Myftar Cubi, sirenat nudo që
“ndezin” edhe vetë gurin

Myftar Cubi, sirenat nudo që<br />“ndezin” edhe vetë gurin
TIRANE- Shoqata e grave të Dhomës Amerikane të Tregtisë, të kryesuara nga kandidatja për ambasadoren e  Shqipërisë në SHBA, zonja Floreta Luli Faber, ka qenë dje paradite në një takim prezantues në studion e piktorit të njohur Myftar Cubi.

Në këtë studio modeste, të pajisur me materiale unike natyrale, me ata gurë dhuratë të  natyrës, ashtu të rrumbullakosur si perlat nga larja e pareshtur e dallgëve të detit apo nga valët tekanjoze të lumenjve; biznesmenet, jo vetëm manifestuan 37-vjetorin e martesës së piktorit me bashkëshorten e tij Vjollca Cubi, por promovuan edhe vizionin e veçantë piktorik të artistit, një emër i njohur tashmë në Ambasadën Amerikane.

Myftar Cubi njihet si piktori i mozaikut në Shqipëri, por ai ruan një fije lidhëse edhe me SHBA. Pikërisht në Shtëpinë e Bardhë gjendet një pikturë e tij, dedikuar tragjedisë së kullave binjake më 11 shtator 2001. Kjo pikturë që ka fituar mbi 5 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, drejtoi vëmendjen tek artisti shqiptar Myftar Cubi, të cilin për stilin unik, krijimin e mozaikut me gurë të gurë të rrallë; "Artexpo" në Nju Jork e ka vlerësuar  mes 500 artistëve të njohur të botës që punojnë me teknika speciale.

Pra, për stilin e piktorit Cubi, që një ditë vendosi të lërë në heshtje penelatat dhe i kthehet mozaikut, mund të thuhet thjesht “pikturon me gurë”. Por puna nuk është kaq e thjeshtë. Zgjedhja e piktorit është një sfidë, sepse ai kurrë nuk blen copëza industriale të ngurtësuara apo ngjyrosura, por mbledh së bashku me bashkëshorten e tij Vjollcën (këtë grua si të nxjerrë prej brinjës Adamike), gurëzit e rrumbullakosur, duke i zbuluar në brigjet e deteve dhe të lumenjve.

Këta gurë grumbullohen në studion e tij që nga Kotorri në Mal të Zi, deri në rivierën e bukur të Jonit. Ndaj në zhdërvjelltësinë e veprës së kryer nga dora e tij, personazhet apo figurat asnjëherë nuk e zhveshin misterin e tyre. Zonja Vjollca, bashkëshortja e piktorit, një grua që nga dashuria për artin zgjedh të rrijë nën “hijen e pikturës”, ka dashuruar dorën e tij që praron në telajo dhe pastaj ka pranuar të sakrifikojë paq, duke bërë menaxhimin e pikturave të tij. Ky detaj doli ndër paskuintat gazmore të jetës dhe karrierës së piktorit. Dje, në atë takim mëngjesi, nuk shterte admirimi për veprën, për mesazhet, për gurët specialë apo për realizimin e fijes së flokut e bebes së syrit me gurë.

Ndërkohë, piktori Myftar Cubi sapo ka mbaruar punën për restaurimin e Mozaikut të Bankës Shqiptare dhe është në pritje të “një trilli” të ri artistik, që ta punojë me gurët natyralë të mbledhur brigjeve e luginave. Nuk është e lehtë për gruan e artistit që sheh se me gurët që bashkëshorti i saj lëmon deri në fund të veprës, i mbyllur larg saj me orë të tëra brenda në studio, të shkoj atje së fundi e t’i shfaqet një grua tjetër, një sirenë nudo apo një lozonjare që “ndez” erotikisht edhe vetë gurin.

Por, ajo do të nis t’i dojë megjithatë si vepra arti, siç do ta donte pikturën “Rozafa”, ku është një pjesë e imazhit të saj apo Mujin e “Eposit të Kreshnikëve” (që ia ka ënda edhe vetë piktorit në vepër, të pijë qumësht zanash). Stili i të krijuarit, temat, personazhet reale që kanë pozuar, figurat historike, e kanë bërë mëngjesin e ditës së djeshme të ketë një frymëmarrje të veçantë në komunikimin e veprës me shikuesit.

Nuk ka mjaftuar me kaq, por portretet tradicionale të gruas me kostume kombëtare apo portreti i Nënë Terezës, i Ismail Qemalit, i Ibrahim Rugovës e të tjerë, të rijetëzuar në vepër me gurët e tokës shqiptare, janë kthyer në tema diskutimi. Të tjera surpriza erdhën gjatë vizitës nga pyetjet e gazetarëve, nga debatet provokuese, sidomos për lidhjen reale të thelbit të veprës me personazhet që kanë pozuar për të: Pse ka kaq shumë dhe cilat janë këto nudo?!, etj.

Këto kanë bërë që të përjetohen nga të pranishmit këndvështrime të reja të mesazheve të veprës së piktorit Myftar Cubi. Vjollca Cubi mes emocioneve që ka, duke parë se piktura përjetohet realisht dhe sinqerisht ngrohtë në studion e thjeshtë të piktorit, shprehet për median se “nuk ka rëndësi sesa kushton një pikturë, rëndësi ka vendi ku rri”.

Në studion e Cubit, zanat e lashtësisë, Rozafa e muruar në Kala, dashuria dhe pasioni i kohëve të sotme mbeten një ndërthurje tepër origjinale e tradicionales me modernen. E së fundi, ato mbeten piktura për të cilat mund të flitet pak, e për t’u parë mund të shkohet shpesh e me shpesh... 

Myftar Cubi

















Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet miratuar rezoluta anti-korrupsion e propozuar nga PS?



×

Lajmi i fundit

SHBA: 'Ndarja' nënkupton fund për Republikën Sërpska

SHBA: 'Ndarja' nënkupton fund për Republikën Sërpska