Muzeu vendor ‘Shtëpia studio Kadare’, arkitektja: Inaugurohet në fund të majit

Për herë të parë Tirana do të ketë një muze vendor. Bëhet fjalë për “Shtëpinë Studio Kadare”, që do të inaugurohet në fund të muajit maj 2019. Një iniciativë e Bashkisë së Tiranës, që do të pasqyrojë jetën e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare në fushën e letrave shqipe gjatë periudhës totalitare. Projekti i udhëhequr nga arkitektja italiane Elizabeta Terragni, por edhe nga arkitektë shqiptarë është mirëpritur nga familja Kadare që në fillim. Për këtë Nevin Bilali, drejtoreshë e projektimit dhe arkitekte në Bashkinë e Tiranës rrëfen detajet se si do të jetë muzeu vendor, apartamenti ku ka banuar Ismail Kadare dhe familja e tij gjatë viteve 1974-‘89.
“Është e vërtetë, që në vitin 2018 u vendosë që shtëpitë e dy shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë, Ismail Kadaresë edhe e Dritëro Agollit, të shndërrohen në shtëpi të vizitueshme nga njerëzit, që janë të interesuar për veprën edhe veprimtarinë e tyre. Kam dëshirë të theksoj, se deri tani filozofia e shndërrimit të shtëpisë së Kadaresë, ka qenë një filozofi e shndërrimit në shtëpi-studio, ku njerëzit mund të shkojnë të eksplorojnë dhe të bëjnë kërkime mbi veprat e tij. Nuk është një muze i mirëfilltë, prandaj ne e kemi quajtur “Shtëpia studio Kadare”. Është një muze më shumë kontemporan, që është trajtuar që nga mënyra e dizajnit edhe projektimit, deri në detajet më të vogla, të dhënies së informacionit brenda në muze”, shprehet Nevin Bilali, drejtoreshë e projektimit në Bashkinë e Tiranës.

Brenda apartamentit ekspozimi do të ndahet midis dokumenteve origjinale, objekteve, librave edhe mobilieve edhe pjesa tjetër ku do të merren njohuri për veprën e tij, do të jetë një kënd leximi.

 “Duhet të them se kjo është një iniciativë e bashkisë së Tiranës, e cila ka bashkëpunuar shumë ngushtë me një ndër arkitektet më të njohura ndërkombëtare, Elizabeta Terragni-n. Prekja e këtyre ambienteve është shumë minimale. Kjo do të thotë se ne ato çfarë kemi gjetur në shtëpi i kemi rezervuar sa më shumë që kemi mundur. Por ndërkohë e kemi pasuruar atë edhe me informacionin që ka munguar, sepse Kadare e ka lënë shtëpinë para 29 vitesh, edhe kur është larguar ka marrë me vete shumë materiale. Jemi përpjekur që të gjejmë sa më shumë objekte dhe vepra të tij, për t’i përfshirë në këtë studio”, thotë arkitektja Bilali.

Ky apartament synon do të jetë edhe një vend ku mund të formohet një ide ndaj punës së tij.

“Do të ketë dorëshkrime dhe vepra të botuara. Sidomos për ekspertët e fushës është një shtëpi kërkimore shumë interesante. Kur shkuam në shtëpi, kemi kuptuar që edhe ai vet ka qenë shumë i apasionuar pas interierit të shtëpisë, pra e transformonte atë shumë shpesh. Bënte shumë gjëra herë pas here, për shembull një nga libraritë që ka apsur është ruajtur edhe ne jemi përpjekur, që t’i reflektojmë këto gjëra në dizajnin që kemi bërë”, shton arkitektja.

Për të arritur në versionin përfundimtar të “Shtëpisë studio Kadare” të projektit Nevini na zbulon se nuk ka munguar as bashkëpunimi me shkrimtarin Ismail Kadare.

“Në momentin që ne vendosëm, që të kemi një bashkëpunim me arkitekten Elizabeta Terragni, ajo bëri edhe një prezantim se do ta trajtonte jo si një muze tradicional, por si një shtëpi studio. Për këtë kemi pasur edhe aprovimin nga ana e Ismail Kadaresë, nga i cili kemi vjelur të gjithë informacionin, që kemi mundur”, vijon më tej ajo.

Qëllimi i kësaj iniciative është që kjo shtëpi banuar nga shkrimtari i njohur gjatë regjimit komunist të tërheq sa më shumë turistë vendas dhe të huaj, por edhe të përmirësojë imazhin e kryeqytetit në mënyrë sa më cilësore.

 “Kjo shtëpi studio do të jetë e hapur për të gjithë njerëzit, vizitorët shqiptarë edhe të huaj, kundrejt një bilete, që do të shërbejë për menaxhimin e saj”, tregon Nevin Bilali.
Fillimisht propozimi, për të bërë këtë transformim ka qenë edhe për shtëpinë e Dritëro Agollit, që gjendet në të njëjtin pallat me Kadarenë. Arkitektja na tregon se çfarë është bërë në këtë drejtim deri më tani.

Kur ne kemi punuar edhe me arkitekten Elizabetën, edhe me grupin e arkitektëve në shtëpi, kemi menduar gjithmonë edhe faktin, se është edhe shtëpia e Agollit. Fillimisht nuk kishim një konfirmim, por pas konfirmimit kemi nisur punën për të bërë të njëjtën gjë edhe me shtëpinë e Agollit”, vijon Bilali.

Pallati ku ka jetuar Kadare gjendet në krah të sheshit “Skënderbe”. Apartamenti ndodhet në katin e tretë të pallatit në rrugën e “Dibrës” edhe është ndërtuar nga arkitekti Maks Velo në vitin 1972.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fredi: 04/05/2019 09:48

    Bravo Malos! Shokët e partisë ia ngritën shtëpitë, lart e më lart flamujt e kongreseve!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor/ Kosova shpreh rezervat, Osmani: Pse nuk dënohet agresioni dhe terrorizmi i sulmit në Banjskë?

Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor/ Kosova shpreh rezervat, Osmani: Pse nuk dënohet agresioni dhe terrorizmi i sulmit në Banjskë?