tyre edhe mundet ne ndonje rast,por lideret e tyre ishin shkolluar dhe shumica jashte, fale pozicionit ekonomik-social e influencave te familjeve te tyre.Nuk mund t'ju falet qe /se ditkeshin/kush ishin nazistet dhe ideologjia e tyre,qe /se dinin/ qe gjermanet do te humbnin.Dhe perse atentatet kunder kolaboracionisteve i quan lufte civile? Ne gjithe Evropen e pushtuar pati atentate te tilla nga grupet e rezistences kunder bashkepuntoreve te pushtuesve dhe vete pushtuesve, gjate kohes se pushtimit,por vendet evropiane nuk kane historiane te tipit Beqir Meta qe t'a quaj paturpesisht luften per clirim kunder pushtuesve dhe bashkepuntoreve te tyre /lufte civile/.

    Përgjigju
  • Sifi: 01/03/2022 19:49

    Mender Beqir Meta historian dhe mbron figuren e bashkepuntorit te ghermaneve kriminelin Xhaferr Deva.Keput qafen bashke me ballistin tjeter Uran Butka qe mbroni vetem Ballistet luften nacional clirimtare kur dihet qe historine e ka shkruajtur populli shqiptar me gjak dhe jo ju doca Masakra e 4 Shkurtit u krye nga gjermanet bashke me rregjimentin kosova te udhezuar nga Xhaferr Deva

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale