Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos ka reaguar pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës "Oj Kosovo, Kosovo” në hapje të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel mbrëmjen e djeshme.

Në një prononcim për gazetarët, Kos shprehu keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga muzikantët, duke theksuar se ajo nuk pasqyron në asnjë mënyrë as qëndrimin e Komisionit Evropian, as qëndrimin e saj personal ndaj Kosovës dhe historisë së saj. Ajo tha se përzgjedhja artistike kishte qenë zgjedhje e bandës që performonte në sallë.

“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e Komisionit Evropian. Ne nuk po kërkojmë që njerëzit t’i harrojnë dallimet e tyre, por po ndërtojmë një Evropë në të cilën këto dallime nuk do të jenë arsye për ta penguar të ardhmen”, tha Kos.

Ndërkohë reagime të ashpra ka pasur nga figura politike në Kosovë dhe jo vetëm. Jeton Zulfaj, Kryenegociatori i Kosovës me BE e quajti episodin skandaloz dhe të papranueshëm. Një event i BE për zgjerimin nuk mund ti japë hapësirë në skenë nacionalizmit serb tha ai në një reagim.

“Një këngë nacionaliste serbe, që mohon shtetësinë e Kosovës dhe që u shkrua në kohën kur kasapi i Ballkanit, Millosheviqi, po i shfuqizonte të drejtat e Kosovës dhe po e shtypte popullin tonë, u interpretua në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së. Kjo është skandaloze e papranueshme. Një aktivitet i BE-së për zgjerimin nuk mund t’i japë skenë nacionalizmit serb", shkroi Zulfaj në platformën X.

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka thënë se interpretimi i muzikës së këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian është e papranueshme.

“Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme" shkroi Bajrami në platformën 'X'.

Raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras e cilësoi momentin një gafë të jashtëzakonshme që mund të ketë ardhur si provokim i qëllimshëm ose padijeni e plotë.

Kryetarja e Parlamentit në Kosovë Albulena Haxhiu, shprehu shqetësim në një reagim në faqen e saj në facebook.

“Një forum që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian nuk mund të përcjellë mesazhe që bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve”, tha Haxhiu.

Haxhiu kërkoi reagim nga Komisioni Evropian për atë që e quajti një përzgjedhje të papërgjegjshme dhe bëri thirrje për kujdes e ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit.

Kënga “Oj, Kosovo, Kosovo”, e vitit 1989, u interpretua pa tekst, vetëm në version instrumental, nga grupi slloven Marko Hatlak & Kapobanda, gjatë koncertit “Melodies of Unity”, në Albert Hall të Brukselit.

Në tekstin e këngës, Kosova përshkruhet si “toka ime e dashur” dhe si vendi i princit Lazar dhe Millosh Obiliçit, dy figura të historisë dhe traditës serbe të lidhura me Betejën e Kosovës të vitit 1389. Kënga përmend edhe manastirin e Graçanicës dhe Vidovdanin, ditën kur serbët përkujtojnë këtë betejë. Përmes këtyre referencave, kënga e lidh Kosovën me historinë dhe identitetin kombëtar serb, duke e paraqitur si tokë që u përket serbëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:30
‘Kosova është e Serbisë’, Marta Kos shpreh keqardhje për këngën e interpretuar në Forumin e Zgjerimit të BE: Nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimin e Komisionit Evropian

1793794010_martakos.JPG

Një koncert që synonte të promovonte bashkimin e kulturave evropiane nxiti reagime politike, pasi në të u interpretua melodia e një kënge serbe Oj Kosovo, Kosovo që e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.

Në një prononcim për gazetarët, Kos shprehu keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga muzikantët, duke theksuar se ajo nuk pasqyron në asnjë mënyrë as qëndrimin e Komisionit Evropian, as qëndrimin e saj personal ndaj Kosovës dhe historisë së saj.

Ajo tha se është e vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat e njerëzve në këtë pjesë të Evropës gjatë së kaluarës dhe theksoi rëndësinë e pajtimit, pa harruar dallimet dhe përvojat historike.

“Ne nuk kërkojmë që dallimet të harrohen, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, tha Kos.

Ora 11:17
Kënga nacionaliste serbe në Forumin e Zgjerimit të BE, Albulena Haxhiu: Nuk përputhet me parimet evropiane, presim sqarim nga KE

Foto: Albulena Haxhiu

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Përmes një postimi, Haxhiu e ka cilësuar këtë veprim si thellësisht shqetësues, duke theksuar se kënga promovon pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe bie ndesh me parimet e Bashkimit Evropian për paqen, fqinjësinë e mirë dhe respektimin e sovranitetit të shteteve.

Ajo ka kërkuar gjithashtu një sqarim nga Komisioni Evropian për përzgjedhjen e kësaj kënge në aktivitetin zyrtar.

“Është thellësisht shqetësuese që në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të interpretohet muzika e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës.

Një forum që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian nuk mund të përcjellë mesazhe që bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve.

Presim sqarim nga Komisioni Evropian për këtë përzgjedhje të papërgjegjshme.

Institucionet evropiane duhet të tregojnë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin”, shkruan Haxhiu.

Ora 08:08
Interpretimi i këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës në forumin e BE-së, eurodeputeti: Një provokim i qëllimshëm ose një gabim i patakt

Eurodeputeti estonez, Riho Terras, ka reaguar ndaj interpretimit të një kënge nacionaliste serbe me pretendime territoriale ndaj Kosovës, në një aktivitet të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Përmes një postimi në platformën X, Terras e ka cilësuar interpretimin e këngës si veprim jashtëzakonisht të papërshtatshëm, duke ngritur dilema nëse bëhej fjalë për një provokim të qëllimshëm apo për injorancë.

“Ose një provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër. Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe që pohon pretendime mbi Kosovën në një aktivitet për zgjerimin e BE-së është një gabim jashtëzakonisht i patakt dhe pa shije”, ka shkruar ai.

Foto: Postimi i Riho Terras